Në rradhët e kampionëve të mëdhenj të atletikës shkodrane, sigurisht që hyn edhe ai. Titujt kampion të fituar prej tij janë të shumtë. Ky është Arben Mlloja, kampioni i kërcimeve. I lindur në Shkodër më 23 qershor të vitit 1964, ai shumë shpejt do të niste sportin e atletikës. E ka bërë këtë gjë që në moshën 10 vjeç kur ishte në klasat sportive. Do vazhdonte të punonte me shumë pasion për të mbërritur aty ku mbërriti. Ndonëse karrierën e mbylli disi herët, 13 titujt kampionë që ka fituar, sigurisht që janë treguesi më i mirë i suksesit të tij. Duke mos harruar faktin se ka triumfuar në gara ku gjithmonë ka patur rivalitet të madh. Arben Mlloja pranon të flasë për gazetën online ShkodraSport.com për të rrëfyer karrierën e tij:

-Mlloja, kur e nisët atletikën dhe çfarë ju shtyu të merreshit me këtë sport?

-E kam nisur në moshën 10 vjeç kur isha në klasat sportive me trajnerin tim të parë Ismail Kombin, për të vazhduar më vonë me Vildan Tufin. Zgjodha atletikën sepse më pëlqente ky sport, i cili do të bëhej shumë i dashur për mua në vazhdim.
-Një karrierë e mbushur me trofe dhe suksese. Jeni i kënaqur me atë që keni arritur apo ju ka mbetur gjë peng?
-Jo, kam arritur gjithçka kam dashur. 13 titujt kampionë që kam fituar si individ janë treguesi më i mirë i karrierës time. Një karrierë në të cilën kam qenë i angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe natyrisht që jam i kënaqur për atë që kam dhënë.
-Nëse e mbani mend, cila ka qenë gara më e veçantë për ju?
-E mbaj mend dhe e kam të fiksuar edhe sot në mendjen time. Ka qenë viti 1989. Në Korçë zhvillohej kupa “Kristo Isak”. Në tre kërcimet e para arrita të vendos shifrat mbi 7.70 m që ishin edhe rekorde kombëtare por gjyqtaria nuk i njohu sepse kisha prekur vijën e bardhë. Në provën e katërt dhe të fundit, nga frika e skualifikimit, godita në pedanë një këmbë e më shumë larg vijës sepse nuk doja që të dështova edhe në këtë provë dhe kërceva 7.59 m. Ka qenë gara ime më e bukur. Me pak kujdes, ndoshta edhe nëse gjyqtaria do kishte qenë më shumë dashamirëse, unë atë dita do kisha thyer rekordet sepse kam qenë në një formë të shkëlqyer sportive.
-Përveçse me Vllazninë keni konkurruar edhe me Partizanin. Keni kujtime të bukura edhe me këtë ekip?
-Me Partizanin kam konkurruar në vitet 1986-88 kur kam qenë ushtar. Sigurisht që kam kujtime të bukura edhe me të sepse kishte një rivalitet shumë të madh në mes dy ekipeve atë periudhë. Ajo që ka bërë shumë bujë në atë kohë ka qenë gara e stafetës 4 x 400 metra. Në garat gjysmëfinale, u dëmtua një nga atletët e ekipit tonë dhe në finale, ne kishim një atlet më pak. Trajnerët u shqetësuan pa masë sepse ishte gara që do përcaktonte titullin kampion si ekip, Partizani apo Vllaznia. E mora unë përsipër. I thashë trajnerit se do hyja dy herë në stafetë, i pari dhe i fundit. Pra, do të përshkruaja dy herë distancën prej 400 metrash.Madje jo vetëm e bëra, por në fund të kësaj gare, unë mbërrita i pari në finish duke lënë prapa atletin e Vllaznisë dhe për rrjedhojë, Partizani u shpall kampion kombëtar atë vit.
-Si ia arritët kësaj?
-Kam patur një formë shumë të mirë sportive si pasojë e rregjimit të mirë që mbaja. Në fakt ka qenë shumë e lodhshme. Dhashë maksimumin në 400 metrat e para, dorëzova shkopin tek shoku i stafetës dhe bëra pushim dy xhirot derisa erdhi ajo e katërta ku unë sërish hyra në garë. E bukura ishte që pjestarët e ekipit të Vllaznisë nuk kuptuan asgjë. Mendoj se ka qenë diçka vërtetë e rrallë ajo garë.
