Në ndeshjet e djeshme, që kanë qenë të vlefshme për javën e 19-të të kategorisë së parë, katër ekipet e Veriut që janë pjesmarrëse në këtë kategori, kanë arritur të marrin vetëm katër pikë. Konkretisht, tre pikë janë marrë nga Burreli i drejtuar nga trajneri Elvis Plori që në fushën e tij ka mundur pastër Vlorën me rezultatin 3-0. Pika tjetër është marrë nga Kukësi në transfertën e Fushë- Krujës me  Ilirinë vendase teksa është fiksuar rezultati 2-2. Ky barazim i ka prishur jo pak punë kukësianëve të cilët kanë pretendimet e tyre për vendin e dytë në mënyrë që të kalojnë direkt në Superligë pa patur nevojën e ndeshjeve shtesë.

Dy skuadrat e tjera të Veriut, pikërisht Ada dhe Besëlidhja kanë dalë të mundura nga ndeshjet e tyre të rradhës. Ada ka luajtur në Gramsh ndaj vendasve dhe është mundur 1-0 me një penallti që gjyqtari Cjapi ka dhënë në minutën e 70-të kundër tyre. Ky rezultat ka bërë që velipojakët tashmë të mos jenë më të qetë në renditje teksa e shohin veten duke rënë gjithmonë e më poshtë. Nga ana tjetër, edhe Besëlidhja është mundur me të njëjtin rezultat 0-1 në Gjirokastër nga Luftëtari. Ndonëse lezhjanët kanë luajtur mirë, kjo humbje mund t’i penalizojë ata në rrugën e tyre drejt Superligës.
www.shkodrasport.com