Atletika shkodrane e femrave ka njohur kulmet e saj në vitet ’50- ’60. Ka ndodhur kështu vetëm falë një njeriu- Feti Dizdari. Ishte ky trajner që ngriti një ekip të mrekullueshëm dhe për rrjedhojë sukseset kanë qenë të shumta për disa vite me rradhë.
Feti Dizdari lindi në Shkodër më 16 tetor 1913 në një familje tregtare me traditat më të vjetra qytetare. Ai menjëherë ra në sy se nuk do ishte i zakonshëm. Shkollën fillore e kreu në Parrucë kurse të mesmen në të vetmin gjimnaz të qytetit. I kërkohet të kryejë shkollën pedagogjike por ai shfaq dëshirën për një shkollë të edukimit fizik. Ka të dhënë të veçanta në vrapime dhe nis të merret me atletikë.


Më 1931 merr pjesë në kampionatin kombëtar të atletikës dhe një vit më pas do shpallej kampion i vendit, sukses këtë që do ta pasonte për disa vite me rradhë në distancat 200, 400 dhe 800 metra. Feti Dizdari është anëtar i shoqërisë “Bashkimi Sportiv shkodran” sëbashku me atletët e tjerë Elez Maha, Riza Lohja, Sandër Kraja dhe Ibrahim Dizdari. Shpejt ai do të bëhej edhe anëtar i ekipit kombëtar shqiptar dhe do marrë pjesë në Ballkaniadat e zhvilluara në Stamboll, Beograd e Tiranë. Më 7 prill 1939 është në ballë të revoltave kundër pushtuesve italianë dhe një vit më vonë Feti internohet në Frashër të Përmetit ndërsa i vëllaiu Faiku në Krujë. Pasi lirohet kalon në Kosovë duke punuar si mësues i edukimit fizik në Prishtinë por vazhdon edhe veprimtarinë antifashiste. Kthehet në Shkodër por edhe aty nuk gjen rehati. Më 13 dhjetor 1944 në shtëpinë e Dizdarëve ndërhyjnë forcat e mbrojtjes. Arrestohet Feti dhe Fadili. Ky i fundit vdes në burg. Në mesin e vitit pasardhës Feti lirohet për mungesë faktesh. Me ndërmjetësinë e disa miqve, arrin të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946. Ekipi ynë bën përfaqësim të mirë dhe në stafetën 4×400 m thyhet rekordi i paraluftës e ndër protagonistët e kësaj gare ishte edhe Feti Dizdari. I kanë falur gjithçka pas kësaj. I përlotur si një fëmijë. Mjaft i gëzuar kthehet në Shkodër por për ironi të fatit e zbresin nga autobusi dhe e arrestojnë sërish. Qëndron 8 muaj në burg dhe del i pafajshëm por pas daljes përcillet në kampin e Bedenit ku qëndron dy vjet. Kthehet në Shkodër dhe falë miqve që nuk i kanë munguar asnjëherë, futet në punë si mësues i edukimit fizik por edhe nis punën si trajner i atletikës.Ndoshta për ta përçmuar, i japin detyrën e ngritjes së ekipit të femrave që në fakt nuk mendohej ta bënte duke parë fanatizmin e atyre viteve tek familjet shkodrane. Dhe ai dalëngadalë filloi t’i bënte për vete prindërit që shumë shpejt besonin se vajzat e tyre më të sigurta ishin në duart e këtij njeriu sesa edhe në duart e tyre. Feti Dizdari ka patur kënaqësinë të nxjerrë kampione të mëdha si S. Keraj, Adile Dani, Myzejen Duli, Shaqe Nika, M. Meta, L. Ndoja, Luke Zefi, S. Krepi, N. Bilali, Sh. Osmani. Por  ka punuar edhe me djemtë dhe nga duart e tij kanë dalë të tjerë kampionë si Ruzhdi Piraniqi, Dh. Banushi, Hivzi Kotrri, Rasim Kraja etj.  Duke drejtuar ekipin e femrave te Vllaznise, ky trajner eshte shpallur 15 vjet rradhazi kampion i vendit me te, duke shenuar kesisoj nje rekord te veçante edhe sot e kesaj dite.

 

Çfarë kanë thënë për Feti Dizdarin?

Zef Hila (trajner kombëtar): “Feti Dizdari ishte një njohës i thellë, i aftë dhe i talentuar gati për të gjitha degët e atletikës”.
Telat Verzivolli (kuadër sportiv): “Punëtor si Feti Dizdari dhe pasionant si ai, rezultativ si ai, janë të rrallë”.
Marije Rranzi (mjeshtre sporti, atlete e viteve 1945-58): “Zotni Feti ishte një trajner i paharruar, i çiltër, kërkues”.
Ruzhdi Piraniqi (mjeshtër sporti, atlet i viteve 1945-58): “Zotni Feti ishte si prindi ynë. Fjala e tij ishte ligj”.
Adile Dani (Mjeshtre e Merituar, fituese e 59 medaljeve në kampionatet kombëtare) :”E desha Zotni Fetin si baben tem. Në moshën 13 vjeçare fitova të parën medalje në krosin e Elbasanit. Për herë të parë kam parë mësuesin tim të qajë. “Adile je fenomen, më tha”.
Hivzi Kotri (mjeshtër sporti): “Zotni Feti do të jetë i paharruar. Tani që jam vetë trajner, më dalin para syve fjalët e tij dhe mundohem ta imitoj”.
Ahmet Nuti (mjeshtër sporti): “Zotni Feti ishte trajner me inisiativë të jashtëzakonshme. Mendoj se sekreti i tij qëndron në ato raporte të jashtëzakonshme e të drejta që vendoste me prindërit, sportistët dhe të gjithë kolegët”.
Myzejen Duli (mjeshtre sporti, sportiste e viteve 1959-79): “Zotni Fetit i dedikoj gjithçka që arrita në sport. Çdo mësim i tij ishte i vlefshëme dhe për jetën”.
Vildan Tufi (mjeshtër sporti): “Zotni Feti i la Shkodrës simbolin e një trajneri të vërtetë si në dije ashtu edhe në sakrificë”.

Feti Dizdari ka vdekur më 17 dhjetor 1985 pasi nuk mund ta fitonte betejën me një sëmundje e cila kishte kohë që e shqetësonte. Megjithatë ai ka lënë pas një histori të pafund suksesesh. Për të cilat edhe sot pas 50 vjetësh, flitet ende. Më së shumti flitet për një persona: Zotni Fetin. Kaq mjafton për të kuptuar sesa shumë e kanë respektuar shkodranët dhe më gjerë këtë njeri, duke e thirrur që në kohën e diktaturës me fjalën “zotni”, një fjalë e ndalur për atë kohë por jo për këtë njeri. Sot ndërkohë një rrugë në Shkodër, pikërisht ajo pranë stadiumit “Loro Boriçi” mban këtë emër Rruga “Feti Dizdari”.

Gjergj KOLA