Opinion nga Leonard Karaj

Kalimi i klubit të futbollit në shoqëri ak sionere, ashtu si kudo në Shqipëri, edhe në Shkodër u prit me një lloj entuziazmi. Madje drejtuesit e rinj, edhe pse futbollin e njihnin vetëm nga shkallët e stadiumit ose televizioni, nuk nguruan që ta “spastrojnë” klubin nga çdo “gjë e vjetër”, përfshi këtu edhe ata që deri në atë moment kishin derdhur parà për Vllazninë. Por, nën idealin e një “epoke të re” skuadra nisi transformimin, duke larguar më së pari trajnerin. Mirel Josa, edhe pse e kishte drejtuar skuadrën për gati një vit, u detyrua “të linte çelësat” në tetor të 2011-ës pas javës së 6- të, me pretendimin se skuadra nuk kishte grumbulluar pikët që duhej të kishte (6 javë, 7 pikë). Nga ky moment nisi edhe epopeja e lëvizjeve të shumta të trajnerëve nga ana drejtuesve të klubit. Si fillim në krye të skuadrës u komandua Elvis Plori. Por, edhe pse ky i fundit e fitoi ndeshjen ndaj Pogradecit, ai sërish nuk u pa si një alternativë për stolin, duke ia lënë vendin në javën e tetë Rudi Vatës. Ky i fundit erdhi me goxha pretendime dhe me një projekt të detajuar në kokë, por fatkeqësisht pas disa muajsh, në krye të skuadrës e pati goxha të vështirë që ta implementonte. Për më tepër, politikat e klubit mëshonin më së shumti nga nxjerrja e ndonjë kacidhe nga shitja e ndonjë lojtari, paçka se në media gëlonin deklaratat për ndërtimin e një Vllaznie të madhe. Por në dhjetor dhe janar largohen dy lojtarët më të mirë të skuadrës: Xhevahir Sukaj në Iran dhe Armando Vajushi në Bullgari. Nga shitja e tyre klubi përfitoi 150 mijë euro, por nuk shpenzoi as 20 për qind të asaj shume për të fuqizuar skuadrën, të paktën sikundër u theksua në atë kohë nga nënkryetari Troshani dhe ishadministratori Kujtim Shaba. Pa Sukajn dhe Vajushin, si dhe me disa arnime (lojtarë totalisht të panjohur), Vllaznia e Vatës ishte e destinuar që të dështonte. Kështu ndodhi dhe në prill të këtij viti erdhi edhe largimi i trajnerit (i treti në radhë). Largimi i Vatës u kushtoi shumë drejtuesve, jo vetëm financiarisht, por shumë më shumë mediatikisht. Vata, në një deklaratë 19 pikash, nuk kurseu askënd (përveç kryebashkiakut), duke lëshua hije të forta dyshimi rreth profesionalizmit dhe aftësisë së drejtuesve për menaxhimin e klubit. Por, edhe pse nënkryetari Ritvan Troshani deklaroi se do ta çonte çështjen në Prokurori, edhe kjo gjë rezultoi një shashkë e radhës. Sakaq, jashtë çdo objektivi, skuadra i mbeti në dorë drejtorit sportiv, Armir Grima. Ky i fundit e drejtoi Vllazninë për gati 1 muaj, ku rezultati më mbresëlënës ishte ai i javës së fundit ndaj Shkumbinit, teksa një skuadër legjendare si Vllaznia bëhej “bashkëpunëtore në krim”, duke ia hapur portën Dervishit për të dalë golashënuesi më i mirë i Superiores. Për të ardhur te sezoni i ri, kur afrimi i Shpëtim Duros u duk si “shpëtimi” i klubit, por edhe pse tekniku më shumë se një herë pat deklaruar për merkaton jo shumë cilësore dhe efektive, ku në pamje të parë binte në sy mungesa e një “snajperi”, përsëri kjo gjë nuk u mbyll nga ana e drejtuesve, natyrisht për mungesë financash. Sezoni nisi me një superhumbje dhe vazhdoi në mënyrë të çekuilibruar, me mbrojtësit që bënin goleadorin dhe trajnerin që s’pushonte së ankuari për klimën aspak miqësore përreth ekipit. Por “vdekjeprurëse” për këtë Vllazni ishte eliminimi nga kupa, për më tepër nga një skuadër pa asnjë pretendim si Shkumbini. Kaq u desh dhe posti i Duros u vu menjëherë në diskutim. A do të jetë ai trajneri i radhës që do shkarkohet? E hëna do ta tregojë….