Karriera e tij nuk është se ka qenë shumë brilante sepse nuk e lanë të ishte e tillë. E ndërprerë në mes, pa ndeshje ndërkombëtare, pa shkëlqimin e munguar megjithatë mbetet “I madh”. E kemi fjalën për Paulin Ndojën, emrin më të madh të portës shkodrane në vite. Jo më kot ai konsiderohet legjenda e portës së Vllaznisë. ka marrë dhe vazhdon të marrë vlerësime të shumta nga të gjithë. E respektojnë, e duan sepse ky njeri nuk di të hakmerret. As ndaj atyre që i kanë bërë keq. Në rrëfimin e tij të mëposhtëm për  gazeten online www.shkodrasport.com, ish-portieri i njohur i skuadrës shkodrane flet për gjithçka.

Kryesisht mbi kalvarin e vuajtjeve. Pikërisht për anën e errët, ato çfarë ka vuajtur ai dhe familja e tij. Anën sportive e njohim të gjithë. Të gjithë e kanë të qartë se kemi të bëjmë me portierin më të madh në historinë e Vllaznisë (jo më kot është edhe pjesë e 11-shes së saj të 90 viteve), kemi të bëjmë me një nga portierët më të mirë të viteve ’60-’70. Por dikujt nuk i pëlqente të duatrokiste për pritjet e këtij njeriu që ishte nipi i filanit, me biografi të keqe dhe prandaj e shkatërruan. Në fakt i shkatërruan vetëm karrierën sepse si njeri ka qenë dhe mbetet edhe sot i fortë. Ky është Paulin Ndoja, historinë e pazbuluar plotësisht të të cilit do ta lexoni më poshtë:

-Kalvari I vuajtjeve nis më 1965
Në vitin 1965 ka qenë fillimi I karrierës time sportive. Sëbashku me Sabah Bizin, Halil Pukën, Zyhdi Bashën e ndonjë tjetër, kaluam tek ekipi I parë I Vllaznisë me kërkesën e trajnerit Skënder Jareci. Karriera ime do merrte hov sepse në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të kupës ndaj Luftëtarit, ndeshja shkoi në barazim dhe kaluam tek gjuajtjet e 11-metërshave. Prita tre prej tyre dhe emri im pas këtij momenti filloi të bëhej I njohur. Pak ditë më vonë, do mundnim edhe Skënderbeun në finale dhe do merrnim një trofe pas 19 vjetësh. Me mbarimin e sezonit, ekipi I Vllaznisë deshi të shkonte për një miqësore në Shkup të Maqedonisë. U hartua lista por aty mora vesh se unë nuk isha I denjë për Partinë dhe nuk mund të kaloja kufirin. Kuptova se këtu do fillonte kalvari I vuajtjeve të mia.

-Ushtria- portierin e degdisin në Skrapar
Ka patur peripeci të mëdha pas thirrjes në shërbimin ushtarak. Ndonëse në Shkodër kishte filluar të bënte emër dhe konsiderohej një portier I perspektivës, Ndoja nuk mund të mbahej tek Vllaznia për të luajtur futboll por e degdisin larg, madje këtu janë përpjekjet e para për ta larguar nga sporti. Mjeshtri I portës e shpjegon bukur këtë gjë duke dhënë të gjitha detajet e atyre ditëve të vuajtjes dhe brengës së madhe. “Në vitin 1966 na marrin ushtar, mua, Selami Danin dhe Esat Rakiqin. Na çojnë fillimisht në në Tiranë tek klubi Partizani ku mblidheshin të gjithë lojtarët nga rrethet. Selamia mbeti tek Partizani ndërsa mua dhe Esatin na kthyen në Shkodër pas një jave në Korpusin 8001 Aty qëndrova pak ditë e ndërsa Rakiqi mbeti aty, mua më nisën me një motoçikletë ushtrie nga Shkodra në fshatin Gjeroven të Beratit, në një repart ushtarak jo me më shumë se 20 vjet. Mendova se po rri aty, por nga Shkodra erdhi urdhëri që Paulin Ndoja nuk do luante më futboll. Destinacioni I ri ishte Qafa e Gjarprit në Skrapar. Aty gjeta edhe Gëzim Kasmin, Bashkim Rudin e disa të tjerë. Rudi u largua shpejt por unë e Kasmi qëndruam në Çorovodë plot 20 muaj. Edhe aty u dha urdhër që unë s’kisha të drejtë të luaja. Ky ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time. Nuk mendoja se duhej të vuaja kaq shumë kur s’kisha asnjë faj”.

