Trajneri shkodran Elvis Plori pas përvojës me ekipet e Vllaznisë dhe atë të Burrelit në sezonin e fundit, ka vendosur të nisë një karrierë të re. bëhet fjalë për një karrierë jashtë vendit dhe pikërisht në Maltë. Ai ka udhëtuar dy ditë më parë drejt këtij vendi ishullor teksa ka rënë dakord dhe shumë shpejt do fillojë nga puna për të drejtuar ekipin nënkampion të këtij vendi- Floriana. Kjo skuadër para pak ditësh, si skuadra e vendit të dytë mori pjesë në Europa League teksa u ndesh me suedezët e IF Elfsborg dhe i humbi të dyja thellësisht me rezultatet 8-0 dhe 4-0.

Pikërisht këto rezultate bënë që drejtuesit e klubit të vendosin për shkarkimin e trajnerit aktual të saj. Ideja e emërimit të Plorit në këtë post ka dalë krejt papritur dhe drejtuesit e Florianës I kanë besuar moshës së re të trajnerit dhe përvojës së tij shumë positive me ekipet e moshave të Vllaznisë. Prezantimi i Plorit si trajner i Florianës pritet të bëhet zyrtarisht ditën e sotme pas një mbledhje të jashtëzakonshme që kanë kërkuar drejtuesit e lartë të klubit për të shpallur emërimet e reja dhe ndryshimet e tjera që do bëhen në klub. 34 vjeçari shkodran do ketë kësisoj një përvojë shumë pozitive.  Ky sigurisht që është një sukses për këtë trajner. Mosha e tij e re dhe për më tepër, emërimi në këtë post tek njëra nga skuadrat më të mira të Maltës, natyrisht që do jenë shumë positive për karrierën e tij në të ardhmen. Plori para nisjes nuk ka dashur të flasë për këtë emërim të ri megjithatë sigurisht pas zyrtarizimit do ketë edhe prononcime të tij. Ai përpara se t’i thotë “po” ofertës së Florianës, ka qenë shumë pranë emërimit në disa pankina shqiptare teksa ka qenë si alternativë për trajner tek Besa, Besëlidhja ndërkohë që tek Olimpiku ka patur një ofertë për të qenë një nga drejtuesit më të rëndësishëm të të gjithë klubit. Ai nuk ka zgjedhur asnjërën prej tyre sepse ka dëshiruar të shkojë më larg, në Maltë për të nisur në këtë mënyrë një përvojë të re.

 

Gjergj KOLA