Mund të duket e çuditshme por është mëse e vërtetë. Elvis Plori ka qenë i planifikuar të emërohej në postin e drejtorit të Akademisë Vllaznia por në momentet e fundit diçka ka ndryshuar dhe kjo gjë nuk është realizuar. Për rrjedhojë, ditën e sotme në vend të Agim Medjes është emëruar Ismet Hoxha. Sigurisht që nga kjo gjë Plori është dukur tejet i zhgënjyer sepse ai gjatë këtyre ditëve është takuar 2-3 herë me nënkryetarin e Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani, madje edhe me kryebashkiakun Lorenc Luka dhe të dy ata që e kishin thirrur vetë në takim, i kanë premtuar se në fillim të tetorit do niste punë.

Dy zyrtarët e lartë të Bashkisë Shkodër por edhe të klubit Vllaznia i kanë kërkuar Plorit një projekt për mënyrën si ai e mendonte drejtimin e punëve por çdo gjë ka shkuar dëm. Për këtë ofertë që kishte ai kishte refuzuar edhe pankinën e Besëlidhjes sepse një javë më parë presidenti i kësaj skuadre Gjokë Noka ia kishte ofruar atë pas shkarkimit të ish-trajnerit Sokol Meta. Plori ka qenë dakord të hiqte dorë edhe nga detyra e drejtorit teknik tek Ada vetëm që të ishte në krye të Akademisë Vllaznia por gjërat kanë ndryshuar. Zhvillime të çuditshme megjithatë kanë ndodhur dhe këtyre gjëra askush për momentin nuk po i jep një përgjigje. Elvis Plori ka qenë një nga trajnerët më të spikatur të kësaj Akademie vitet e fundit dhe ka punuar për një periudhë kohe edhe si zëvendëstrajner tek ekipi i parë i Vllaznisë ndërkohë që fazën e dytë të sezonit të kaluar ka drejtuar ekipin e Burrelit. Megjithatë të gjitha këto nuk kanë mjaftuar që ai të ishte sot drejtori i Akademisë Vllaznia.
www.shkodrasport.com