-Keni konkurruar kryesisht në garat e kërcimeve por edhe në shumëgarësh. Kush ka qenë rivali më i madh për ju?
-Gjatë gjithë karrierës sime rivaliteti më i madh ka qenë me Gjergj Rulin. Një herë fitoja unë, njëherë fitonte ai. Kanë qenë vite për t’u mbajtur mend. Një shoqëri sportive e mrekullueshme, një impenjim maksimal i të gjithëve.
-Por besoj se ke mbresa të mira edhe nga sportistët me të cilët je stërvitur tek Vllaznia apo jo?
-Patjetër. Unë jam stërvitur me dy breza sportistësh, atë më të vjetrin me Nefail Krajën, Ahmet Kryeziun, Pjerin Tafilin e garës së shtizës, Viktor Gjokën në gjyle, Hajrullah Shoshin në 800 m e Bashkim Ramekajn në maratonë. Për të vazhduar pastaj me një brez edhe më të shkëlqyer sportistësh si Tonin Sokoli, Ilo Pjetri, Ardian Miloti e më pas  Arben Maka, Niko Laro, Oltion Luli, Arben Parmeza apo dhe femrat Vera Bregu e Arbana Bekteshi. Kanë qenë të gjithë kampionë të mëdhenj.
-Vllaznia ndërkohë është shquar edhe për trajnerë me emër apo jo?
-Sigurisht që po. Unë personalisht kam patur fatin të bëj atletikë e të punoj me trajnerë si Feti Dizdari, Syrri Hoti, Gëzim Mema, Gjon Camaj, Vildan Tufi, Hysni Bebeziqi, Isak Bala, Rrok Hila, Enver Dervishi, Kujtim Rrjolli, Besim Kurti etj. Besoj se janë emraq shumë të njohur që nuk kanë nevojë për shumë koment dhe unë jam krenar që kam punuar me ta.
-Ndërkohë pas lënies së sportit, keni vazhduar sërish garat, kësaj here me veteranët. Pse kështu?
-Nuk mund të ndahesha kollaj nga ky sport, nga pistat e atletikës dhe pedanat e kërcimeve. Për rrjedhojë kam konkurruar e vazhdoj të marr pjesë prej vitesh në
garat e veteranëve teksa kam patur edhe suksese duke marrë 8 medalje arit, 4 argjendi dhe 3 bronzi. Nga ky sport e kam të vështirë të rri larg.
-Së fundi jeni zgjedhur edhe anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës. Cili do jetë kontributi juaj në këtë post?
-Do mundohem të jap më të mirën edhe në këtë post që “mbretëresha e sporteve” të jetë si e tillë edhe në të ardhmen në Shqipëri.

Karriera

Në moshën 11-12 vjeç, me klasat sportive rekord kombëtar në kërcim së gjati dhe trehapësh në Vlorë.
Në moshën 13-14 vjeç, rekord kombëtar në 60 m/p dhe 6 garësh në qytetin e Elbasanit
Në moshën 15-16 vjeç, në Durrës 11-16 korrik 1978 në Spartakiadën e 15-të Kombëtare të pionerëve, vend të dytë në kërcim së gjati.
Po për këtë moshë, në garat e zhvilluara në Vlorë më 20-21 korrik 1978 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit teksa në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 5.77 m grumbullon 855 pikë olimpike.
Në qytetin e Elbasanit nga data 1-2 korrik 1978 vendos rekord kombëtar për garën e 6 garëshit me 4623 pikë olimpike.
Në kampionatin kombëtar të moshave 15-16 vjeç që u zhvillua në Elbasan në datat 7-8 maj 1980 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit në garën e 110 m/p me 891
pikë olimpike.
Me ekipin e të rinjve shpallet kampion për dy vite rresht në garat e kërcimit së gjati dhe shumëgarësh. Madje në garën e kërcimit së gjati, arrin kategorinë e parë sportive me 6.85 m duke qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar të të rinjve.

