Pas Elvis Plorit, një tjetër shkodran bëhet trajner i skuadrës së Burrelit. Ai është Fatjon Hasani. Emërimi është bërë para pak ditësh dhe madje, trajneri i ri ka nisur nga puna. Në fakt duket një zgjedhje shumë e veçantë për këtë skuadër sepse kemi të bëjmë me një trajner të ri në moshë që sapo e ka nisur trajnimin. Ai e nis në këtë mënyrë karrierën në një mënyrë të shkëlqyer duke marrë përsipër drejtimin e një skuadre të kategorisë së parë. Hasani si futbollist ka luajtur më parë me Vllazninë, Adën e Tërbunin por për arsye dëmtimesh të shumta është detyruar ta ndërpresë atë para kohe. Tek Burreli tashmë ai me shumë mundësi do marrë me vete edhe disa futbollistë shkodranë. Ata të sezonit të kaluar, Lekaj, Pirani e Rahova duket se do mbesin sërish pjesë e kësaj skuadre dhe madje atyre mund t’u shtosh edhe të tjerë.I pari që ka mbërritur është mesfushori i Adës Bledar Murati. Ai dje ka qenë në stërvitje me skuadrën matjane dhe në ditët e ardhshme do shihet nëse do qëndrojë apo jo aty. Bashkë me të mund të mbërrijnë në Burrel edhe të tjerë futbollistë nga Ada e Veleçiku.
www.shkodrasport.com