Mesfushori 19 vjeçar Ardit Krymi paraditen e sotme ka udhëtuar drejt kryeqytetit për të zhvilluar një konsultë mjekësore me doktorët e spitalit “Salus” për të përcaktuar shkallën e dëmtimit të tij dhe atë se çfarë terapie duhet ndjekur për t’u rikuperuar sa më shpejt që të vihet në dispozicion të trajnerit Cungu. Ai prej disa kohësh vuan nga muskujt e barkut dhe herëpashere është detyruar të ndalet duke mos mundur dot të aktivizohet. Kështu i ndodhi edhe në pragndeshjen me Laçin kur dhimbjet e shumta, nuk e lejuan të stërvitet siç duhet.

Në rrethana të tilla, i shoqëruar nga mjekët e Vllaznisë ai ka udhëtuar drejt Tiranës dhe nga sa merret vesh, atje i kanë komunikuar lajmin se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz. Duhen disa seanca terapie dhe ideja është që të kthehet sa më shpejt në fushë dhe nuk përjashtohet mundësia për të luajtur që të shtunën ndaj Kukësit. Krymi ndonëse i ri në moshë, konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit kuqeblu sepse në rolin e mesfushorit shkatërrues, bën gjithçka mirë dhe sa herë që mungon, stafi e ndjen shumë këtë gjë. Por përveç Krymit, probleme ka patur edhe me Bardullën që po kalon një gjendje gripale dhe po ashtu edhe me Dibrën megjithatë për asnjërin nuk mund të thuhet se do jetë apo jo në fushë këtë fundjavë.

© shkodrasport.com