Dënimi të gjithë ekipeve të klubit Vllaznia për shkak të “sjelljes jo të mirë” të volejbollistëve të saj në Kosovë, është ende edhe sot pas 40 vitesh, një mister i madh.

Pezullimi i të gjitha ekipeve nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, ka qenë pa logjikë fare. Ai që jep versionin e tij për këtë ngjarje, është një nga protagonistët e atij ekipi që solli më pas dënimin e gjithë sporteve të Shkodrës. Është Viktor Jubani ai që e kujton me shumë interes atë ngjarje edhe sot ndonëse kanë kaluar shumë kohë. Njëlloj sikur të kishte ndodhur dje. Ai ndjehet i trishtuar nga gjithë ajo histori. Mendon se Vllaznia dhe sporti shkodran, shërbyen si “mish për top” për pushtetin e saj kohe, sepse kishte njëfarë xhelozie për Kosovën dhe prandaj duhej të ndodhte diçka për t’i prishur këto marëdhënie.

“Kanë qenë ditë të lumtura për ne. Kudo ku shkuam në Kosovë na pritën në mnyrë të shkëlqyer. Na trajtonin si vëllezër të vërtetë. Një dashamirësi e madhe, një vëllazëri e shkëlqyer. U miqësuam aq shumë saqë mendonim se një miqësi e tillë do të mbetej gjatë mes dy vendeve tona. Por e kishim gabim sepse nuk do na linin. Nuk e prisnim atë gjë sepse kthimi në Shkodër pas 10 ditësh, nuk u shoqërua me asnjë masë, vërejtje a diçka të tillë sepse në të vërtetë nuk kishte pse të ndodhte kjo gjë. Por shteti jonë në atë periudhë, filloi të ndihej xheloz për Kosovën. Me ardhjen në pushtet të Titos, ai i liberalizojë shumë gjëra. Kosovarët mund të vinin në Shqipëri por edhe ne të shkonim andej. Por nëse në fillim, ne shisnim mend ndaj tyre sepse gjoja “jemi mirë”, “kemi një jetë të shkëlqyer” etj, me ardhjen e tyre këtu, panë tjetër gjë. Ardhja e tyre shoqërohej edhe me dhurata, dikush sillte orë, këmisha të bukura apo dhe televizorë dhe nga këto veprime, u kuptua qartë se ata ishin shumë më lart më ekonomi me ne. Por drejtuesit e shtetit tonë, nuk mund ta duronin këtë gjë sepse për ta “Shqipëria ishte feneri ndriçues” për të gjithë. Ata ishin xhelozë edhe për kosovarët Duke qenë kështu, atëherë duhet dikush për t’u bërë shembull. Dhe më mirë se me Shkodrën nuk kishte se me kë tjetër”.

Çfarë ndodhi?
Në ato vite, ne shqiptarët kishim shumë probleme me jetën dhe dalja jashtë vendit, ishte një mundësi e mirë për të sjellë diçka me të cilën mund të kënaqeshin paksa. Kështu ndodhi edhe në Kosovë. Për volejbollistët e Vllaznisë, pati ndonjë dhuratë nga homologët e tyre kosovarë. Dikush një orë dore, dikush një këmishë a diçka e tillë. Jubani shpjegon se problem i i madh doli për disa televizorë që kishin marrë me vete jo volejbollistët por drejtuesit dhe ata që shoqëronin ekipin. Atë çfarë ndodhi e shpjegon kështu ish-volejbollisti Jubani duke thënë: “Në Shqipëri ishte shumë problem sigurimi i një televizioni në atë kohë. Duhej shumë kohë për të pritur rradhën për të siguruar një television, nga ata të prodhimit vendas të Durrësit. Drejtuesit e delegacionit tonë, duke shfryëtzuar praninë e tyre në Kosovë, arritën të sigurojnë disa televizionë dhe ranë dakord me miqtë e tyre në Kosovë që pagesën t’ua bënin në Shkodër, tek një person me origjinë kosovare dhe me mbiemrin Duraku. Kështu u bë, në kufi u pagua edhe dogana e këtyre televizioneve dhe çdo gjë u duk në rregull. Por, e përsëris, dikujt i interesonte ta bënte këtë gjë të madhe sepse shteti jonë donte të parandalonte këtë afrim sepse synonte mbylljen tonë dhe moskomunikimin me botën. S’ma merr mendja që për 4-5 televizionë, duheshin dënuar të gjitha ekipet e klubit Vllaznia por shkodranët duhej të bëheshin shembull për këtë gjë”.

“Zhurma çuditërisht filloi një javë apo dhjetë ditë pasi ishim kthyer nga Kosova. Fillojnë mbledhjet dhe e kuptuam se diçka do ndodhte. Drejtuesit e Partisë në rreth nuk mund të lejonin veprime të tilla gjoja. Për rrjedhojë, u morën edhe disa masa teksa disa nga shoqëruesit tanë u hoqën nga puna, të tjerë u transferuan nga vend ii punës ndërkohë që me sportistët nuk pati ndonjë problem sepse ne nuk kishim bërë asgjë por pati vetëm ndonjë sanksion të vogël. Menduam se do mbaronte me kaq por anti-shkodranët do dilnin në skenë me këtë rast. Kudo ku ishin, në të gjitha federatat sportive. dëshira e tyre për ta parë të rrënuar sportin shkodran që po i sfidonte, gjen momentin më të mirë për t’u realizuar. Andaj, gjërat shkojnë deri tek Adil Çarçani që me një urdhër të posaçëm, i dënoi të gjitha ekipet e klubit sportiv Vllaznia për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar për një periudhë …. Vjeçare. Absurde. Mirë që mund të dënohet volejbolli (megjithëse s’kishim bërë asgjë) por futbolli, basketbolli dhe sportet e tjera, çfarë faji kishin!!!”

