Nëse flet për historinë e Vllaznisë në futboll, natyrisht që në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalosh një emër si ai i Muhamet Dibrës. Njeriu që ka luajtur gjithnjë në mbrojtje, është vlerësuar edhe si pjestar i formacionit më të mirë të 90 viteve të klubit shkodran. Një vlerësim që ka ardhur nga të gjithë nisur edhe nga karriera shumë e suksesshmë që ai ka patur si me Vllazninë ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. Vetëm 19 vjeç, më 1942 ai afrohet pranë Vllaznisë bashkë me Bahri Kavajën, shokun më të ngushtë të tij si dhe me Isuf Pelingun. Do jetë kampion me skuadrën shkodrane në vitet 1945 dhe 1946. Duke folur në lidhje me këto kampionate, Dibra do të kujtonte: “Kishim një skuadër klasi, tepër harmonike dhe tepër joshëse për të thithur simpatizantët e futbollit në stadiume. Po tregonim në këto vite se futbolli në Shkodër nuk ishte një rastësi por se qyteti i Bunës dhe i Rozafës ishte djepi i futbollit. Viti 1947 do ishte viti që do prishte imazhin tim për këtë sport kur ne kuptuam se Vllaznia nuk u pëlqente anëtarëve të Byrosë Politike”. Por krijimi i Partizanit bën që edhe vetë Muhamet Dibra  detyrimisht duhej të kalonte në rradhët e tij po ashtu si dhe emra të tjerë të nderuar të futbollit shqiptar si Gjinali, Parapani, Biçaku, Llambi, Shaqiri etj. Dhe titulli i fituar nga Partizani në vitin 1947 sipas kujtimeve të vetë Dibrës, ishte i pamerituar duke kujtuar këtu transmetimet me radio ushtrie i dy ndeshjeve të fundit kur Vllaznia fitonte me Besën 6-0 dhe këto radio ushqenin Partizanin me rezultat më të thellë, 9-0, një rezultat i gjetur enkas për ta shpallur këtë skuadër kampione e për t’i dhënë fund lavdisë së Vllaznisë për gati një çerek shekulli.
Me kombëtaren Dibra ka luajtur 20 ndeshje dhe në të gjitha me numrin 2 në shpinë, gjithmonë menjëherë pas portierëve Tahirit, Pozelit, Bonatit e Voglit. Ndeshja e tij e parë me kombëtaren ka qenë ajo më 22 shtator 1946 kundër Malit të Zi(5-0) apo dhe fitorja e paharruar më pas e Ballkaniadës ku Dibra ka pjesën e tij të suksesit. Në 20 ndeshje me kombëtaren Muhamet Dibra ka arritur 8 fitore, 5 barazime dhe 7 humbje.
Viti 1950. Europa Qendrore do t’i rezervonte dy takime të vështira kombëtares sonë. Për Muhamet Dibrën ky turne do të mbahet mend gjatë si kujtimi më i hidhur. Jo vetëm një katastrofë me humbjen 12-0 ndaj Hungarisë e 6-0 me Rumanisë por aty në kthim ndodh edhe diçka tjetër. Duke kaluar ngushticën e Bosforit, hidhen nga anija Bahri Kavaja dhe Bule Vahit që arratisen. “Unë në ato momente po luaja domino me Loro Boriçin, Gogo Nushin dhe Sadik Bekteshin. Por pasi ndodh largimi i dy kolegëve tanë, njeriu i sigurimit Stavri Xhara në thirri në dhomën e tij për të na marrë në pyetje. Mua të parin. “Ti Muhamet e ke ditur, na dole i paburrë, duhej të na tregoje. Fati yt është i rëndë po aq sa edhe i atyre që guxuan të tradhëtojnë Atdheun”. Në ndeshjen me Hungarinë, u dëmtova në dyluftim me Pushkashin dhe dola nga loja në minutën e 25-të. Ky veprim i imi u politizua se gjoja dola jashtë me dashje për të lejuar atë humbje të thellë. Thënia ime se “ne jemi për të luajtur futboll dhe jo për politikë”, u bë thelbi i të gjitha kritikave”. Për rrjedhojë, në teatrin “Migjeni” të mbushur me konviktorë dhe një kuadër i ardhur nga qendra, gjen
kurajon për ta përjashtuar përgjithmonë nga futbolli. Një absurditet! Por ishte trajneri i kombëtares Boris Apuhtin që nuk pajtohet me këtë vendim. Sapo vjen në krye të kombëtares, pyet ku është Dibra, numri 2? Por Muhamet bënte një vit që nuk luante futboll, nga 24 shtator i vitit 1950 deri më 7 nëntor 1951, jo vetëm me kombëtaren por edhe me Vllazninë. Ai punonte në ndërmarrje dhe një ditë teksa po shtynte një karrocë, dikush e thërriti. Ishte Loro Boriçi dhe trajneri i kombëtares Boris Apuhtin. Trajneri i kishte shtrënguar dorën dhe i ka thënë: “Nuk mund të ketë kombëtare pa Muhamet Dibrën. Më 6-7 nëntor ishte prova e parë për këtë futbollist “për të rregulluar biografinë”. Një barazim 1-1 që u vlerësua si pozitiv por më pas, duhej të hapeshin portat për sovjetikët dhe … 0-9.
