Në një kohë që zyrtarizimi i largimit të trajnerit Shpëtim Duro duket çështje orësh, në Shkodër po qarkullojnë shumë emra si kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Së fundmi, ai që lakohet është ish-trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Artan Bushati. Në fakt, tekniku shkodran ka qenë një kandidat potencial edhe përpara se Duro të merrte drejtimin e kuqebluve. Megjithatë, në verën e këtij viti drejtuesit përzgjodhën tiranasin, pavarësisht se shkodrani ishte shprehur i gatshëm për stolin kuqeblu.

Tashmë emri i Bushatit ridel në skenë, por nuk është vetëm ai që përflitet. Hysen Dedja, Hysen Zmijani dhe Elvis Plori gjithashtu janë në “orbitën” e drejtuesve të Vllaznisë. Këta të fundit kanë nisur prej ditësh negociatat, edhe pse zyrtarisht nuk pranojnë ta konfirmojnë diçka të tillë. Klubi kërkon që së pari të zyrtarizojë prishjen e kontratës me Duron dhe më pas do të japë detaje për trajnerin e ri.
Plani Kryebashkiaku Lorenc Luka duket i dyzuar për vendimin që do të marrë në lidhje me trajnerin. Me 90% kontrata do të prishet me teknikun aktual, Duro, mirëpo dilema e madhe është emri i pasardhësit të tij. Burime të sigurta pranë drejtuesve të klubit tregojnë se kryebashkiaku Luka është i vendosur për të emëruar një trajner vendës. Në Shkodër kërkojnë që t’i lënë pas eksperiencat e viteve të fundit me trajnerë nga rrethet e tjera apo të huaj që kanë drejtuar Vllazninë. Mungesa e rezultateve ka bërë që klubi të kthejë kokën nga trajnerët shkodranë, të cilët shikohen si më të përshtatshëm për situatën që po kalon Vllaznia. Skuadra rrezikon shumë të mos arrijë objektivin, pasi është eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë. Megjithatë, diferenca e vogël në pikë me vendin e tretë, që është mundësia e fundit për të kapur Europën, mban me shpresë drejtuesit e klubit se synimi do të arrihet në fundin e sezonit. Një problem jo i vogël për drejtuesit është zgjidhja e kontratave me lojtarët që pritet të largohen. Emra si Osmani, Begaj dhe Hysa janë të parët që mund t’i prishin marrëveshjet, por kjo mbetet për t’u parë. Klubi kërkon ta evitojë rastin e malazezit Gavrilo Petroviç, i cili nuk pranoi të largohej gjatë sezonit të kaluar.

Admir Uruçi