Emërimi në krye të Akademisë Vllaznia ka qenë vetëm një hap larg për të megjithatë kjo nuk ka ndodhur. Elvis Plori ndjehet pak i zhgënjyer nga ajo por nga ana tjetër, ka vendosur të flasë. Të thotë se çfarë ka dashur të sjellë të reja tek kjo Akademi, çfarë nuk po shkon mirë dhe shumë gjëra të tjera. Ish- pjestari i Vllaznisë që ka nisur nga sot punën si trajner i ekipit të Burrelit, ka folur gjerësisht në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa për të gjitha këto detaje që kanë të bëjnë me të rinjtë shkodranë, ata që ai ka aq shumë për zemër. Ja intervista e plotë e tij:

 

-Plori, pak dite me pare klubi Vllaznia beri nje deklarate per FSHF-ne per mosgrumbullimin e asnje futbollisti te saj ne ekipet kombetare U-17 dhe U-19. Si e gjykoni nje veprim te tij?

– Vllaznia e ka fajin vetë për mospromovimin aq sa duhet të futbollistëve të saj. Mjafton të shohim ekipin e parë dhe kuptohet qartë kjo gjë.Strategjia e klubit Vllaznia është të mendojë për momentin që të kapë ato objektiva që ka dhe kaq. Nuk është duke menduar kush për t’i fituar ato lojtarë që të jenë pjesë e rëndësishme e saj në të ardhmen por edhe për ekipet kombëtare. Kjo është një fatkeqësi për këta djem që stërviten në Shkodër sepse janë duke shpenzuar shumë para, me idenë për t’u stërvitë dhe për t’u ba sportista dhe nuk është duke ju dhanë dora. Pasojat për këtë do shihen më tepër në vitet e ardhshme.
-Cila ka qenë rruga që ka ndjekur Plori kur ka qenë trajner tek Akademia Vllaznia për të çuar futbollistët e tij në ekipet kombëtare të moshave?
-Unë kam ndjekur një rrugë më të lodhshme por që më ka dhënë sukses. Duke qenë trajner i një ekipi kampion, kam trokitur në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kam kërkuar ndeshje miqësore me kombëtaret e moshave. Në fillim hasa në pak rezistencë por më pas gjërat ndryshuan. Në tre vite që unë kam qenë tek Akademia Vllaznia, kam zhvilluar 9 ndeshje miqësore me kombëtaret U-17, U-19 dhe U-21. Duke luajtur përballë këtyre ekipeve, trajnerët e tyre kishin mundësi të evidentonin edhe lojtarë shkodranë që spikasnin me vlerat e tyre dhe për rrjedhojë i thërrisnin në kombëtare. Dhe kanë qenë jo pak por nga 6 futbollistë çdo vit. Unë kam patur edhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për këtë gjë, por edhe të drejtën morale për të kërkuar këtë të drejtë për futbollistët e mi.
-Ju mendoni se tek Vllaznia aktualisht nuk po punohet në këtë mënyrë?
-Vllaznia aktualisht nuk e ka shumë mendjen tek promovimi i elementit të ri. Ajo është përqendruar tek puna për kapjen e objektivave me skuadrën e parë. Në rradhët e saj është një futbollist si Guri që ka qenë pjesë e kombëtares U-17, U-19 dhe është afër asaj U-21. Ai shënon dy gola në një ndeshje kupe dhe në vend që të promovohet ngaqë skuadra është në krizë për sulmues, nuk i jepet dora aq sa duhet. Dhe kur nuk ia jep dorën vetë Vllaznia, si mund t’u kërkosh llogari trajnerëve të ekipeve kombëtare për mosgrumbullimin e tyre.
-Vllaznia në fakt është shquar për disa të rinj vitet e fundit. Tashmë mendoni se nuk ka një brez të mirë?
-Ka patur dhe ka lojtarë të mirë gjithnjë. Nëse Bala, Hasani e ndonjë tjetër kanë ardhur tek ekipi i parë që 16 vjeç, kjo do të thotë se ata janë evidentuar për vlerat e tyre. Sot mund të ketë edhe të tjerë por klubi nuk duhet të heqë dorë prej tyre. Vllaznia aktualisht duhet t’u krijojë disa lehtësira financiare atyre lojtarëve që shihen si të talentuar dhe të perspektivës. Kështu pat ndodhur edhe në periudhën kur unë kam qenë trajner pranë kësaj Akademie. Ia thashë propozimin tim ish-presidentit Valter Fushaj dhe ai e miratoi, çka bëri që të gjithë lojtarët të cilët ishin pjesë e ekipeve kombëtare, nuk paguanin tarifën mujore në klub dhe po ashtu edhe lojtarët që stërviteshin me ekipin e parë.
-Plori, pak ditë më parë u bë punë e kryer emërimi juaj në krye të Akademisë Vllaznia. Çfarë ndodhi më pas që kjo nuk u konkretizua?
-Unë kam patur kontakte me nënkryetarin e Bashkisë, z. Troshani dhe kam patur një formë konfirmimi nga ana e tij. I kam paraqitur atij një projekt por që nuk u realizua dhe po e shoh se në Shkodër është e vështirë t’i realizosh ato çfarë kisha unë në projekt.Ndërtova një strategji timen se si mendoja të punoja tek Akademia Vllaznia dhe kjo ndoshta ishte arsyeja që nuk u bë ky emërim ngaqë drejtuesit e Bashkisë mund të mos jenë bindur nga projekti im. Akademia duhet të jetë me financa jashtë klubit Vllaznia, duhet të jetë e lidhur vetëm me Bashkinë Shkodër sepse është një investim që bëhet për familjet e këtij qyteti.Nëse do isha unë në krye të Akademisë, nuk do kishim më 30 fëmijë në një ekip sepse kjo do të thotë t’i fusësh dorën në xhep qytetarëve shkodranë. Duhet të jemi të qartë. Në një ekip 12 apo 15 vjeçarësh, trajneri paguhet 250 mijë lekë të tjera ndërsa 30 fëmijë paguajnë dhe mblidhen 900 mijë lekë. Paguhet trajneri dhe 650 mijë lekë të tjera duhet të jenë në arkën e Akademisë për t’i investuar sërish tek këto fëmijë, duke u çuar një trajner tjetër apo duke u plotësuar më tepër kushte. Përpos kësaj, tek Akademia duhet të ekzistojë një sistem kompjuterik me të gjitha të dhënat e fëmijëve, që nga mosha 10 vjeç dhe deri 19 vjeç, për të parë progresin e tij, rritjen e tij. Këto janë gjëra mëse normale në botë por duhet patjetër që të hyjnë edhe këtu.
-Ju vjen keq që ky projekt juaj nuk mori zbatim tek Akademia Vllaznia?
-Në fillim kam qenë shumë i zhgënjyer por me kalimin e ditëve, u mësova dhe e kuptova se botën s’mund ta ndryshojë unë i vetëm apo pak njerëz. Ndryshimi duhet filluar që në krye dhe duhet vazhduar deri poshtë. Tashmë kam nisur një përvojë të re tek Burreli dhe kuptohet që jam i përqendruar tek ajo.
Intervistoi: Gjergj KOLA