Në fillim të viteve 90′ në “Loro Boriçi” një djalë i ri do na shfaqej si një disk fluturues. Me një shpejtësi për tu admiruar e triblime akrobatike shpejt do rrëmbente zemrat e të gjithëve e do fitonte një vend titullari tek Vllaznia. Atëherë futbolli ishte real, i vërtetë dhe një vend mes më të mirëve nuk ishte aspak i lehtë për tu arritur. Me punë e shumë vullnet ai nuk do shumë kohë për tu bërë i pazëvendësueshëm. Një nga ata që përfaqësonte futbollin e vërtetë shkodran. Lojën e bukur e të pastër. Aq mjaftoi që Tirana të kërkonte me ngulm shërbimet e Auron Milotit që nga ana tjetër po çmendte një Shkodër të tërë. Bardheblutë arrijnë ta marrin në strofkullën e tyre për 3-4 vite. Atëherë kur ishte pjekur e ishte formuar tërësisht si futbollist bën një rikthim të bujshëm për kohën në Shkodër, tek Vllaznia ku u rrit. Në ato vite në një moshë të vogël nuk duroja deri sa vinte e shtuna për të kaluar pasditen në stadium sepse mes tjerëve luante edhe Auron Miloti. Nuk isha veç unë. Me mijëra u bënë ata që admironin lojën e bukur të shkodranit. Një sulmues tipik që nuk falte. U kthye në një benjamin për tifozët kuqeblu aq sa edhe pse kanë kaluar mëse 12 vite akoma nuk e kanë harruar, përkundrazi e kujtojnë më shumë nostalgji dhe çdo herë urojnë që futbollistë si ai të jenë me shumicë në radhët e kuqebluve. Ashtu si pjesa më e madhe e futbollistëve të talentuar të asaj kohe do merrte një ftesë nga një skuadër jashtë Shqipërisë. SV ëörgl e Austrisë e merr në gjirin e saj shkodranin i cili për vite me radhë do qëndronte atje teksa do luante edhe tek ekipet e Lask Linz e SV Feldkirchen duke u aktivizuar me sukses. Njëherë provoi edhe të thirrej në Kombëtare në vitin e largët 1995. Kështu dalë nga dalë Miloti do linte vend për të tjerë emra në Shkodër si Salihi, Lika, Teli, Beqiri e tjerë me radhë. Megjithatë ai asnjëherë nuk e harroi Shkodrën edhe pse ka preferuar të qëndrojë larg zhurmës së përditshme sportive. Sot ai rikthehet për të gjithë ata që ende nuk e kanë harruar dhe e kujtojnë me nostalgji. Rikthehet me një intervistë ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com teksa na sjellë në vëmendje edhe njëherë Vllazninë e atëhershme, emocionet, kohët kur stadiumi “Loro Boriçi” mbushej plot e për plot e kur futbolli luhej me zemër.

-Miloti kohë e gjatë larg Shkodrës, larg Shqipërisë.E vështirë apo jo?

Në fillim ka qenë e vështirë. Tani jo dhe aq. Kam krijuar familjen dhe shoqerinë këtu por sido që të jetë kam mall për prindërit, shoqërinë e vjetër dhe qytetin ku unë kam lindur, Shkodrën.

-Rininë e hershme e keni kaluar në Shkodër, ju mungon, keni ende nostalgji apo gjithçka e ka rekuperuar Austria?

Kam shumë nostalgji për kohën që kam kaluar dhe jetuar në Shkodër. Janë vite të paharrueshme për mua.

-Cila është jeta e Milotit aktualisht, cilat janë angazhimet dhe si e kaloni një ditë normale?

Jetoj në Austri në një qytet të vogël (Feldkirchen ) afër Klagenfurt. Jam i martuar dhe kam dy vajza. Kam hapur një lokal që quhet “Kafe Milo”. Gjithashtu nuk jam shkëputur nga futbolli i luajtur sepse jam pjesë e një skuadre në Kategorinë e 4-t të Austrisë.

-Kur të gjithë të deshën tek Vllaznia, papritmas u larguat, jeni penduar apo bëtë zgjedhjen e duhur?

Nuk jam penduar sepse atëherë realizova një ëndërr timen. Dëshiroja të luaja jashtë Shqiperisë dhe ia arrita qëllimit ndaj nuk kam pse të pendohem.

-Ju keni luajtur me emra të njohur si Avenir Dani, Hysen Dedja, Astrit Premçi, Edi Martini, Suad Lici, Armando Cungu, Gjergj Shllaku, Alban Noga, Uliks Kotrri, Luan Zmijani, Entri Caku e ndonjë tjetër. Keni ende kontakte me shokët tuaj të Vllaznisë së atëhershme. Nëse po cilat janë bisedat tuaja?