-Takimi I nënës me Ramiz Alinë
Urdhëri I ardhur nga Shkodra për të mos luajtur më futboll, madje as në Skraparin e largët, e lodhi shumë nga ana psikologjike. Në ato momente Paulini mund të ketë menduar shumë gjëra, ndoshta edhe ato ekstreme. Megjithatë don gjendej një zgjidhje. Për të do mendonte pikërisht nëna e tij. Portieri e shpjegon me shumë emocione dhe nostalgji njëkohësisht për vuajtjet e së ëmës këtë histori. “Duke parë shqetësimin tim për vendimin që më ishte komunikuar, nëna ime- Sllavka, bëri një sakrificë të madhe. Në fakt asaj I jam shumë mirënjohëse sepse I solla vërtetë shumë shqetësime në jetën e saj. Një ditë ajo mori rrugën për në Tiranë dhe atje I bën një telegram Ramiz Alisë meqë ishte deputet I Shkodrës pikërisht I lagjes “3 Heronjtë” ku jetoja unë. I kërkon atij takim për punën time dhe Alia e pret. Nëna, meqë ishte e huaj (ishte nga Podgorica) i kërkoi deputetit aktivizimin tim në futboll ose ndryshe do largohej nga Shkodra drejt vendit të saj ose do kalonte në vetëgjyqësi. Ramiz Alia I përgjigjet : “mos u mërzit, djali yt do fillojë të lozë menjëherë por vetëm atje ku është sepse nuk mund ta sjellë tek Partizani ngaqë kjo është në dorën e teknikëve”. Pas kësaj fillova të luaja dhe nga kjo u çlirova disi. Ky ishte ndoshta gëzimi më I madh I jetës time sepse kuptova se do filloja të luaja prapë dhe ashtu ndodhi. Unë luajtja me Skraparin”.
-Ndoja nuk luan në Kupën Ballkanike
“Telashet” kishin filluar për portierin e mirënjohur. Në vitin 1968, Vllaznia luan një ndeshje për Kupën Ballkanike në Rumani por para nisjes, do ketë “skartime”. Trajneri Xhelal Juka dhe futbollistët Hajrullah Leka, Frederik Çapaliku e Paulin Ndoja mbeten në Shkodër sepse nuk biografia nuk I lejon të kalojnë kufirin. Për rrjedhojë, ata të katërt sëbashku detyrohen të stërviten në Shkodër ndërsa ekipi luante në Rumani. Por ky nuk është i vetmi rast sepse ka edhe të tjerë në karrierën e tij si sportist. Por jo vetëm. Edhe si trajner i portierëve të Vllaznisë njëjta histori. Në vitin 1987 kur shkodranët luajnë në Kupat e Europës në Maltë dhe Finlandë, Ndoja mbetet në Shkodër sepse sërish nuk e lënë të shoqërojë ekipin. Vuajtje të pafund për të.

 

-Kërkesa nga Partia për të ndarë gruan
I ka ndodhur edhe ndonjë sportisti tjetër, I ka ndodhur edhe Paulinit. Ai u fejua në vitin 1971 por kishte marrë vajzën jo të duhur, për Partinë. Themi kështu sepse njerëzit e saj, do t’I kërkonin pak kohë më pas, ta ndante atë. Portieri I mirënjohur jep detajet e kësaj ngjarje: “Më thërrasin në zyrën e Sekretarit të Partisë dhe më thonë se duhej të ndaja gruan ngaqë familja e saj në Tiranë, ishte me biografi të keqe. Familja Diamanti (e gruas time) akuzohej nga shteti I asaj kohe për vënien e bombës në Ambasadën sovjetikë në vitin 1951. E fejuara ime kishte lindë në atë vit dhe nuk e di çfarë faji mund të kishte ajo në këtë mes. Unë shkova në shtëpi, I tregova babës e axhës të cilët më thanë: bëj gati teshat e dorëzoji dhe lërë sportin se gruan nuk ke për ta ndarë”. Në të vërtetë atë ditë nuk shkova në klub për të dorëzuar teshat por pas dy ditësh, çojnë një person e më thërrasin në klub. Partia të ka dhënë edhe një shans tjetër, më thonë dhe madje më dhanë edhe një shpërblim një rrogë 15 ditëshe se për çfarë nuk e di dhe as nuk e mora vesh kurrë”

-“Gjej një komunist në fis të vazhdosh sportin”
Karriera sportive e Paulin Ndojës ka patur brenda edhe të qeshura. Ish-portieri I njohur në vitin 1971, atëherë kur filluan t’I përmendin rregullisht problemet e karrierës, I patën bërë një kërkesë të çuditshme. “Më bënë një ofertë: Shko në shtëpi më thanë dhe thuaj prindërve se duhet të gjejnë një komunist në fis në mënyrë që unë të vazhdoja sportin. Ose të paktën, ndonjë vajzë nga fisi ynë të ishte fejuar apo të fejohej me ndonjë komunist. Dukej qartë se kjo ishte edhe për t’u talluar sepse ata e dinin mirë biografinë time dhe të familjes time”-thotë sot Ndoja.

