Tema e ditës në Shkodër sigurisht që tashmë është gjetja e trajnerit të ri të Vllaznisë. Dorëheqja zyrtare e Artan Bushatit nga ky post, ka hapur një vend bosh për pasardhësin e tij megjithatë vetë drejtuesit e klubit nuk janë në gjendje të të thonë se kush do jetë ai. Madje, në këto momente nuk ka as deklarata zyrtare nga ana e tyre sepse po preferojnë më shumë të punojnë në qetësi. Emrat më të përfolur duket se janë ato të Armando Cungut dhe Mojash Radonjiç. I treti, Naxhi Shensoj nuk bëhet për të ardhur nisur nga oferta e ulët financiare e klubit shkodran. I katërti është shkodrani I ri Elvis Plori. Ai e merr me të dy duart Vllazninë nëse ia japin por sigurisht që mungesa e përvojës ka ndikimin e vet në këtë mes dhe prandaj duket se vazhdon të luajë rolin e “gurit rezervë”
Armando Cungu. Deri mbrëmjen e së enjtes shpresat për t’ia mbushur mendjen kanë qenë të mëdha. Megjithatë, pas kualifikimit të skuadrës që ai drejton aktualisht- Kukësit, në turin e dytë të Europa League, gjërat janë ndërlikuar shumë. Dëshira e Armando Cungut mund të ketë qenë për t’u kthyer në Shkodër, aq më tepër edhe për t’I qëndruar pranë familjes së tij, megjithatë janë disa shkaqe që vendosin për këtë gjë. E para është pamundësia për t’u shkëputur nga ekipi I Kukësit. Aty ndjehet I vlerësuar dhe I respektuar. Skuadra e tij vazhdon të dhurojë “mrekullira” dhe do ishte ndoshta një budallallëk të tërhiqej. E dyta është mungesa e ndonjë garancie të madhe tek Vllaznia. Kjo e fundit nuk ofron asgjë. Nuk themi për anën financiare sepse Cungu nuk do e linte këtë skuadër për të, por ndodhet në një moment delikat. Financat janë të kushtëzuara për blerjen e lojtarëve cilësore, skuadra nuk ka një bosht të sajin dhe në kushte të tilla, por edhe me dyshimet se çfarë do bëjë Bashkia për të ardhmen, do ta mbajë vetë klubin apo do t’ia kalojë dikujt tjetër, e bëjnë trajnerin aktual të Kukësit të jetë shumë në dyshim. Ditën e sotme, Armando Cungu do të jetë në Tiranë për të nisur sërish punën me ekipin e tij në përgatitjet për turin e dytë të Europa League. Burime pranë tij bëjnë të ditur se në darkë do të ketë edhe një takim me presidentin Safet Gjici për të përcaktuar detajet e së ardhmes. Sigurisht që do të dëgjojë planet e tij dhe atë se ku gjendet vetë ai në këto plane dhe pastaj do të vendosë. Gjasat janë që të vazhdojë sërish të drejtojë Kukësin edhe në sezonin e ardhshëm dhe Vllaznia të mendojë për një trajner tjetër.
Mojash Radonjiç. Nëse Cungu do kthejë përgjigje negative sot ose nesër, “në derë” I gatshëm për të marrë drejtimin e Vllaznisë është malazezi Mojash Radonjiç.  Nga ana e klubit nuk ka asnjë informacion për ndonjë kontakt me këtë trajner por I vetmi që ka folur në këtë mes për këtë çështje, është menaxheri I tij Aleksandar Primavera. Ai ka bërë të ditur se ka patur një kontakt të Radonjiç me krerë të klubit Vllaznia teksa është diskutuar për mundësinë e marrjes së drejtimit të ekipit për sezonin e ardhshëm. Sipas këtij menaxheri, trajneri malazez është shprehur shumë I gatshëm për ta marrë përsipër këtë gjë. Ai ka bërë të ditur se e njeh mirë përbërjen aktuale të skuadrës dhe bashkë edhe me ndonjë përforcim që mund të bëhet, krijimi I një ekipi për të ardhmen është një realitet I prekshëm. Radonjiç nuk trembet nga vështirësitë aktuale të klubit shkodran por ka garantuar se do të bëjë më të mirë për Vllazninë. Në fakt, ky trajner e njeh mirë kontigjentin aktual të kuqebluve sepse e ka ndjekur këtë ekip rregullisht në tre sezonet e fundit, që nga momentet kur e ka drejtuar vetë atë. E ka ndjekur në disa ndeshje të zhvilluara në “Loro Boriçi” dhe po ashtu edhe në disa miqësore të zhvilluara gjatë fazave përgatitore në Mal të Zi. Mojash Radonjiç vlerësohet në Shkodër për punën e mirë që bëri para 4 sezonesh tek Vllaznia me elementin e ri pavarësisht se nuk punoi gjatë me të. Mbase në këtë periudhë të dytë, gjërat mund të jenë më ndryshe dhe ai ka premtuar të bëjë më të mirën. Tashmë është në dorën e klubit nëse do t’ia besojë atij pankinën apo jo. Malazezi që së fundi ka drejtuar ekipin Llovçen të Cetinjës në Superligën e vendit të tij, është I gatshëm të nisë punën për herë të dytë tek Vllaznia.
Gjergj KOLA