Pati nga ata guximtarë, edhe në sport, që u arratisën nga ai realitet i hidhur, që sistemi diktatorial e trumbetonte si “fanar ndriçues”, duke përjetuar mundësitë e mëdha që realiteti europian vinte në shërbim të talentit dhe punës pasionante.
Dossier/ Bërsheni e Hoxha, futbollistët e Vllaznisë, që u arratisën shumë vjet më parë
– Shqiptarët tashmë po lëvizin të lirë, pa viza, drejt Europës, të cilës i përkasim jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht.

U shemb nga themelet ai mur ndarës, që ndërtoi diktatura për gati 5 dekada me radhë, ai mur, ku njerëzit gjenin vdekjen nëse tentonin të shikonin përtej tij, ai mur tmerri dhe trishtimi edhe për sportistët tanë. Këta të fundit, në rolin e “të privilegjuarve të kohës”, arrinin të dilnin nëpër gara të ndryshme jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, por përjetonin në kthimin e detyruar në atdhe diferencën e skajshme të jetës që bëhej këtu me atë që u shihnin sytë përtej kufijve.
Pati nga ata guximtarë, edhe në sport, që u arratisën nga ai realitet i hidhur, që sistemi diktatorial e trumbetonte si “fanar ndriçues”, duke përjetuar mundësitë e mëdha që realiteti europian vinte në shërbim të talentit dhe punës pasionante.

Arratisja e dy futbollistëve të Vllaznisë 21 vite më pare tronditi Shqipërinë dhe nuk kaloi pa lënë gjurmë në radhët e ekipit dhe në jetën sociale të vendit. Trajneri shkodran, Astrit Hafizi dhe ish-futbollistët e Vllaznisë, ishin protagonistët e asaj ngjarjeje, e cila pushtoi për vite të tëra opinionin shqiptar.Vllaznia, fituese e Kupës së Republikës në vitin 1987, do të përfaqësonte Shqipërinë në Kupën e Kupave të Europës. Në turin e pare shkodranët u ndeshën më 13 shtator në Shkodër me skuadrën malteze Sliema Uonderers dhe fituan 2-0, me gola të Ardian Bushatit dhe të Fatbardh Jerës.Më 29 shtator, Vllaznia udhëtoi drejt Maltës dhe i mundi kundërshtarët e vet me rezultatin 4-0, falë golave të Pashajt, Vukatanës, F.Rragamit dhe F.Fakjes.
Në turin e dytë, kundërshtar i Vllaznisë ishte Rovaniemi. Finlandezët fituan në Shkodër 1-0 dhe me të njëjtin rezultat, fituan më 4 nëntor në qytetin e akullt të Rovaniemit. Por akulli finlandez e shoqëroi Vllazninë në rrugën e akullt të ditëve që pasuan.Gjatë qëndrimit në Athinë, dy ditë pas ndeshjes në Finlandë, dy futbollistë shkodranë, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha, kërkojnë strehim politik në Greqi. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për kohën, që tronditi thellë tërë Shqipërinë, shtetin komunist, themelet e një sistemi që në fakt po shkonte drejt shkatërrimit të tij. Por në kulmin e kësaj krize, si ajo kafsha e plagosur që është në prag të agonisë, shteti totalitarist ushtroi tërë forcën e tij për të ndëshkuar një nga skuadrat më të mira të vendit, që përfaqësonte Shkodrën, vendlindjen e futbollit shqiptar.
Shteti ndëshkoi futbollistët, ata që i kishin dhënë dhe i jepnin kënaqësi të veçantë qytetit të tyre, ndëshkoi familjet e nderuara qytetare shkodrane, ndëshkoi Vllazninë, simbolin e futbollit shqiptar.
Ndërsa kthehej nga Finlanda për në Shqipëri, ekipi i Vllaznisë bëri një pushim të shkurtër në kryeqytetin helen dhe u ndal tek hoteli “Athinas”. Por mbrëmja nuk ka qenë aspak e qetë në radhët e shkodranëve. Ka qenë një mbrëmje pa gjumë, një mbrëmje e ngarkuar me ethe, tension, guxim dhe marrëzi. Ka qenë një mbrëmje, që nuk dihet se cila orë e ka ndarë atë me mëngjesin e ditës së nesërme.
