Mbetet një nga emrat e shquar të sportit të boksit në Shkodër por edhe më gjerë. Për fat të keq tij, sporti I boksit u ndërpre në moshën e tij më të mirë, kur ende nuk I kishte mbushur 20 vjeç por në fakt tashma ishte dy vjet kampion I Shqipërisë me të rriturit. E kemi fjalën për Viktor Martinin, njeriun që është shquar si kampion në ring, si trajner me shumë vlera por shpesh është lënë në harresë.Ka lindur në Shkodër më 5 dhjetor të vitit 1943. Sportin e boksit e nis rastësisht megjithatë do të bëhej një nga sportistët më të mirë të vendit me të dhënat që e karakterizonin. Për fat të keq të tij, ky sport u ndërpre nga shteti kur ai ishte në moshën 20 vjeçare dhe sapo kishte filluar të triumfonte në ringjet shqiptare. Viktor Martini megjithatë ka se çfarë të thotë në një rrëfim ekskluziv për gazetën shkodrasport.com kur ai do të thoshte: -Viktor, si e nisët sportin e boksit?
-Ka qenë shtator I vitit 1958 kur unë fillova këtë sport. Isha nisur një ditë nga shtëpia ime tek “Arra e Madhe” për të shkuar në teatër sepse kishte një aktivitet. U ndala rrugës tek palestra e sportit sepse dëgjova zhurmë. Por kjo ndalje e rastësishme do të ndikonte shumë në karrierën time të mëtejshme. Po zhvillohej kampionati lokal  I ndërmarrjeve. Gjovalin Çuni, ish- mundësi dhe boksieri I njohur, më del përpara dhe më kërkon të bëhem gati për t’u futur në ring sepse një nga ata që kishin programuar për të qenë në skuadrën e tij, ishte larguar në mënyrë të papritur. U gjenda I befasuar nga kjo kërkesë. Nuk kisha bërë asnjëherë më parë boks. Nuk kisha as rrobat e duhura megjithatë sajuam diçka dhe më ngjitën në ring. Arbitri më pyeti: “I kujt je ti? “I Nikoll Martinit”- iu përgjigja dhe nga kjo përgjigje edhe arbitri u habit. Në fakt duhej t’I thoja “I NIL Prodhimit”, ndërmarrjes që përfaqësoja në këtë kampionat por unë nuk dija gjë dhe gabova. Arbitri shkoi tek Gjovalini dhe e pyeti pse më kishte marrë mua ngaqë nuk isha në ndërmarrjen e tij por Gjovoja I zënë ngushtë, ia shpjegoi se I kishte munguar një sportist dhe më kishin marrë mua sa për të plotësuar numrin por në fakt rezultoi ndryshe. Fitova  ndeshjen e parë, e më pas edhe të dytën duke dalë në finale përballë njëfarë Cin Fati, shumë më I madh në moshë, shumë më I bëshëm në trup dhe kuptohet që të gjithë mendonin se Cini do të fitonte por nuk ka ndodhur kështu. Kanë qenë tre raunde të tmerrshme. Dyluftim shumë I fortë, grushte njëri, grushte tjetri dhe në fund, kam parë arbitrin duke më çuar dorën si fitues I ndeshjes por nuk e kuptoja çfarë po ndodhte. Isha I dërrmuar dhe nuk e dija që kisha fituar. Sapo kam zbritur nga ringu, më ka dalë përpara vëllai duke u munduar të më përqafonte por jam rrëzuar bashkë me të sepse nuk mund të qëndroja në këmbë. Kam shumë isha lodhur dhe ndonëse isha shpallur fitues, kundërshtari më kishte rrahur keq. Të mos harrojmë se ende nuk I kisha mbushur 15 vjeç. Ky ishte suksesi im I parë në boks. Këtë fitore në fakt nuk e shijova shumë. Kam shkuar në shtëpi dhe jam mundur t’I fshihem babës ngaqë isha nxirë krejt në fytyrë. Jam munduar t’I shmangem atij për disa ditë dhe nuk kam dalë nga shtëpia për 10 ditë me rradhë. Por Gjovalin Çuni bashkë me një shok tjetërmë erdhën në shtëpi dhe më sollën 1500 lekë që kisha marrë si shpërblim për këtë sukses në këtë kampionat lokal.  Ato lekë më dhanë gëzim sepse ishin gati një rrogë mujore e babës dhe paratë e para që fusja në xhepin tim. Megjithatë nuk kisha dëshirë të merresha me boks. As që nuk më shkonte ndër mend një gjë e tillë por ndodh e kundërta.
