Nëse flasim për basketbollin e femrave në Shkodër, sigurisht që nuk mund të anashkalosh kurrsesi një emër: atë të Artenca Tufit. Për këtë vendos karriera e saj e shkëlqyer, çka e ka bërë atë një nga basketbollistet më të mira të Shqipërisë në vitet ’60.ka lindur në Shkodër më 8 korrik 1943 në një familje të vjetër shkodrane dhe me tradita. Prindërit nuk e pengojnë as atë dhe as fëmijët e tjerë të merren me sport dhe për këtë arsye, Artenca shumë shpejt do të lidhej ngushtë me këtë fushë të jetës. Të njëjtën gjë bënë edhe dy fëmijë të tjerë të kësaj familje, Vildani me atletikë dhe Moza me basketboll duke lënë të tre gjurmë në sportin shkodran.
Artenca e filloi sportin në moshën 13 vjeçare dhe e la atë 30 vjeçe kur ishte nënë me fëmijë.

Dha një kontribut të madh për 17 vite me rradhë duke lënë gjurmë tek Vllaznia dhe sporti shqiptar. E ka nisur sportin duke u marrë me atletikë dhe në vitin 1958 thyen rekordin e garës së 200 metrave për moshat, merr medalje në garën e kërcimit së gjati, merr pjesë edhe në garat e 400 metrave, atë të stafetës etj duke zënë disa vende të para jo vetëm si individe por duke ndihmuar edhe vajzat e Vllaznisë me Feti Dizdarin në krye që të jenë kampione të vendit. Në vitin 1961 vendos përfundimisht që të lërë atletikën dhe t’i përkushtohet basketbollit, duke qenë menjëherë në pesëshen e parë, madje edhe kapitene ekipi. Njëkohësisht është edhe pjestare e ekipit kombëtar dhe jo në një pozicion dosido por duke qenë titullare e padiskutueshme në formacion për disa vite me rradhë. Merr pjesë edhe në shtatë turne ndërkombëtar si në Gjermani në vitin 1972 etj.
E ka lënë sportin në vitin 1973 duke lënë pas një emër shumë të mirë në basketbollin shkodran dhe atë shqiptar. Artenca Tufi është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”, ka titullin “Mjeshtre Sporti”. Ka përfunduar edhe dy fakultete, atë Kimi- Biologji dhe me atë Insitutin e Fiskulturës duke punuar me shumë pasion më pas si mësuese fiskulture në shkollën “10 Korriku”. Njëkohësisht ka qenë edhe anëtare e kryesisë së BFSSH-së dhe e Federatës së Lojërave me Dorë për dy legjislatura.
Gjergj KOLA