Kam shumë kontakte me Entri Çakun dhe Uliks Kotrrin ndërsa me shokët e tjerë takohem kur vij në Shkodër. Me Entrin flas më shumë për futbollin në Shkodër.

-Po me drejtuesit aktual të skuadrës, qoftë stafin teknik apo krerët më të lartë keni ndonjë kontakt, nëse po për çfarë flisni?

Jo, nuk kam.

-Çfarë ndryshon mes Shqipërisë dhe Austrisë sipas jush në aspektin sportiv?

Ndryshojnë shumë gjëra por më e rëndësishmja dhe që përfshin gjitha do thoja është profesionaliteti. Në Shqipëri besoj që ende mungon.

-Besoj i keni ndjekur zhvillimet sportive në Shqipëri, me një sy të ftohtë nga koha kur ju u larguat ka ndonjë përmirësim apo hap të madh përpara apo ende jemi në vendnumëro?

Ka përmirësim. Të paktën kur e krahasoj me kohën time them që tani stadiumet, fushat stërvitore apo të ekipeve të moshave janë në gjëndje më të mirë se më përpara dhe kjo është pozitive. Megjithatë ka ende shumë punë për të bërë.

-Nga pikëpamja juaj çfarë i mungon futbollit shqiptar sot, çfarë duhet rregulluar në mënyrë që Kombëtarja por edhe skuadrat të kenë sukses e të arrijnë të kualifikohen në kompeticionet e rëndësishme?

I mungojnë fitoret ekipeve. Për për të arritur deri aty siç thashë është profesionaliteti dhe disa faktorë tjerë që duhen përmirësuar në vendin tonë sepse talentet dhe futbollistët cilësorë nuk mungojnë.

Për të folur pak për Vllazninë tuaj, Vllazninë e të gjithëve. 11 vite pa fituar një titull Kampion. E meriton Shkodra këtë. Cili do ishte komenti juaj ?

Natyrisht që nuk më vjen mirë. Vllaznia e meriton një titull Kampion sepse ka tifozët dhe futbollistët më të mirë në Shqipëri. Shpresoj që sa më shpejt në Shkodër të ketë një trofe të tillë sepse ata tifozë padyshim që e meritojnë.

-Nga Shkodra gjatë këtyre viteve kanë dalë futbollistë cilësorë por sot thuajse asnjë prej atyre nuk luan me Vllazninë. Lika e Bala kontribuojnë tek Tirana, Vucaj tek Laçi, një sërë shkodranësh tek Besëlidhja apo Luftëtari pa përmendur Vajushin në Bullgari apo Sukaj në një Kampionat si ai i Iranit. Nga ana tjerë çdo sezon vijnë futbollistë të huaj që nuk lënë asnjë shenjë veç marrin miliona lekë. Ju duket e drejtë ?

E thashë edhe më përpara që Shkodra ka futbollistët më të mirë në Shqipëri. Megjithatë çdo lojtar është i lirë të zgjedh rrugën e tij futbollistike. Do më vinte mirë që këta të ishin pjesë e Vllaznisë por edhe pse nuk janë nuk duhen gjykuar.

-Në verën e vitit të kaluar Valter Fushaj dha dorëheqjen, i detyruar nga klima aspak e mirë e krijuar nga Bashkia Shkodër që më pas u bë pronare “de facto” e Vllaznisë. Mundet që një Bashki të drejtojë një skuadër futbolli. Si do gjykohej në mjedisin austriak?

Po edhe mundet por jo shumë shpesh. Një Bashki të drejtojë një skuadër futbolli. Ndryshimi është te mënyra dhe se sa funksionojnë gjërat ashtu siç duhet. Nëse në Shkodër funksionimi është i rregullt dhe i duhur, atëherë nuk ka problem nëse jo atëherë duhet ndryshuar në të mirë të futbollit.

-Mendoni se ka ardhur koha për privatizim total të skuadrave shqiptare dhe politika ti mbaj duart larg futbollit si një mundësi e mirë për tu afruar me standartet e Anglisë e vendeve tjera të Perëndimit?

Privatizimi besoj dhe mendoj se është mundësia më e mirë për të ecur para futbolli edhe në Shqipëri. Shpresoj që kjo të ndodhë tek ekipet shqiptare sa më shpejt të jetë e mundur sepse do të sheshonte shumë probleme.

