Vllaznia ka arritur një fitore me shumë vlera në ndeshjen e rradhës në Pukë ndaj Tërbunit vendas. Në fund të takimit është fiksuar rezultati i thellë 4-0. Ndonëse me disa mungesa në rradhët e saj, skuadra shkodrane ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë dhe për rrjedhojë ka marrë tre pikë shumë të vlefshme për ecurinë e saj të mëtejshme. Trajneri Cungu nuk ka patur të gatshëm për këtë takim futbollistët Arbri, Krymi, Tafili, Pjeshka, Gurishta e Hakaj megjithatë ia ka dalë të fitojë.

Takimi ka nisur me gol që në minutën e 6-të. Çinari shfrytëzon një top të mbetur në zonën pukjane dhe e ka dërguar në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Në fillimin e së dytës, Kalaja pengohet në zonë në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Ai i besohet për ekzekutim mbrojtësit Vrapi por portieri Kuka e ka grushtuar topin. Gjithsesi goli i dytë do të vinte në minutën e 64-të. Kalaja pason brenda zonës për Dibrën që gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë. Po ky futbollist në minutën e 75-të do të shënonte edhe golin e tretë, këtë herë me një hedhje të bukur në formë plonzhoni dhe me kokë arrin ta dërgojë topin aty ku portieri vendas nuk mund ta zotërojë. Golin e fundit të takimit do ta shënonte Dyca në minutën e 86-të kur brenda zonës gjuan saktë dhe shënon golin e fundit të takimit. Përfundimisht 4-0 për Vllazninë që me këtë trepikësh ngjitet në kuotën e 23 pikëve duke lënë pas vetes Flamurtarin, Bylisin dhe Tërbunin.

© shkodrasport.com