Ekipi i Adës së Velipojës ditën e djeshme ka zyrtarizuar drejtorin e ri teknik. Ai është një emër tashmë i njohur për komunitetin e futbollin në Shkodër dhe më gjerë. Elvis Plori, pasi ka provuar të jetë i suksesshëm me ekipet e moshave të Vllaznisë, si trajner i dytë me skuadrën e parë, pastaj edhe me suksesin e arritur së fundmi me Burrelin, të cilin e shpëtoi të mos binte nga kategoria, tani ka marrë në dorë fatet e skuadrës velipojake.

Ai do të jetë drejtor teknik te Ada, për t’i shërbyer asaj jo vetëm te skuadra e parë, por edhe te ekipet e moshave, apo edhe te skuadra e femrave. Konfirmimi për këtë post vjen presidenti Alfred Pjetri, që ka kërkuar të forcojë radhët e klubit të tij me të tjerë profesionistë. Plori zëvendëson në këtë detyrë një tjetër emër të njohur të futbollit shkodran, pikërisht Safet Osjen, i cili pak ditë më parë është bërë pjesë e akademisë së futbollit “Vllaznia. Në fakt Elvis Plori pak ditë më parë pati udhëtuar drejt Maltës për të nisur atje një aventurë të re, ku edhe u prezantua me ekipin e tij të ri. Por siç duket mos plotësimi i disa kërkesave të tij, në aspektin financiar, nga drejtuesit e klubit maltez, bënë që ai të rikthehej edhe një herë në Shkodër. Menjëherë ka gjetur gati ofertën, e cila, për hir të së vërtetës, i ishte bërë edhe më parë, por ai pati preferuar fillimisht Maltën. Gjatë kësaj periudhe emri i tij u lakua shumë edhe te Besëlidhja apo te Olimpiku i Tiranës, por në fund, ka zgjedhur Velipojën, një ambient që e njeh mjaft mirë, duke gjetur aty edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, në kohët më të mira, si trajneri i parë i velipojakëve Samuel Nikaj.
Gjergj KOLA