-Kohët e fundit ka patur “trazira” në kampin shkodran. Vata, trajneri që erdhi me aq bujë, u largua siç thonë anglezët si person “wanted” nga drejtuesit e Vllaznisë. Më parë një “çorbë” e tillë edhe me Mirel Josën e Elvis Plorin. U bënë kurban edhe koka si Vajushi e Sukaj. Gjithmonë fajin e kanë lojtarët e trajnerët ? Si është kjo punë?

Të gjitha këto gjëra ndodhin kur nuk fitohen ndeshjet dhe kur nuk arrihet suksesi i duhur e kur skuadra është jashtë objektivave. Tashmë është bërë modë në futbollin tonë heqja e trajnerëve kur nuk fiton ekipi.

-Ky ka qenë ndër sezonet më të këqinj për Vllazninë. Si e keni përjetuar, mund të ishte bërë diçka më shumë?

Këtë sezon ta harrojmë të gjithë. Vjen sezoni i ri dhe për këtë duhet bërë diçka më shumë që Vllaznia ta fitojë titullin Kampion. E dëshiroj këtë gjë.

-Dikur, kur luanit me ngjyrat kuqeblu shpesh emri yt brohoritej nga mijëra tifozë kuqeblu. Si i kujtoni ato kohë? Ka diçka që ju ka mbetur pishman?

Kam dalë kampion dhe kam fituar kupën me Tiranën. Edhe këtu kam dalë kampion me ekipin ku luaj, por me qytetin, tifozët dhe ekipin tim të zemrës, Vllazninë nuk e kam arritur këtë gjë ndaj më ka mbetur shumë pishman.

-Veç modelit të gjatë të flokëve, mjekrës së zgjatur e pantollave kauboj, çfarë ndryshon nga Vllaznia e Milotit, Premçit, Nogës, Licit, Martinit, Cungut, kësaj pjelade të mrekullueshme me këtë Vllazninë e sotshme ?

Nuk e besoj se ka ndonjë ndryshim të madh. Thuajse është e njëjta situatë vetëm paksa më e moderuar tani.

-Një tjetër kuriozitet. Ndryshe nga miqtë tuaj, ju nuk jeni shfaqur shumë aktiv. Keni preferuar të qëndroni në qetësi dhe në heshtjen tuaj ti ndiqni e analizoni gjërat. Pse keni bërë këtë përzgjedhje?

E vërtetë është. Ka ndodhur kështu sepse kam qenë larg Shqipërisë dhe kur nuk je në brendësi të ngjarjeve e zhvillimeve nuk mund të jesh edhe aq aktiv.

-Ju shqetëson fakti që ndryshe nga koha kur luanit ju sot stadiumi i Shkodrës është i boshatisur. Si mendoni ka humbur interesi per Vllazninë apo ka diçka tjetër ?

Nuk e imagjinoj dot Vllazninë pa tifozët e saj në stadium. Nuk e besoj që ka humbur interesi por situata e Vllaznisë këtë sezon mund ti ketë larguar. Nëse sezonin tjetër ndërtohet një ekip pretendent keni për të par që stadiumi do jetë i mbushur.

-Ka shanse ta shohim Milotin në të ardhmen në një angazhim sportiv në Shqipëri, pse jo te Vllaznia juaj e dashur?

 

Ndoshta mund të vij ndonjë ditë për të fituar titullin kampion me Vllazninë, tashmë jo si lojtar por si trajner i ekipit.

-Me interes nga ju do ishte një mesazh qoftë per aktualët që bëjnë sportin e futbollin por edhe për brezat e rinj?

Të japin maksimumin për ta ngritur sa më lart emrin e futbollit si në Shqipëri por edhe jasht saj kudo që luajnë. Me punë, vullnet e dëshirë arrihet gjithçka ndaj asgjë nuk është e pamundur, vetëm duhet të përpiqesh maksimalisht.

-E dini që ka tifozë që akoma nuk ju kanë harruar. Me endje kujtojnë hapin tënd të shpejtë, triblimet spektakolare po ashtu edhe tundjet e rrjetës të kundërshtarëve. Keni diçka për t’i thënë?

Janë tifozët më të mirë në Shqipëri dhe janë në zemrën time.

-Një merak i fundit Miloti?

Patjetër. Asgjë më shumë se uroj Vllazninë të fitojë titullin Kampion sezonin e ardhshëm dhe ashtu me radhë.

-Faleminderit që u rikthyet për publikun shkodran e më gjërë. Ju urojmë suksese kudo në jetën tuaj.

Ju falenderoj edhe juve për intervistën dhe gjithë spordashësit shkodran kudo që ndodhen.

Intervistoi: Senad NIKSHIQI