 

-Kombëtarja, ndeshja e vetme kundër kinezëve
Paulin Ndoja është thirrur në vitin 1969 me Shpresat në prag të një ndeshje në Rumani duke qenë përkrah Pernaskës, Çutrës, Ismet Hoxhës, Millan Vasos etj por kur ekipi niset, kuptohet që për të urdhëri ishte të kthehej prapa. Po ashtu grumbullohet edhe në vitin 1971 përpara ndeshjes me Finlandën, qëndron një muaj i grumbulluar në Tiranë por sërish e largojnë. E vetmja ndeshje që shkodrani ka arritur të veshë fanellën e kombëtares, ka qenë ajo kundër kinezëve. Ndoja e kujton me shumë nostalgji atë ditë. “Ishte ndeshje miqësore që e luajtëm në Tiranë dhe unë luajta në atë takim. Fituam 2-1. kjo ishte ndeshja ime e parë dhe e fundit me kombëtaren. Ajo çfarë më bënte përshtypje mua ishte se më grumbullonin sërish ndonëse e dija që nuk do dilja jashtë. Kjo më bënte shumë kuriozë”-thotë ai.

-1973- përjashtimi nga futbolli
Një vit më parë kishte qenë protagonist në fitimin e të dy trofeve me Vllazninë. Kishte filluar të bënte shumë vetë të duatrokisnin atë për lojërat e zhvilluara por dikujt nuk do I pëlqente kjo gjë. Për rrjedhojë në vitin 1973, atë e përjashtojnë përfundimisht nga futbolli. Legjenda e portës shkodrane e shpjegon qartë njëlloj sikur të kishte ndodhur pak kohë më parë kjo gjë dhe jo 38 vjet më parë.
“Një ditë më thirrin në klub. Gjendem para 5-6 vjetëve të cilët pas disa fjalëve të bukura për kontributin që kisha dhënë për Vllazninë, kryesisht përralla këto, më japin vendimin për largimin përfundimtar nga sporti. Motivacionin e dija sepse biografia më ndiqte gjithnjë pas. Në fakt disa ditë më parë kisha dëgjuar se në një Ministri shumë të rëndësishme, titullari I saj që ishte Kadri Hazbiu, në një mbledhje kishte deklaruar: “Ne nuk mund të duatrokasim për portierin e Shkodrës sepse ai është nipi I filanit”. Kjo më kishte çuditur në njëfarë mënyre sepse mbaj mend se një vit më parë, në një ndeshje kundër Dinamon kur u ndamë 0-0 dhe unë isha paraqitur mirë, ai erdhi në dhomat e zhveshjes së ekipit tonë, më përqafoi dhe mu drejtua mua duke më thënë: “Na kënaqe, kështu vazhdo”. Kjo fytyrë më kishte ra vazhdimisht në sy sëbashku me Adil Çarçanin në tribunën e “Qemal Stafës” sa herë që luanim në Tiranë por se çfarë ndodhi një vit më pas, nuk e mora vesh taman. Vendimi për të më përjashtuar, më rëndoi shumë. Më dukej sikur bota po shembej mbi kokën time”.

