Përballja e kësaj jave me Bylisin që do të luhet në Ballsh konsiderohet shumë e rëndësishme për Vllazninë ngaqë do jetë vendimtare ndoshta për t’iu shkëputur njëherë e mirë vendit të fundit të renditjes. Shkodranët pasi kanë “likujduar” Tërbunin, do të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe me këtë kundërshtar por natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse ballshiotët janë krejt ndryshe dhe shquhen si një ekip më i fortë. Vështirësia e kësaj ndeshje për stafin kuqeblu shtohet edhe më shumë nga problemet që i janë shfaqur nisur nga mungesat që do të ketë në këtë takim.

Kështu, mbrojtësi malazez Stefan Cicmil përveçse është dëmtuar në ndeshjen e fundit ndaj Tërbunit, është ndëshkuar edhe me karton të verdhë dhe për pasojë ai duke qenë i treti për të, e ka skualifikuar për takimin e rradhës. E njëjta gjë edhe për mesfushorin Ardit Krymi i cili po ashtu ka tre kartona të verdhë dhe nuk do mundet të luajë. Por nëse për Krymin trajneri Grima e ka gati zgjidhjen, duke aktivizuar Haxhibuliç, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zëvendësimin e Cicmil. Në ndeshjen e djeshme ndaj Apolonisë për kupë është aktivizuar kosovari Haxhaj por ai sërish nuk ka bindur me formën e tij. Në këtë mënyrë stafit teknik do t’i duhet të gjejë një zgjidhje tjetër ngaqë mungon për arsye dëmtimi edhe një mbrojtës tjetër, Denis Pjeshka. Po ashtu me probleme dëmtimesh janë edhe Ergi Borshi, Ambroz Kapaklija, Berat Ahmeti ndërkohë që në takimin e djeshëm është dëmtuar edhe sulmuesi libanez Mohamad Kdouh. Në këtë mënyrë, alternativat në dispozicion të trajnerëve janë zvogëluar shumë dhe prandaj gjërat janë vështirësuar jo pak. Tashmë duhet parë sesi do të ndërtohet formacioni dhe çfarë do të tregojë ai në fushën e lojës ditën e shtunë ndaj Bylisit.

© shkodrasport.com