Një nga veteranët e nderuar të notit shkodran dhe atij shqiptar është padyshim edhe Halim Zaganjori.Falë një jete të tërë me sportin, fillimisht si sportist dhe më pas si trajner, Zaganjori spikaste për energjitë e tija, ashtu si dikur kur teksa konkuronte në garat e thellësisë së stilit të lirë ishte kampion kombëtar dhe rekordmen, sidomos në atë të 800 metrave, ku ka qënë edhe gara e preferuar e tij. Tashmë, ashtu si kolegu i tij i nderuar Enver Muriqi që stervitë ekipin e meshkujve, Halimi ka marrë përsipër të drejtojë ekipin e femrave të Vllaznisë, puna cilësore e të cilit ka dhënë rezultatet e duhura. Ndaj, pikërisht për këto, në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë atë që ai i ka dhënë sportit të notit, Federata Shqiptare e Notit, kohe me pare i ka dorëzuar atij medaljen “Mirënjohja e FSHN”.

Gjatë bisedës me të, për kënaqësi të lexuesve tanë, zbulojmë disa nga rezultatet që Halim Zaganjori ka pasur në vitet e karrierës së tij si sportist dhe trajner. Ka startuar në vitin 1952 në përbërje të ekipit të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit Shuajp Mehmeti, dhe më pas ka vijuar për 18 vite me radhë të jetë pjesë e Vllaznisë dhe e ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Gara e tij e preferuar ka qënë në stilin e lirë, duke qënë pjesë e të gjitha disiplinave, në 400 metra, 800, 1500 metra, për të vijuar më pas edhe me garën e vështirë të Maratonës, 6 kilometër, si dhe në stafetat 4 x 100, dhe 4 x 200 metra përkrah kolegëve të tij të nderuar si Zek Shestani, Selami Ibrahini dhe Smajl Elezi.

Ndër të gjitha këto, gjatë bisedës me të, Halimi veçon garën e 800 metrave, të cilën e kishte më për zemër nga të gjitha të tjerat, garë në të cilën ai ka arritur edhe rezultatet më të larta, qoftë si kampion i Shqipërisë dhe përmirësues disa herë i rekordit kombëtar, ndërkohë që me kohën e regjistruar në këtë garë ka merituar edhe titullin e lartë të “Mjeshtrit të Sportit”. Por, krahas rezultateve të larta si sportist, Halim Zaganjori, ka spikatur po aq edhe në rolin e trajnerit, ku përmes punës pasionante, me përkushtim dhe plot profesionalizëm të tij me ekipin e meshkujve Vllaznia ka arritur një sërë rezultatesh positive duke qënë lider i asaj kohe në kampionatin shqiptar. Me emra të tillë si Tonin Radovani, Sadi Anadolli, Gjon Shyti, i cili sot aktualisht është trajner profesionist në Itali duke stervitë një kampion bote, Myzafer Kroni, Fatmir Halili, Ritvan Gjeçaj, Ilir Ymeri, etj, Vllaznia e drejtuar nga trajneri HalimZaganjori, ka merituar për tetë vite me radhë titullin kampion si ekip, pa përfshirë këtu titujt dhe rekordet e regjistruara si individë. Aktualisht, veterani i nderuar Halim Zaganjori i është përkushtuarpërgatitjes së notareve femra, duke marrë përsipër që punën mjaft të mirë që pati bërë me këto vajza trajnerja e mirënjohur Kudrete Kozmai, e ndarë nga jeta pak vite më parë, ta çojë edhe më lart. Sot eshte ne moshen 75 vjeçare dhe Halim Zaganjori eshte serish aty, prane notit sepse prej ketij sporti, nuk mund te shkeputet krejt kollaj.

www.shkodrasport.com