-“Më heqin edhe vëllain 10 vjeç nga sporti”
Hakëmarrja për familjen Ndoja nuk u përqendrua mbyllej me kaq. Jo vetëm Paulini, por nga sporti do largoheshin edhe dy vëllezërit e tij të tjerë. Çfarë është më e çuditshmja, edhe vëllain e vogël 10 vjeç. Absurde por ky është konfirmimi I asaj çfarë ka hequr kjo familje. “Fredi, vëllai im I dytë luante atë periudhë si sulmues me ekipin e të rinjve. Trajner kishte të Selami Danin. Edhe për të I njëjti urdhër: të largohej nga sporti. Por nuk do mjaftonte me kaq lufta e atij rregjimi ndaj familjes sonë. Vëllai im I vogël Franci luante portier me ekipin e fëmijëve të Vllaznisë me trajner Muhamet Dibrën. Këtij I thonë se nuk duhet t’I japësh fanellë këtij sportistit kur të tjerët kishin marrë të gjithë dhe për rrjedhojë e largojnë me marifet edhe atë. Nuk do ta harroj kur keqardhjen që pat shprehur I madhi Dibra. Ky njeri që në gjysmëfinalen e vitit 1965 kur prita tre penallti dhe çova ekipin tim në finale, erdhi më mori në krahë dhe më çoi para tribunës duke bërtitur: ky është heroi! Ky njeri I jashtëzakonshëm pas disa vitesh detyrohet t’ia largojë vëllain nga sporti këtij “heroi” dhe në atë periudhë është shprehur: Gjithçka kam menduar por me arrit deri këtu sa me largu nga sporti edhe një fëmijë 10 vjeç, këtë s’ma kishte marrë mendja”. Por gjërat ishin vendosur. Askush nuk mund t’I kthente këto urdhëra.

-Kundërshtar edhe shokët e mi të ngushtë
Në momentin e marrjes së vendimit për të më larguar nga sporti, Ndoja ka zbuluar edhe fytyrën e vërtetë të disa prej atyre që ai I kishte konsideruar miqtë e tij më të mirë. “Ka patur ndonjë nga futbollistët e asaj kohe të Vllaznisë, madje lojtar me emër i Vllaznisë dhe ekipit kombëtar, që ka shkuar në Komitetin e Partisë në atë periudhë dhe është shprehur: “Hyj unë në portë (ndonëse ai luante në mesfushë) vetëm Paulin Ndojën të mos e shoh më aty”. Nuk e kam kuptuar kurrë gjithë këtë mllef që njerëz të tillë kanë patur ndaj meje. Megjithatë unë e kam falur atë dhe shumë të tjerë sepse nuk kam dashur dhe nuk do kem asnjëherë kundërshtar. Unë vazhdoj t’I trajtoj këta njerëz si miq të mi edhe në këto ditë. Por nëse ka patur njerëz që më kanë dashur të keqen, ka patur edhe prej atyre që kanë dashur të më ndihmojnë. S’kam për ta harruar kurrë atë çfarë ka bërë drejtori I fabrikës së këpucëve ku unë punoja. Ai bisedoi në Lezhë me Cuf Pelingun që ishte trajner I Besëlidhjes për të më aktivizuar në këtë skuadër. Ata shkojnë të takojnë Kryetarin e Komitetit të Partisë së Shkodrës dhe I kërkojnë të më lejojnë të luaj në Lezhë. Përgjigja që morën ishte: Vetëm nëse e pasaportizoni në Lezhë se për në Shkodër as që nuk bëhet fjalë. Ishin iluzione të kota dhe pas kësaj humba çdo shpresë. Ishte vendosur tashmë: karriera ime duhej të ndërpritej. Emri dhe fama që kasha marrë, i prishnin punë dikujt”.

 

Biografia
Burri I hallës së Paulinit, ka qenë një emër I mirënjohur. Pikërisht hija e Kol Bibë Mirakës, ish-Ministrit të Brendshëm në kohën e Italisë, do ta ndiqte pas familjen e tij. Këtë gjë do ta vuajnë fillimisht baba dhe axha I portierit të njohur. Të dy ata arsimtarë të njohur, madje axha kishte mbaruar studimet e larta në Zagreb . Axha I Paulinit në vitet ’50 u dënua me 25 vjet me burg politik, nga të cilat bëri 8 dhe më pas, e çuan të punonte në tulla, ndërsa të atin me thy gurë. Gjërat ishin të qarta: në pamundësi për t’i dënuar edhe më tej pjestarët e familjes Ndoja, do “merrej hak” me largimin nga futbolli të Paulinit dhe vëllezërve të tij.


-Finalet e Spartakiadës së 2-të, historia e rrallë

Në vitin 1969 ka ndodhur një histori e rrallë në futbollin shqiptar. Zhvilloheshin finalet e Spartakiadës së 2-të kombëtare në Tiranë. Vllaznia eliminohet në gjysmëfinale dhe ekipi pas humbjes merr rrugën për në Shkodër. Në Tiranë mbesin vetëm Paulin Ndoja dhe Lekë Koçobashi që ndalen për disa punë të tyre. Në atë kohë, në autopolantin e stadiumit “Qemal Stafa” Alfred Kazanxhiu, thërret ekipin e Vllaznisë për të gjuajtur penalltitë me Flamurtarin për të ndarë vendin e 3-4. “Koçobashi nuk pranon të gjuajë dhe për rrjedhojë kam gjuajtur dhe pritur vetë penalltitë duke çuar në këmbë gjithë stadiumin. Penalltinë e fundit ma ka shënuar i madhi Mexhit Haxhiu duke më mundur por kjo është një histori vërtetë e rrallë që nuk është përmendur shumë”- thotë protagonisti i asaj ngjarje të rradhë.