-Si u rikthyet sërish tek boksi?
-Në Shkodër do të grumbullohej ekipi I të rinjve të boksit nën drejtimin e Shpresim Bregut, për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të kësaj grupmoshe që zhvillohej në Tiranë. Trajneri ikëtij ekipi Shpresim Bregu bashkë me Gjovalin Çunin një ditë do të vinin në shkollën “Ndoc Mazi” ku isha nxënës dhe më takuan duke më kërkuar t’I bashkohesha ekipit për të marrë pjesë në kampionat. Nuk pranova me pretekstin se isha në shkollë dhe nuk më lejonin. Por të dy ata, pa e ditur unë, kishin shkuar tek drejtoresha e shkollës Doneta Baba dhe ia kishin mbushur mendjen. Më thërret drejtoresha dhe më thotë se jam I lirë për të shkuar në Tiranë për kampionat. Mbeta I shtangur sepse dashje pa dashje shkova në kampionat.
-Kishit pengesë nga familja?
-Sërish nuk tregova të vërtetën. Babës I thashë se do shkoj në Tiranë me shkollën për disa gara atletike dhe ai nuk më pengoi. Mbërritëm atje dhe me mua qëndronte gjithë kohës Ramiz Halili. Ai ishte më I madh në moshë dhe më thoshte: “ky është filani”, “ky është kampioni”, etj. Unë natyrisht që nuk e dija vërtetë çfarë ishin ndeshjet e vërteta të boksit dhe thoja “këtë e rrahi”, “këtë se kam problem” etj. Ndeshjen e parë në karrierën time e zhvillova përballë Bujar Labinotit të Partizanit. E ndjeva veten superior dhe e fitova ndeshjen. Në të dytën shorti më përballi me një boksier vlonjat por edhe atë e munda. Njerëzit filluan të habiteshin me fitoret e mia. Nuk dija asgjë për boksin. As si të rrija në ring, ai si të ecja ngaqë nuk më kishte rastisur t’I mësoja në stërvitje. Në ditën e tretë u ndesha me Dhori Gërnjotin. E rraha lehtë aq sa u habit edhe I ati, I madhi Rafael Dishnica që ishte trajner I ekipit korçar. Fitova edhe tre ndeshje të tjera, gjashtë në total dhe kështu u shpalla kampion I Shqipërisë me të rinjtë në peshën deri në 42 kg. Jemi në  vitin 1958 dhe ky është suksesi im I parë. Një emocion I paparë, aq më tepër që mora edhe një shpërblim prej 3 mijë lekësh.
-Si e pritën familja këtë sukses tëndin?
-Ka qenë diçka e rastësishme. Xhevdet Elbasani, ish- mundësi I njohur I Vllaznisë, kishte marrë gazetën në dorë ku shkruhej për suksesin tim me titullin “Viktor Martini, e ardhmja e boksit shqiptar” dhe pasi sheh baben tem, I ban za: “O Nikoll, hajde shihe ça ka shkru gazeta”. Baba pa e dit se çfarë ishte shkru, afrohet dhe kur e lexon, ban kryq dhe habitet sepse nuk e dinte që I biri merrej me boks e aq ma shumë ishte shpallë kampion I Shqipërisë. Erdhi në shtëpi dhe kuptohet që më bërtiti jo pak sepse e kisha gënjyer por pas këtij momenti, nuk më pengoi më.
-Si vazhdoi karriera juaj më pas?
