Deri para një viti e diçka më tepër ka qenë pjesë e Vllaznisë. Më pas e larguan dhe ai “gjeti strehë” tek Burreli. Megjithatë Elvin Plori mendjen e ka tek skuadra e tij e zemrës. Prandaj dhe në këto ditë maji kur po analizohet ajo çfarë ka ndodhur në sezonin e fundit, ai vëren se shumë prej specialistëve janë rikthyer tek ideja e tij e para disa kohëve. Njeriu që ka punuar për disa vite si trajner shumë I suksesshëm tek Akademia Vllaznia dhe më pas edhe si zëvendëstrajner tek ekipi I parë, flet për skuadrën aktuale dhe atë se çfarë duhet bërë me të.

“Vllaznia me lojtarë të rinj siç duan ta krijojnë tani, është dasht të bëhet me kohë sepse natyrshëm kur sheh ndeshjen dhe nuk sheh asnjë tifoz në stadium, të vjen keq. Prandaj duhet menduar mirë për një strategji për të mbushur shkallët e stadiumit dhe kjo ndodh duke ndërtuar një ekip me shkodranë. Atyre duke u shtuar edhe blerje shumë cilësore, të cilët të bëjnë dallimin me futbollistët vendas. Në këtë mënyrë, duke luajtur fort në çdo ndeshje dhe pa kompromis derisa tifozi që vjen në stadium të jetë I bindur se ka për të parë një ndeshje të luftuar fort, ky stadium mund të bëhet. Plus kësaj, duke karikuar edhe shoqatën e tifozëve, mediat në mënyrë që të gjitha hallkat të jenë në të njëjtë, jam I bindur se ka për të qenë ndryshe”- thotë Plori. Megjithatë dyshimet janë të mëdha. Në Shkodër çdo fillim-sezoni kërkojnë titullin kampion. Mundësitë në fakt nuk kanë qenë dhe në kushte të tilla, mbase tashmë është e nevojshme gjetja e një strategjie tjetër për të ardhmen. Këtë gjë mendon edhe ish- zëvendëstrajneri I Vllaznisë kur shton:  “Unë them se arrihet kjo gjë. Element kemi për t’ia arritur kësaj.  Vllaznia sigurisht që duhet të ketë një bosht lojtarësh shkodranë. Nëse nuk janë aktualisht në Shkodër, ato po luajnë në skuadra të tjera të kampionatit shqiptar dhe e kanë marrë përvojën e duhur. Kthimi I tyre tek Vllaznia, harmonizimi me pjesën tjetër të skuadrës ku mund të përfshija Hajdarin, Bardullën e disa të tjerë që tashmë janë bërë lojtarë, do bënte që skuadra thuajse të ndërtohej plotësisht dhe nëse do ishte e nevojshme edhe për 2, 3 apo dhe 4 lojtarë të tjerë të huaj apo nga rrethet e tjera cilësorë, do bënin një Vllazni të bukur dhe të fortë. Por për ta bërë këtë gjë, drejtuesit aktualë duhet të lëvizin shumë shpejt për të mos humbur kohë” . sezoni I ardhshëm me 12 skuadra dhe me 4 që do bien direkt në kategorinë e parë konsiderohet në njëfarë mënyre I rrezikshëm dhe nëse Vllaznia nuk e merr shumë seriozisht ndërtimin e skuadrës, mund të jetë njëra prej tyre. Por Elvis Plori nuk mendon kështu. Në fund të prononcimit të tij për “Gazetën e Sportit” ai do të thoshte:  “Dikush mendon ndoshta se Vllaznia nëse nuk e merr seriozisht ndërtimin e skuadrës, mund të rrezikojë shumë për të rënë nga kategoria sezonin e ardhshëm. Megjithatë Plori, nuk e mendon këtë.  “Duke vepruar në këtë mënyrë siç thashë më lart, jam shumë I bindur se Vllaznia jo vetëm që nuk do rrezikojë rënien por do renditet në një vend komod dhe një sezon më vonë pastaj do të ishte pretedente”.
Gjergj KOLA

Burreli? Asnjë mosmarrëveshje por do shohë për ndonjë skuadër tjetër
Ajo që ka bërë përshtypje ishte largimi I trajnerit Elvis Plori bashkë me disa futbollistë nga ekipi I Burrelit pikërisht një ditë para ndeshjes së fundit të kampionatit. Një largim I tillë është komentuar në mënyra të ndryshme dhe madje nga kampi matjan ka patur edhe akuza ndaj shkodranëve. Megjithatë Plori kërkon të mbyllë çdo gjë në këtë drejtim duke thënë: “Ka qenë një problem I sportistëve me drejtuesit e klubit për një pagesë që ende nuk e kishin marrë. Si trajner I kësaj skuadre dhe nisur edhe nga fakti se këto futbollistë I kisha çuar unë tek Burreli, ndërhyra për të qetësuar situatën dhe në fund u qëndrova pranë këtyre futbollistëve. Nuk kam patur asnjë pretendim personal për pagesat e mia. Marëdhëniet kanë qenë dhe janë shumë korrekte me të gjithë drejtuesit e klubit. Tifozët më kanë dashur dhe tek kjo skuadër në të dy sezonet që kam punuar me të, jam ndjerë jashtëzakonisht mirë dhe më kanë përkrahur vazhdimisht”. Por pyetja e zakonshme për një trajner në fund të sezonit është nëse do kthehet sërish tek Burreli apo do shohë ndonjë mundësi tjetër. Plori përgjigjet menjëherë: “Për t’u rikthyer sërish në Burrel janë të gjitha mundësitë pasi siç e thashë, kam një marëdhënie shumë të mirë me të gjithë drejtuesit dhe ata e vlerësojnë punën time. Megjithatë, më duhet ta pranoj se jam lodhur paksa nga qëndrimi larg familjes gjatë gjithë kësaj periudhe të fundit. Në kushte të tilla, e shoh të vështirë rikthimin tek Burreli. Unë kam disa oferta nga skuadra të kategorisë së parë dhe po I studioj ato megjithëse synimi im patjetër është që të bëj kapërcimin e duhur për të kaluar në Superligë. Ditët e ardhshme mund të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe më duhet të pres”.