Klodian Duro dhe Kristian Dragoi janë shumë pranë firmës me skuadrën e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm futbollistik. Mesfushori Duro pret vetëm të përfundojë aventurën evropiane me Tiranën, ndërsa nga sa mësohet u ka dhënë një përgjigje pozitive drejtuesve shkodranë, të cilët nuk e shikojnë të udhës për ta bërë publike nga ana e tyre. Kjo pasi lojtari ka ende një kontratë dhe pas përfundimit të takimeve të Ligës së Evropës do t’i japë fund me ekipin e Tiranës.

Ndërkaq, të njëjtat burime kanë konfirmuar se krerët e Vllaznisë dhe homologët tiranas në bisedat e tyre nuk kanë pasur si qëllim vetëm emrin e Balës për një kalim të tij në Shkodër, por edhe emrin e fantazistit Klodian Duro. Ky i fundit mesa duket ketë herë do të vijë në Shkodër, jo për të qenë në rolin që di të bëjë më mirë, por në atë të gjysmësulmuesit. Kjo pasi në këtë repart njerëzit që po operojnë në merkato ende nuk po gjejnë asnjë prej dy lojtarëve që presin për repartin ofensiv. Ardhja e Deliçit, një lojtar ky fantazist krijoi bindjen se shkodranët do të hiqnin dorë prej Duros, por drejtuesit vijojnë të këmbëngulin për të pasur shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht moshës së tij, fantazisti shikohet si një nga afrimet më me vlerë që klubi kërkon të bëjë në këtë pragsezoni të ri. Për më tepër tifozëria shkodrane e ka mirëpritur që në çastin e parë interesimin që drejtuesit e klubit kanë shprehur për këtë lojtar. Kështu rikthimi i futbollistit në Shkodër është thjesht çështje ditësh.
Dragoi Kristian Dragoi është një tjetër lojtar që pritet të hedhë firmën e tij për shkodranët. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët kanë pohuar se është arritur akordi me lojtarin në fjalë. Mirëpo, firma e tij është shtyrë për në fillimin e javës së ardhshme, e cila përkon edhe me startin e fazës përgatitore të ekipit të Vllaznisë. Pas Deliçit dhe Nallbanit, të cilët firmosen kontratat e tyre para disa ditësh, Dragoi do të jetë mesfushori i tretë në këtë skuadër për edicionin e ardhshëm. Kësisoj, këtë vit Vllaznia do të ketë një mesfushë krejt tjetër. Megjithatë, të gjitha këto janë vetëm të hedhura në letër, pasi fusha e stërvitjes do të bëjë që tekniku Shpëtim Duro të vendosë për emrat që do të preferojë në çdo repart.
Admir Uruçi