Njëri prej figurave kryesore të basketbollit shkodran dhe atij shqiptar është edhe Vehbi Ademi, një figurë e spikatur sportive. Ai është një nga emrat simbol të lojrave me dorë, jeta e të cilit ka qënë shumë e lidhur me basketbollin dhe po aq edhe në volejboll, fillimisht si sportist në fushën e lojës dhe më pas si trajner në pankinë. E përveç kësaj, Vehbi Ademi i përket një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës, ku përveç traditës së fabrikës së atëhershme “Tarabosh” pronë e tyre, ato ishin të lidhur mjaft afër me sportin, kur kemi parasysh edhe vëllian e tij, Berhanin, edhe ky i aktivizuar në të dy sportet, volejboll dhe bashketboll, motra Lirija, një nga lojtarët e pesëshes së parë të Vllaznisë në basketboll, si dhe nipërit e tij, Muhameti dhe Teofiku, të cilët patën karrierë në sportin e futbollit.

Por, nëse fiksojmë historinë e familjes “Ademi” nuk mund të lëmë pa përmendur Faslinë, babain e tre sportistëve me emër, dy vëllezërve Vehdi dhe Berhan dhe motres së tyre Lirije,  një person shumë i njohur në Shkodër, pronar dhe administrator i fabrikës së “Tarabosh”, që formoi edhe shoqërinë sportive me të njëjtin emër, ku përveç aktiviteteve të shumta fizkulturore e sportive që zhvillonte gjatë vitit, nga gjiri i saj kanë dalë emra të shumtë sportistësh cilësorë.
Karriera sportive
Ka qënë viti 1947 kur djali i madh i familjes “Ademi”, Vehbia do të fillonte jetën sportive me ekipet e basketbollit dhe volejbollit të qytetit të Shkodrës. Falë të dhënave tepër cilësore që dispononte nga ana fizike, sidomos me një shkëputje që askush nuk e zotëronte si ai, Vehbia  do të tërhiqte vemendjen e të gjithë specialistëve të asaj kohe. Përkrah emrave të tjerë të njohur të sportit shkodran, si Esat Haxhi, Qemal Tafilica, Luan Shatku, me të cilët pati një karrierë të gjatë bashkëpunimi, si dhe më pas edhe me të tjerët si Muhamet Sokoli, Ali Quku, Skender Osmani, Lutfi Haliti, Flamur Agolli, Mark Grimci, Sander Laca, Enver Hebovija, Malo Zhabjaku, Beqir Seknaj, Ndrekë Gjergji, Shefqet Trashnai, Tonin Bjanku, Gani Ymeri(Mani), Bep Radoja, Qamo Çuliçi, Nard Deda, etj., Vehbi Ademi do të ishte ndër figurat kryesore sportive të këtij brezi duke u shpallur kampion dhe fitues i Kupës së Republikës për tre vite me radhë, gjë që i jep mundësinë të fitojë edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Sportit”. Ndërkohë, ashtu si edhe për sportistë të tjerë cilësorë, Klubi Sportiv Partizani do të kërkonte që shërbimin e detyrueshm ushtarak Vehbi Ademi ta kryente në kryeqytet duke veshur fanelën e kësaj skuadre, madje falë insistimit të drejtuesve të Partizanit, pas mbarimit të dy viteve të ushtrisë,
ai do të vazhdonte edhe për tre vite të tjera në këtë klub duke qënë lojtari kryesor i pesëshes së parë të Partizanit. Në të tërë këto pesë vite të Vehbi Ademit me Partizanin, ky ekip që në gjirin e tij kishte edhe Berbellollin, Kapllanin, Muzhanindhe Pilkun do të shpallej për pesëvite me radhë kampion absolutë i Shqipërisë. Ndërkohë, gjatë kësaj periuudhe nuk do të mungonin edhe ndeshjet ndërkombëtare, sidomos ato kundra përfaqësueses së Rumanisë ku sërishmi shkodrani Vehbi Ademi ishte protogonisti kryesor i sukseseve. Më pas, me rikthimin e tij në Shkodër vazhdon me po atë ritën rrugën e sukseseve, tashmë në shërbim të ekipit të qyteti të tij Vllaznia, deri sa e mbyll karrierën si basketbollist në vitin 1963. Por, edhe pse largohet nga fusha si sportist, për të më pas do të vijonte një tjetër etapë po aq e suksesshme në karrierën e tij sportive duke qënë në rolin e trajnerit të të rinjve të Vllaznisë, nga duart e të cilit dalin basketbollistë të tillë cilësorë si Valter Kalaja, Eduard Zhala, Ismet Zaja. Gjon Tarri, Shaqir Vukaj, Zyhdi Çoba, Alfred Sarreqi etj. Por, emri i Vebi Ademit nuk është i nohur vetëm në fushën e sportit. Shkodranët dhe më gjërë, në rrethet e tjera të Shqipërisë, madje edhe në Europë dhe deri në Amerikë ku kanë shkuar punimet e tij, e njohin atë si një Mjeshtër të vertetë artizanal të përpunimit të drurit. Për këtë janë dëshmitare, gjithë ato ekspozita dhe panaire që Vehbi Ademi merrte pjesë, duke u nderuar me çmime dhe diploma nderi. Një pjesë e tyre janë edhe sot të pranishme në banesën e tij private si dëshmi e talentit të padiskutueshëm që ai dispononte në këtë fushë.

Vlerësimet
Në arkivin e tij, përpos fotove që pasqyrojnë aktivitetin e tij sportiv gjenden edhe titujt që ai ka marrë. Në vitin 2000 ai nderohet me titullin e lartë sportiv “Palok Nika me motivacionin “Për kontribut shumë të madh në sportet me dorë, volejboll e sidomos basketboll ku është “Mjeshtër Sporti”. Është ndër sportistët më popullorë të qytetit tonë, mbajtës i disa titujve kampionë kombëtar, kurdohere anëtar i ekipit kombëtar në basketboll, i palodhur dhe shëmbull i një figure të përkryer sportive” Pjesë e titujve të tij janëedhe ai “Mjeshtër Sporti”, dhe “Mjeshtër i Punës”, si dhe titulli “Mirënjohja e Qytetit”, akorduar këtë vit nga Këshilli i Bashkisë së Shkodrës me motivacionin “Basketbollist dhe volejbollist i suksesshëm i qytetit tonë, trajnerit të ekipit të volejbollit duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për klubin Vllaznia. Ai ka vdekur në maj të vitit 2009 në moshën 78 vjeçare.

Gjergj KOLA