Historia e vitit 1957 është një kapitull më vete. Nder më i madh se i është bërë MUhamet Dibrës në Podgoricë, s’ka patur. Vllaznia pas barazimit 1-1 në Shkodër me Buduçnostin, i ktheu vizitën fqinjve. Emri i Dibrës ishte shumë i njohur edhe andej kufirit. Presidenti i Buduçnostit kishte takuar vetë Dibrën dhe i kishte thënë se përpara ndeshjes do kishte një surprizë. Pikërisht në momentin kur skuadrat kishin dalë në fushën e lojës, një aeroplan fluturoi në lartësi të ulët dhe më pas lëshoi me parashutë një top që ra në mesin e fushës, taman tek këmbët e Muhametit. Dy fëmijë vrapojnë për ta marrë dhe ia japin në dorë mjeshtrit shkodran. Ishte një top ku shkruhej: “Kujtim Muhamet Dibrës, Titograd 1957”. Duke kujtuar këtë momente të veçantë për jetën e tij, mbrojtësi i famshëm shkodran do thoshte: “Nuk e kisha parë veten ndonjëherë më ngushtë. Pyesja veten nëse vërtetë e meritoja një nder të tillë. Po, më thonin shokët që nxirrnin lotë gëzimi, po më thoshte uniforma e Vllaznisë. Ishte një nder për të gjithë Shkodrën”.
Por mjeshtri Dibra në Podgoricë ka edhe një kujtim të hidhur. Më 1989 Vllaznia shkonte sërish në këtë qytet të Malit të Zi dhe bashkë me ekipin e parë do ishte edhe një grup veteranësh. Mes tyre nuk figuronte emri i Muhametit sepse në listën e hartuar në zyrat e PPSH-së ai ishte lënë jashtë. “Nuk duam të të lëmë të ikësh se duam të të ruajmë. Dikur të kanë pritur atje si president ndaj dhe dikush mund të hakmerret dhe kjo na nxjerr telashe, ose po ndodhi ajo që ndodhi më 1957, ne si parti kemi përgjegjësi”- ka qenë preteksti i dhënë në adresë të tij. Me të mbërritur në Podgoricë delegacioni shkodran, pyetja e parë që është bërë ka qenë ajo: “Ku është Muhamet Dibra, pse nuk ka ardhur ai”? Dikush gjeti justifikimin se ai ka qenë i sëmurë por me kalimin e kohës gjithçka u mor vesh. Por për mjeshtrin shkodran kjo mbeti një plagë në zemër. Për Dibrën sulmuesit që i kanë nxjerrë më shumë probleme në karrierën e tij, kanë qenë dy: Hamdi Bakalli dhe Skënder Jareci. Në jetën e tij, ai ka shënuar 17 gola dhe të gjithë me penallti.

Vlerësimet
Muhamet Dibra është cilësuar nga specialistët tanë dhe të huaj si “mbrojtësi i pakalueshëm”. Ai me Vllazninë ka filluar të luante si gjysmëmbrojtës i djathtë. Edhe në ndeshjet e Ballkaniadës së vitit 1946, trajneri e caktoi të luante si mbrojtës i djathtë. Kishte një përgatitje të lartë fizike që e dallonte nga të tjerët. Edhe pse nuk ishte shtatëlartë, vetëm 1.70 m, ai kishte një trup muskuloz falë rregjimit të rreptë sportiv dhe jetës së rregullt. Ishte rezistent, i shpejtë dhe i shkathët, madje ai ka përfaqësuar Vllazninë edhe në gara atletike. Cilësi tjetër e tij ka qenë edhe gjendja e lartë morale. Luftën në ajër e kompesonte me mbulimin e saktë. Vitet e fundit të karrierës së tij, Muhameti i ka luajtur si qendërmbrojtës pasi përvoja e tij e loja me zgjuarsi, garantonte sukses në këtë rol edhe sepse Dibra i zbatonte me fanatizëm detyrat e dhëna nga trajneri.
Gjergj KOLA