“Kosovarët e kthyen vizitën e tyre pas pak kohe. Pas kësaj zhurme që u bë, në Shkodër nuk bëhej fjalë që ata të ndalonin për të luajtur. Federata e volejbollit cakton tre qytete të tjera për t’i mirëpritur volejbollistët kosovarë. Më e bukura është se atë ditë që ata do kalonin nëpër Shkodër për të shkuar në Durrës, asnjëri nga ne pjestarët e ekipit të Vllaznisë nuk u la në qytet. Dikush që ishte mësues, atë ditë u nis me shërbim në Mes, dikush tjetër në një vend tjetër, vetëm e vetëm që të mos takoheshim me kosovarët. E palogjikshme sepse nuk ishim armiq të tyre. Mua më rastisi që atë ditë të isha me pushime në Durrës me familjen time. Ekipi kosovar kishte mbërritur në këtë qytet dhe sportistët kishin dalë për të parë. Rastësisht unë takon Smajl Pejën, një nga volejbollistët më të mirë të Kosovë, vëllain e këngëtarit Ismet Peja, i cili na kishte pritur në mënyrë të shkëlqyer në shtëpinë e tij. më pa, më përqafoi dhe menjëherë më pyeti: “Viktor, pse nuk duhet të luajmë me Vllazninë ne? Pse nuk duhet të takoj miqtë e mi të mirë Xhelal Haxhin dhe Ali Bushatin? Unë u mundova t’i gjejë ndonjë justifikim por ai e kishte shumë të qartë çfarë kishte ndodhur. Njerëzi e tij në Shkodër ia kishin thënë të gjitha çfarë kishte ndodhur”.

Vllaznia e volejbollit 1971
Haxhi, Fistani, Bakalli, Paloka, Bushati, Jubani, Gjonaj, Sterkiq.

Turneu I ekipit të volejbollit të Vllaznisë në Kosovë ka zgjatur nga data 1-10 qershor. Ajo çfarë të bën përshtypje është se në mediat e asaj kohe, ky “turp” I këtyre sportistëve, nuk përmendet fare. Nuk ka asnjë rresht të shkruar për të. Mjafton të lexosh atë çfarë shkruante gazeta “Sporti Popullor” 5 ditë pas kthimit të ekipit në Shkodër.

Në reportazhin e gazetës “Sporti Popullor” të datës 15 qershor 1971, të gazetarit Rifat Uruçi që kishte shoqëruar ekipin në Kosovë, ndër të tjera shkruhej:
“…Turneu I volejbollistëve të Vllaznisë u mbyll me banketin e lamtumirës që shtroi Lidhja e volejbollit e krahinës dhe organizata fiskulturale e qytetit të Prishtinës. Në këtë pritje të bukur, gazmore, që kalon në një atmosferë vëllazërore, ishin ftuar edhe artistët më të mirë, mes të cilëve edhe këngëtarja e njohur në vendin tonë Nexhmije Pagarusha.
Për të gjithë ne, pjestarët e ekipit, ditët e qëndrimit në Kosovë do të mbeten të paharruara, si një aspekt I bukur sportiv, si një simbol dashurie të madhe që ushqen vëllau për vëllaun…”

Dallohet qartë mikëpritja e madhe, dashuria me të cilën janë pritur e përcjellur shkodranët. Askund nuk ka asnjë fjalë për gjestet antisportive apo ato të tjerat për të cilat u ndëshkuan ekipet e Vllaznisë. Madje dënimi nuk përmendet kund as një muaj më vonë. Saktësisht duke iu referuar sërish gazetës “Sporti Popullor të datës 13 korrik 1971, në faqet e saj shkruhet:
“… Në Kupën Uefa do të konkurojnë 64 skuadra të ndara në 8 grupe. Vendi ynë konkurron me Vllazninë e Shkodrës si skuadër fituese e vendit të tretë…. Ajo do ndeshjet me Rapidin e Vjenës më 15 dhe 29 shtator ”.

Një muaj prapa nuk ka dënim. Vllaznisë së futbollit I bie të luajë me Rapidin e Vjenës por ëndërra e madhe nuk realizohet.

Futbolli më I prekuri
Ekipet shqiptare kishin filluar të merrnin pjesë në Kupat e Europës në vitin 1968. Për Vllazninë, viti 1971 ishte rasti I parë. Të gjithë ishin të entuziasmuar. Përgatitjet kishin filluar prej kohësh dhe pritej vetëm shorti për të mësuar kundërshtarin. Ai është shumë interesant: shkodranët do përballen me Rapidin e Vjenës. Por nuk do ndodhë kështu. Urdhëri vjen nga lart. Edhe futbolli e ka pësuar nga “gabimi” I volejbollistëve në Kosovë. Në fakt, askush nuk mund të na shpjegojë çfarë lidhje kishte volejbolli me sportet e tjera por dënimi është kolektiv. Vllaznia e futbollit nuk do marrë pjesë as në vitin  1972, as më 1973 dhe as më 1974. Një humbje e madhe për një brez të tërë sportistësh të cilët asnjëherë nuk patën mundësinë për të realizuar ëndrrën e tyre të madhe për të luajtur qoftë edhe njëherë në Europë. Dhe emrat e tyre nuk janë të paktë dhe as të panjohur por as më shumë dhe as më pak janë Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Hajrullah Lekaj, Lekë Koçobashi, Rauf Çanga, Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Selami Dani etj.