 

Titujt e munguar të legjendës së portës
Gjatë ushtrimit të karrierës së tij sportive, por edhe atë si trajner, për Paulin Ndojën as që bëhej fjalë të kishte ndonjë titull sportiv. Ai po fitonte trofe, ishte anëtar i ekipit kombëtar, një nga portierët më të mirë të Shqipërisë dhe meritonte diçka. Por biografia edhe këtu e pengonte. Çka do të thotë se të gjitha nderimet për këtë mjeshtër të madh të portës, kanë ardhur pas viteve ’90 me ardhjen e demokracisë. Ai ka marrë me marrë shumë tituj duke filluar nga “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës”, Çmimin “Palok Nika” në sport, është pjesë e “11-shes më të mirë të Vllaznisë të 80 dhe 90 viteve”. I ka merituar padyshim të gjitha sepse ka dhënë për këtë sport. Megjithatë mosdhënia e tyre në kohën e duhur, ka mbetur ende si peng në zemrën e tij. Madje, Ndoja kujton edhe një tjetër detaj shumë të bukur. “Në vitin 1969, siç zhvillohet zakonisht anketa për “5 sportistët më të mirë të vitit”që ka qenë atëherë, një nga kandidatët për të fituar kam qenë edhe unë. Kam qenë ndër të preferuarit e shumë lexuesve që votonin në faqet e gazetës “Sporti Popullor” të asaj kohe krahas emrave të tillë si Agim Fagu, Marjeta Pronjari,Ylvi Pustina, Medin Zhega etj. Mbaj mend madje e kjo më ka mbetur ende në kujtesë se më kishin votuar si fitues edhe dy kufitarë nga rrethi i Korçës. Më çuditi kjo gjë se kufitarët punën bindëse të Partisë e kishin gjënë më të rëndësishme për ta e ndërkohë votojnë për një sportist me biografi të keqe!!! Kjo më çuditi sepse unë e dija që nuk fitoja dhe këtë ma kanë shprehur njerëzit përkatës vetë në Tiranë duke më thënë se ti nuk mund të jesh fitues në këtë anketëpër shkak të biografisë që ke”-kujton sot pas 42 vitesh Paulini.

 

Karrira si trajner i portierëve
E ka nisur atë në vitin 1985 atëherë kur asnjë ekip në Shqipëri nuk kishte trajner portierësh.Paulin Ndoja është i pari edhe në këtë lloj në vendin tonë. Falë insistimit të Astrit Hafizit në atë kohë që ishte trajner i Vllaznisë dhe këmbënguli në Komitetin e Partisë për ta patur në stafin e tij. Emërimi erdhi por me shumë ngurrim. “A e dini se si kam qenë i emëruar në organikën e klubit Vllaznia? Si trajner i ekipit të pingpongut dhe merrja vetëm 700 lekë të vjetra rrogë në muaj. Megjithatë isha i lumtur. Isha rikthyer tek pasioni im i madh i jetës dhe për këtë ia di për shumë faleminders Hafizit”- thotë Ndoja. Që nga 1985-a e largët e deri sot, ky njeri vazhdon të stërvisë e të nxjerrë portierë. Duke filluar nga Maliqati, A. Dani, Hoxha, Nako, Grima, P. Martini, H. Dani, Mustafa, Shehi, Gjeloshi, G. Ndoja, Bishani etj. E bën këtë punë dhe është i parë trajner portierësh që lëviz në një qytet tjetër, duke punuar edhe në Lezhë dhe tani së fundi në Velipojë tek Ada .

Është 65 vjeç por duket ende i ri.Ka sërish për të dhënë dhe këtë premton vetë mjashtri Ndoja kur deklaron: “Do vazhdoj të stërvis portierë derisa të kem frymë dhe besoj se do jem edhe për një kohë të gjatë në këtë punë sepse më mban pasion i madh për këtë sport”.

Trofetë:
Si portier Paulin Ndoja ka fituar Kupën e Shqipërisë në vitin 1965 me Vllazninë, Kupën dhe kampionatin në edicionin 1971-72. Ndërsa si trajner, ka marrë kupën më 1987, titullin kampion në vitin 1992, 1998 dhe 2001