Kur delegacioni shqiptar ishte bërë gati për të shkuar në aeroport, drejtuesit e tij janë sinjalizuar nga punonjësi i shërbimit të hotelit se në mëngjes herët dy shqiptarë janë larguar nga hoteli dhe nuk janë kthyer më. Pas një verifikimi të shpejtë nga drejtuesit e ekipit, është mësuar se Vllaznia nuk kishte midis tyre dy nga futbollistët e saj, sulmuesin Lulëzim Bërsheni dhe portierin Arvit Hoxha. Ata kishin kaluar autostradën e gjerë në rrugën e njohur “Vasilis Sofias”. Më pas, të dy futbollistët kërkuan që të qëndrojnë në Greqi.
Trajneri Astrit Hafizi këtë histori e ka treguar edhe herë të tjera. Edhe pse ajo ngjarje mbart kujtime të zymta për trajnerin shkodran, ai përsëri të flet për të. Por në këtë rrëfim të tij, Hafizi i anashkalon pasojat, masat që u morën ndaj tij, duke e larguar nga drejtimi i Vllaznisë dhe duke e çuar si dënim të punonte mësues i edukimit fizik jashtë qytetit të Shkodrës. Këtë copëz të jetës së tij ai nuk ka dëshirë ta kujtojë.
“Pas ndeshjes në Rovaniem u kthyem në Helsinki, ku derisa të vinte koha për t’u larguar nga kryeqyteti i Finlandës, dolëm për të bërë pazar. Erdhi ora për t’u nisur, por na mungonin disa futbollistë.Pritëm gjatë që ata të ktheheshin, por na thanë se kanë pasur një problem me policinë. Pas kryerjes së veprimeve nga ana e policisë, ata u lejuan të vijnë me ne dhe të gjithë së bashku u nisëm drejt Budapestit dhe prej këtu mbërritëm në Athinë. Fjetëm në hotelin “Athinas”, i cili ishte diku afër ambasadës sonë (është fjala për ambasadën e vjetër)”, shprehet Hafizi për ATSH-në. “Kur u zgjuam në mëngjes për t’u kthyer në Shqipëri, sportelisti na tha se në orët e para të mëngjesit dy futbollistë kishin dorëzuar çelësat e dhomës dhe ishin larguar. Sportelisti nuk dinte se kush ishin. Ne filluam të kontrollojmë dhomat dhe pamë se mungonin Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha. Pritëm deri nga ora 11.30, derisa disa punonjës të ambasadës na thanë që të mos i prisnim më, por të niseshim për në Shqipëri. Ndërkohë mësuam se dy futbollistët tanë, Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha, kishin kërkuar strehim politik në Greqi”, tregon Hafizi.
Trajneri shkodran flet edhe për ngjarjet që ndodhën më pas. “Shteti mori masa drastike. Familjet e dy futbollistëve u internuan në zonat më të thella malore. U dënova edhe unë si trajner, por edhe Esat Rakiqi, i cili ishte zv/trajner, por që nuk ishte me ne në Finlandë.Ferit Rragamin, si kapiten i ekipit që ishte, e dërguan në Pult të Dukagjinit. Një dënim të tillë mori edhe mjeku Zyhdi Çoba. U përjashtua futbollisti Rudi Vata, i cili nuk ishte me ne në Finlandë dhe portieri Agim Maliqati. U përjashtuan edhe disa futbollistë të tjerë. Ndërsa Luan Vukatana dhe Kujtim Shaba filluan serinë e gjyqeve. Vllaznia u dënua për disa vjet që të mos marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare”. Kjo histori lidhet me një fakt, me aktivizimin për herë të pare të futbollistëve tanë në kampionatet greke. Pas disa muajsh, Panionios, klubi më i vjetër grek, i themeluar në vitin 1890, do të ishte strehëza e Bërshenit dhe e Hoxhës. Madje një vit më vonë, më
1988, Lulëzim Bërsheni figuron midis futbollistëve të Panioniosit, që fituan Kupën e Greqisë. Lulëzim Bërsheni dhe Arvit Hoxha me qëndrimin e tyre në Greqi dhe aktivizimin me Panionios, hapën shtigjet e rrugës së shqiptarëve për në Greqi, e cila asokohe ishte tabu dhe me rrezik për jetën jo vetëm për veten, por edhe për gjithë rrethin familjar e atë shoqëror.Nuk ishte një rrugë e shtruar me lule, por e frikshme edhe për ta menduar e jo më për ta provuar. Ajo i ngjan rrugës së mundimshme të të gjithë bashkëkombësve tanë, që u arratisën atë kohë nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë.
Gjergj MIMA