-Në fakt pas kthimit nga Tirana ku dola kampion, nuk dola në stërvitje sepse sërish s’kisha dëshirë sërish të merresha me sport pavarësisht se kisha mësuar se isha një boksier me perspektivë dhe tashmë edhe gazetat kishin shkruar për mua. Megjithatë një ditë mu mbush mendja dhe shkova në palestër për të takuar shokët por ata më vunë në siklet duke më thënë se isha bërë mendjemadh ngaqë kisha dalë kampion e prandaj nuk dilja në stërvitje. Ma ndryshuan mendjen dhe që nga ai moment I hyra seriozisht sportit të boksit. Mësova teknikën e duhur, mësova taktikën dhe çdo gjë që më duhej për karrierën tim.
-Kush ishin pjesë e ekipit në atë periudhë?
-Pjesë e ekipit kanë qenë 11 sportistë por unë do të veçoja disa prej tyre e veçanërisht Ramiz Halilin që ishte edhe ai kampion, Ibrahim Ramën, Gjovalin Çunin, Pjetër Gjergjin, Hashim Nurjen etj. Trajneri jonë ishte Shpresim Bregu.
-Do shpalleshit kampion edhe një vit më pas, më 1959?
-Për fat të keq jo por jo për formën time të dobët. Në kampionatin e vitit 1959 kam humbur në finale me Xhemal Gramlleshin e Partizanit, një humbje e padrejtë sepse kisha bërë boks më mirë se kundërshtari im dhe e meritoja fitoren por arbitri ia dha atij. U mërzita shumë. Kam qarë 3 orë rresht pas asaj ndeshje sepse isha I bindur se ma kishin bërë të padrejtë. Këtë mendim madje kishin edhe gjithë të tjerët që  e kishin parë ndeshjen.
-E çuditshme por emri juaj figuron edhe në listën e ekipit të Vllaznisë, pjesmarrës në Spartakiadën e Parë Kombëtare që u zhvillua po atë vit. Si ju lejuan të merrnit pjesë?
-Paksa e çuditshme sepse rregulli ishte që nën 19 vjeç nuk mund të merrje pjesë ndërsa unë ende nuk I kisha mbushur 16. Nuk e di si më kanë lejuar por natyrisht që Rexhep Rama, që ishte drejtues I sportit në atë periudhë e që më ka dasht fort, “mbylli njërin sy” dhe më lejoi. Zura vendin e tretë në peshën deri  51 kg duke I dhënë disa pikë ekipit. Në finalet e kësaj Spartakiade, mban mend që kanë zënë vende të para Ramiz Halili dhe Fadil Efovija.
-Në vitin 1960 do të riktheheshit përsëri kampion me të rinjtë?
-Duke parë mënyrën si ma humbën titullin më 1959, një vit më pas u përgatita fort. Zhvilloja një stërvitje intensive sepse doja të mos humbja më, duke llogaritur edhe favorizimet që arbitrat mund t’I bënin kundërshtarëve të mi. Kampionati I vitit 1960 I të rinjve të rritur është zhvilluar në formë rrethi nga maji deri në nëntor me ndeshje çdo të dielë dhe ka qenë një vit I mbarë sepse I kam fituar të gjitha ndeshjet duke I marrë para të gjithë.
-Kur kaluat me të rriturit?
-Në vitin 1961 dhe menjëherë u shpalla kampion. E kam përsëritur këtë gjë edhe në kampionatin e vitit 1962 duke u shpallur për të dytën herë rradhazi kampion I Shqipërisë, tituj këto që do të ishin të vetmit ngaqë ky sport do të ndërpritej. Kampionati I vitit 1962 pati edhe një të veçantë tjetër sepse u shpalla boksieri më I mirë. Fitova në finale ndaj Ramiz Rekës së Partizanit që ishte kampion në fuqi. E kam mundur lehtë. E hidhja në ring, e çoja sërish vetë sepse kisha dëshira ta vazhdoja ndeshjen por pas 2-3 herësh, ai s’mund të vazhdonte më dhe unë fitova. Mbaj mend Rexhep Ramën I cili bërtiste: “Të marrsha të keqen, ky është boksier”. Kanë qenë vite të bukura dhe pjesë e Vllaznisë në këto vite ishin edhe boksierë si Mark Pishkashi, Mikel Vila, Ndoc Gjoni, Ymer Gruda që ishte edhe kampion, ndërsa trajner kishim Shyqyri Halilin.
