Ka lindur në Shkodër më 31 tetor 1923. Muhamet Dibra shpejt do të bëhej një nga protagonistët më të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. E nis futbollin herët, pikërisht në lagjen që do nxirrte shumë sportistë të mëdhenj, në “Dudas”. Nga kjo lagje kanë dalë Muhamet Dibra, Bimo Fakja, Xhevdet Shaqiri, Bahri Kavaja, Medin Zhega, Esat Rakiqi, Fatbardh Jera, Hamdi Salihi. Në vitin 1945, në të parin kampionat pas luftës, Dibra është pjesë e formacionit të Vllaznisë që do të shpallej kampione e vendit. Të njëjtën gjë do ta bënte edhe një vit më pas. Po në vitin 1946 do të ishte pjesë e ekipit kombëtar shqiptar që do të fitonte të vetmen trofe të deritanishme, atë të Kampionatit Ballkanik që u zhvillua në Tiranë. Më pas për mbrojtësin e njohur vjen edhe një tjetër titull kampion, këtë herë me fanellën e Partizanit në vitin 1948, pikërisht tek ai Partizan në formacionin e të cilit ishin plot 6 shkodranë dhe pikërisht Muhamet Dibra, Xhevdet Shaqiri, Rexhep Laçej, Hivzi Sakiqi, Bimo Fakja dhe Hamdi Bakalli. Me kombëtaren Dibra ka luajtur 24 ndeshje, shumë për atë kohë duke qenë një nga pikat më të forta të saj

Viti 1957
Do mbetet gjatë në mendjen e të gjithëve. Ka qenë një ndeshje në mes Punës së Shkodrës dhe Buduçnostit të Titogradit. Pas ndeshjes së parë të luajtur në Shkodër më 15 shtator të atij viti, e cila dhuroi barazimin 0-0 në mes këtyre dy ekipeve, një javë më mbrapa shkodranët u kthyen vizitën malazezëve. Por të pranishmit u befasuan kur para fillimit të ndeshjes, një avion fluturoi mbi stadium dhe lëshoi një top futbolli, me emrin e futbollistit legjendë Muhamet Dibra. Një vlerësim i jashtëzakonshëm i kolegëve malazezë për Muhamet Dibrën.

Vlerësimet.
Për kontributin e tij të shquar në sport, Muhamet Dibra është nderuar me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, më pas ka marrë dekoratën “Naim Frashëri i artë”, është vlerësuar “Nderi i sportit shqiptar”, ka marrë titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës si dhe është fitues i anketës së “11-shes më të mirë të 90 viteve të Vllaznisë”. Ai ka patur merita të jashtëzakonshme në futboll. Jo më kot, komentatori i madh Anton Mazreku qe shprehur në një rast se “ku ven këmbën kundërshtari, ven kokën Dibra”.  Ai është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare në mënyrë aksidentale pas përplasjes me një motoçikletë. Sot, nje rruge fare prane stadiumit “Loro Boriçi” mban emrin e Muhamet Dibres. Si per te thene se dyshja Boriçi- Dibra eshte serish sebashku edhe sot e kesaj dite si ne fushen e lojes edhe tani. Nje respekt dhe vleresim per keto dy figura te medha te futbollit shkodran dhe atij shqiptar.

www.shkodrasport.com