Kapiteni i Vllaznisë Ndriçim Shtubina që prej ditës së hënë ka deklaruar se është futbollist i lirë dhe është në pritje të ofertave megjithatë nuk i ka mbyllur derën rikthimit sërish tek kuqeblutë nëse drejtuesit e tyre ia plotësojnë kërkesat që ai ka.

Por nga ana tjetër, numri 10 i skuadrës shkodrane mësohet se ka nisur kontaktet me menaxherë të ndryshëm por edhe me ekipe të tjera të Superligës dhe në media ka nisur të flitet për një mundësi kalimi tek Kukësi. Megjithatë, deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Nuk përjashtohet mundësia që Shtubina të firmosë sërish për Vllazninë megjithatë ka edhe opsione të tjera. Largimi i tij mund të shoqërohej me ardhjen e një tjetër futbollisti që luan në të njëjtin pozicion. Madje, për më tepër që kemi të bëjmë me një shkodran. Bëhet fjalë për Gilman Likën. 30 vjeçari ka mbyllur kontratën me Tiranën dhe është për momentin futbollist i lirë por në Laç e duan ta kenë pjesë të tyren. Mesfushori gjithsesi ka dëshirë të rikthehet sërish në Shkodër dhe padyshim që Vllaznia është zgjedhja e parë për të. Mësohet se ditën e djeshme ka patur edhe një bisedë në mes tij dhe administratorit Gjyrezi dhe është biseduar për mundësinë e firmosjes së një kontrate. Këto dy ditët e ardhshme pritet një përgjigje përfundimtare dhe me shumë gjasa, Lika do të rivishet kuqeblu. Por ai nuk mjafton sepse skuadra nuk është përforcuar ende me lojtarët e duhur në pozicionet ku ajo ka nevojë. Po insistohet për një portier cilësor, për një qendërmbrojtës, një mesfushor qendre dhe një sulmues. Bisedimet me lojtarë të ndryshëm vazhdojnë por ende nuk ka asnjë firmë të hedhur në kontratë. Gjithsesi, deri në fund të kësaj jave mund të vijnë dhe lëvizjet e para tek Vllaznia.

© shkodrasport.com