Nëse flasim për historinë e Vllaznisë në vite, sigurisht që nuk mund të lësh pa përmendur edhe një emër shumë të nderuar dhe të respektuar. Bëhet fjalë për Ernest Halepjanin. Ai ka patur një karrierë të shkëlqyer si futbollist por edhe si trajner dhe edukator duke krijuar imazhin e një njeriu të shkëlqyer. Ai ka lindur në vitin 1912 në Shkodër dhe ka vdekur më 19 dhjetor 1996, pra në moshën 84 vjeçare duke lënë pas një emër shumë të mirë dhe një karrierë për t’u admiruar dhe për t’u marrë shembull nga shumëkush.

 

 

Karriera si futbollist: Kujtimet që ka lënë vetë mjeshtri Halepjani të shkruara janë gjëja më e saktë. Ja se ç’kujtonte ai: “Lojën e futbollit e kam filluar që kur isha i vogël, në bankat e shkollës, duke u aktivizuar me skuadrës e Liceut të Shtetit (sot shkolla “28 Nëntori”), ku kam luajtur duke e përfaqësuar këtë shkollë si në takimet në bazë qyteti ashtu edhe në mes qyteteve të tjera. Aktivizimin me Vllazninë e kam filluar në vitin 1932. Shokët e mij të parë kanë qenë Pjetër Gjoka, Kin Bushati, Hilë Staka, Gjon Kiri etj”. Halepjani në fillim ka luajtur me skuadrën e dytë e pak më vonë me të parën duke zëvendësuar sportistin veteran Luigj Shala. Pozicioni i tij në fushë ka qenë ai i ekstremit të majtë. Kujtimet e tij me këtë skuadër janë të mëdha megjithatë më të bukurat sigurisht që vijnë në vitet 1945 dhe 1946 kur Vllaznia u shpall dy herë rradhazi kampione e vendit dhe Ernest Halepjani ishte pjesë e këtij suksesi me kontributin e tij. Karriera si futbollist për të ka vazhduar deri në fund të vitit 1947 dhe fillimin e vitit 1948. Por ai nuk do të shkëputej nga futbollist duke u aktivizuar si “trajner- vullnetar” i ekipit në fjalë kurse me krijimin e ekipit të “Dinamos” së Shkodrës, ai do kryente detyrën e trajnerit kryesor.
Si futbollist ai pat marrë jo pak vlerësime për lojën dhe talentin e tij. Mjafton të përmendim fjalët e komentatorit të madh sportiv Anton Mazreku që ndër të tjera do të shkruante: “…Ernest Halepjani asht nji futbollist i vjetër. Asht trup i vogël, kur e sheh e ke të vështirë të besosh se si ai ka qenë futbollist mjaft energjik e me karakter të fortë sportiv, një “motorrin”, me një dribling të shkurtër e të shpejtë, që di të shkëputet për bukuri prej kundërshtarit e të merret vesht ma së miri me shokët e tij duke i dhanë topa”.
Karriera si trajner. Pasi la futbollin duke i lëshuar vendin si lojtar Xhevdet  Shaqirit, profesor Ernestin e gjejmë si mësues të edukimit fizik në shkollën e Parrucës (sot Ismail Qemali). Falë punës së shkëlqyer, atij i caktojnë detyrën e instruktorit pranë Qendër Kulturore të Fëmijëve (ish- shtëpia e pionerit). Nga duart e tij kanë dalë me dhjetëra futbollistë të spikatur por profesor Halepjani gjithmonë veçonte Zhegën, Bizin, Koçobashin, Ndojën, Rragamin, Brizen e shumë të tjerë. Pranë këtij institucioni ai qëndroi edhe në vitet e pensionit dhe deri para pak se të vdiste dhe te gjithe kane ruajtur respektin maksimal per kete njeri i cili ende edhe sot permendet per punen e tij.

Lec Zadeja