Të rritur

Me të rriturit, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Elbasan nga datat 24-26 shtator 1984, shpallet kampion kombëtar në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 7.22 m. Po në vitin 1984, në Spartakiadën e 5-të Kombëtare fiton medaljen e artë në kërcim së gjati dhe të argjendtë në 10-garësh.
Në vitin 1985, shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati dhe 10 garësh.
Në vitin 1988, këtë herë me ekipin e Partizanit, në kampionatin kombëtar të kërcimeve shpallet kampion kombëtar
Në vitin 1989, në Tiranë më 27-29 qershor shpallet kampion kombëtar në dy gara, atë të kërcimit së gjati me rezultatin 7.44 m dhe në 10-garësh me 6320 pikë
olimpike.
Në Spartakiadën e 6-të Kombëtare në shtator 1989, fiton dy medalje ari në kërcim së gjati dhe 10-garësh.
Po në vitin 1989, në garat e zhvilluara në Korçë për kupën “Kristo Isak” arriti rezultatin më të lartë të karrierës së tij në kërcim së gjati, 7.59 m.
Në 1990, në garat e sallave të mbylluara, në Insitutin e Fiskulturës “Vojo Kushi”, pikërisht në shkurt të këtij viti, arrin të thyejë rekordin kombëtar në kërcim së gjati me 7.14 m, rekord që mbahet edhe sot.
Po në vitin 1990, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Tiranë më 13 shtator, shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati me 7.20 m dhe 10-garësh
me 6320 pikë olimpike.
Në takimin mbarëkombëtar të zhvilluar në Korçë midis ekipit kombëtar turk dhe atij shqiptar, zë vendin e parë në kërcim së gjati me rezultatin 7.22 m.
Përsëri në vitet 1991, 1992, dhe 1993 shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati dhe 10-garësh.
Pikërisht më 1993 mbyll karrierën si sportist në moshën 29 vjeçare me një bilanc shumë të pasur prej 13 medalje kampioni komëbëtar, 3 medalje ari në Spartakiadat Kombëtare dhe 2 medalje argjendi.

Karriera si veteran

Në vitin 2000 në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Selanik arrin të fitojë dy medalje, 1 ari në hedhjen e gjyles dhe 1 argjendi në hedhjen e diskut.
Në vitin 2001 në Beograd arrin të përsëris të njëjtin sukses duke fituar 1 medalje ari dhe 1 argjendi.
Në vitin 2002 në Stamboll fiton dy medalje argjendi.
Në vitin 2003 në Selanik fiton dy medalje argjendi.
Si veteran ka arritur të fitojë 8 medalje ari, 4 argjendi dhe 3 bronzi.

Vleresimet

Për këtë karrierë shumë të pasur sportive, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e ka dekoruar Arben Mllojën në tetor 2010 me “Medaljen e Argjendtë”.
Ndërsa në maj të vitit 2012, Federata Shqiptare e Atletikës, e ka nderuar me “Medalje” për kontribut shumë të madh në sportin e atletikës si kampion e rekordmen. Ajo që të bën përshtypje është se Bashkisë Shkodër ende nuk i ka shkuar ndër mend ta nderojë këtë figurë të shquar sportive që sot është sërish pranë sportit në rolin e fizioterapistit.
Gjergj KOLA