Si kaluat tek Partizani?
-Ka qenë viti 1963. Erdhi koha për të shkuar ushtar dhe më dërguan në Korçë por Partizani më tërhoqi në Tiranë. Kam zhvilluar vetëm një ndeshje me këtë ekip të cilën e humba në Durrës sepse kam thyer nofullën në Spartakiadën e Ushtrisë. Po atë vit, shteti vendosi të mos e lejonte më ushtrimin e këtij sporti duke e konsideruar të rrezikshëm. Një peng I madh sepse ende nuk I kisha mbushur 20 vjeç dhe sapo kisha nisur karrierën madje duke marrë edhe titujt e parë kampion.
-A jeni grumbulluar ndonjëherë në kombëtare?
-Për fat të keq jo. Edhe njëherë që kishte ardhë një ftesë në klubin Vllaznia, dikush kishte interest ë mos më çonte në kombëtare dhe për këtë sajuan një grumbullim në një pikë turistike. Këtë ma ka thënë më pas Injac Lacuku, inspektor I klubit Vllaznia në atë periudhë. Edhe trajneri I kombëtares Ali Kastrati që ishte njëkohësisht edhe trajner I Partizanit, nuk më kishte shumë dëshirë ngaqë donte të merrte Ramiz Rekën që e kishte sportist të tijin. Mosgrumbullimi im në kombëtare me siguri që ka ardhur edhe nga biografia ime.
-Keni qenë nga ata sportistët me “biografi të keqe” edhe ju?
-Po, kam qenë njëri prej tyre. Axha im- Kol Martini ishte dënuar me 12 vite burg politik dhe nga kjo e kam pësuar edhe unë. Në vitin 1963 kur isha pjesë e Partizanit, u grumbulluam dhe u bëmë gati të merrnim pjesë në një turne në Xhakarta të Indonezisë. Nga 10 sportistët që u mendua të merrnim pjesë, vetëm 3 shkuan dhe pikërisht Ramiz Sadushi, Martin Çeta dhe Hysen Sharra. Ne të tjerët, mes të cilëve edhe unë, e pësuam për një apo një arsye tjetër.
-Kush kanë qenë boksierët më të mirë të Vllaznisë në periudhën tuaj?
-Do të veçoja Fadil Efovijën por sa I takon mënyrës së boksimit, kam mbetur I mrekulluar nga Ramiz Halili që bënte një boks të bukur.
-Pas mbylljes së boksit, pse nuk e vazhduar karrierën me ndonjë sport tjetër?
-Nuk kisha shumë dëshirë. Provova vetëm pak ditë të merresha me mundje por nuk isha për atë sport. Pasioni I madh I imi ishte boksi dhe me mbylljen e tij, gjithçka mbaroi.
-Megjithatë më 1991, me ardhjen e Demokracisë, ishte ndër të parët që u angazhuar për ringritjen e boksit apo jo?
-Patjetër. Na takonte ne ish- boksierëve të ishim të parët. Bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin, Fadil Efovijën, Tonin Demën, Kolec Ashikun, Kujtim Demin etj, ndërmorëm inisiativën për të ringritur sërish sportin e boksit dhe ia dolëm. Shkodra duhej ta thoshte fjalën e saj dhe e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme këtë gjë.
-Për disa vite keni punuar si trajner tek Vllaznia. Përse vendosët të hiqnit dorë nga trajnimi?
-Kam punuar nga viti 1991 deri më 2004 por edhe në këto vite me shkëputje për arsye të ndryshme dhe në fund vendosa të heq dorë pikërisht në moshën 61 vjeçare kur në fakt kisha sërish për t’I dhënë këtij sporti.
-Kush janë sportistët më të mirë që kanë dalë nga duart tuaja?
-Do të veçoja dy prej tyre, Besnik Gjetjen dhe Sead Bushatin, dy sportistë kampionë pa lënë mënjanë edhe të tjerë shumë cilësorë.
Gjergj KOLA