Opinion nga Alban Hasani

Erdhi momenti ta analizojmë ecurinë e Vllaznisë dhe sigurisht që nuk më vjen mirë kur e shoh në këtë gjendje. Por nëse kthehemi prapa në kohë, unë e kam thënë që në fillim të sezonit se skuadra shkodrane rrezikon të bjerë nga kategoria. Kur e deklarova unë këtë, shumëkush e mori me buzëqeshje.Në fakt nuk është kështu dhe koha e vërtetoi këtë. Nga Superliga bien 4 skuadra këtë sezon. Në skuadër kanë ardhur 12 futbollistë dhe kuptohet që ata duan kohën e vet të harmonizohen. Javët ikin e po ashtu edhe pikët dhe është e vështirë të kapësh më veten. Dyshimet e mia për këtë Vllazni kanë qenë që në fillim. Ta nisim që nga trajneri. Në Shkodër kemi luksin të kemi katër trajnera me liçensa nga më të mirat në qarkullim si Artan Bushati, Hysen Zmijani, Armando Cungu, Elvis Plori e Samuel Nikaj. Kemi disa vite që u besojmë trajnerëve joshkodranë dhe kjo nuk po jep efektin e vet. Të kapim edhe trajnerin aktual, Duron i cili konsiderohet në opinion si një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Që në momentin kur sheh që ai e zhvillon fazën përgatitore të verës në Shkodër, në 40 gradë temperaturë, konstaton se nuk ka shumë seriozitet në punë. Trajneri, mjeku, gazetari dhe çdo profesionist tjetër, nëse nuk e ka pasion punën e tij, nuk mund të ecë përpara. Nëse një trajner apo një lojtar vjen vetëm për anën financiare, ajo sigurisht që do dështojë shumë shpejt. Fajin në këtë mes e kanë edhe drejtuesit e klubit. Ata nuk është dashtë ta lënë trajnerin Duro të bëjë merkaton. Ka qenë ky trajner që largoi nga skuadra Gocajn, një lojtar nën kontratë trevjeçare me Vllazninë dhe që luan në tre- katër pozicione në fushë, një lojtar tip Suad Lici i dytë dhe e lejon të largohet atë se nuk  i pëlqen trajnerit. Kemi pasë Sykajn stoper nën kontratë, e lëshojmë edhe atë, kemi pasë Hasanin nën kontratë, e lëshojmë edhe atë dhe na e merr krejt falë Liteksi. Vllaznia nuk e ka luksin t’i largojë këto lojtarë. Ajo nuk e ka luksin me heq Gocajn dhe me marr Begajn, kemi marrë një mbrojtës si Osmani që luan një vit këtu, një vit aty. Kemi marrë krejt mesfushën dhe jemi kthyer sërish tek dyshja Belisha- Nallbani që ka katër vjet që luan aty. Pra, jemi kthyer katër vjet prapa.E kam thënë dhe e përsëris, problemin më të madh Vllaznia do ta ketë qershorin e ardhshëm. Do të largohen këto 12 lojtarë që ke blerë, do të të largohet Vujadinoviç, portieri më i mirë në Shqipëri. Pra, në verë Vllaznisë do t’i duhet të blejë sërish 12-13 lojtarë të tjerë. Kam dëgjuar administratorin Gjyrezi të thotë se do largojnë lojtarë në janar. Unë nuk e di se si do i largojnë sepse kë do sjellin në vend të tyre. Kur Vllaznia do lëshojë lojtarë që nuk i nevojiten, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe Skënderbeu, Tirana dhe ekipet e tjera. Megjithatë, e përsëris, shqetësimin më të madh skuadra do ta ketë në qershor kur ajo do dalë me 5-6 lojtarë. Atë shprehjen e para disa ditëve se “Vllaznia është bërë si torta e Pavarësisë”, e kam thënë pikërisht me këtë ide që tek kjo skuadër askush nuk e di se çfarë detyre ka. Vijnë lojtarë sa për të marrë lekë, ka lojtarë që hanë nga 2-3 gola në mënyrë të turpshme dhe askush nuk u kërkon llogari.Këtu mesa duket nisen nga fakti që skuadra drejt nga Bashkia dhe e konsiderojnë atë “mall pa Zot”. Kjo punë nuk ecën më me Bashki dhe jo vetëm në Shkodër. Populli shqiptar, futbollistët shqiptarë duan se s’bën një njeri mbi kokë. Në Shkodër për shembull ka anëtarë të Këshillit Bashkiak që kanë edhe një përvojë në drejtimin e Vllaznisë që mund ta drejtojnë klubin. Nuk mund të vijë një njeri si Gjyrezi që është shumë i mirë në fushën e tij, e të drejtojë futbollin sepse është diçka krejt tjetër. Sa i takon situatës aktuale të ekipit, po flitet për largime por nuk e di si janë menduar punët. Po flitet për largimin e Duros dhe të disa lojtarëve, por kush do t’i zëvendësojë. Po flitet për largimin e Osmanit, Begajt e ndonjë tjetër, por nuk ke me kë t’i zëvendësosh në qendër dhe as në krahun e majtë sepse kështu është ndërtuar strategjia. Vllaznia nuk e ka luksin në këto momente të bëj eksperimente. Ajo është në një moment jo të mirë, njërën këmbë e ka lart dhe tjetrën poshtë dhe çdo vendim që do merret, duhet menduar mirë.