Të humbësh mundësinë për të marrë pjesë në botëror, për një futbollist është si t’i biesh me shkelm jetës. Ta dish që këtë mundësi ta kanë shitur, është sa e dhimbshme dhe absurde. Por për Ferit Ragamin, që të dyja kanë ndodhur në vitin 1985. Një nga yjet e kombëtares së viteve ’78 – ’90, tregon në një intervistë për gazeten, dyshimet e tij se dikush nga byroja politike me urdhrat që dha krijoi edhe mundësinë që Shqipëria të humbte dy nga ndeshjet ku vendosej fati i botërorit. Për futbollistin e mirënjohur të Vllaznisë e Partizanit ky është pengu i jetë, diçka që nuk do t’i hiqet kurrë nga mendja.

Në intervistë ai tregon se përse dyshon që ndeshja, për një arsye apo një tjetër, u shit. Urdhri për rifreskimin e kombëtares dhe ndryshimet taktike që u imponuan nga lart. Peripecitë e mbrojtësit, që nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë sportive, sepse kishte 7 marksizmin. Jeta e tij në fushën e blertë, që nga momenti kur preku për herë të parë topin.

Si u bëtë futbollist?
Pranë shtëpisë sime në Shkodër kishim një fushë futbolli dhe aty kam filluar të luaj që në moshën 6-vjeçare. Më pas, në klasë të katërt fitova në konkurs dhe u futa në shkollën sportive për të vegjël, të cilën e vazhdova deri në moshë të rritur. Madje fitova edhe konkursin për në shkollën e mjeshtrisë sportive në Tiranë, ku bëra të mesmen. Do të doja të kisha vazhduar edhe të lartën e Mjeshtrisë Sportive atëherë, por nuk ma dhanë të drejtën, pasi unë e kisha marksizmin 7 dhe jo 8, sa duhej për të vazhduar të lartën.A mund të na përshkruani rrugën e karrierës suaj?
E kam filluar me Shkëndijën, klubin e shkollës së “Mjeshtrisë Sportive”, në fillim me të rinjtë, më pas me të rriturit në kategorinë e dytë e në kategorinë e parë. Kur nuk arrita të vazhdoja shkollën e lartë, më kaluan te Vllaznia, ku luajta deri në moshën e ushtrisë. Gjatë kohës që isha në ushtri, për 3 vjet luajta me Partizanin. Dua të them se këtu pata një ndihmë të madhe dhe mu dha e drejta që të dilja jashtë e të luaja me kombëtaren e për këtë falënderoj Maliq Salushin dhe Ilir Hoxhën, djalin e udhëheqësit të atëhershëm.
Cila është ndeshja e parë me kombëtaren?
Me kombëtaren jam aktivizuar shpejt në një sërë takimesh. Por ndeshja e parë është ajo kundër Finlandës në 1980, ku ne fituam 2 me 0.
Çfarë mbani mend nga takimet ndërkombëtare që keni luajtur, cili ju ka lënë më shumë mbresa?
Më kujtohet mirë takimi në 1984, me Poloninë, që atëherë mbante vendit e tretë në botë.

Ne arritëm të kryesonim takimin deri në minutat e fundit 2 me 1 dhe vetëm 7 minuta para përfundimit polakët barazuan rezultatin në 2 me 2. Kanë qenë dy gola fantastikë ato të asaj ndeshje, një i Omurit dhe një i Agustin Kolës.
Grupi juaj është cilësuar si një nga kombëtaret më të mira?
Më kujtohet se kemi qenë një grup lojtarësh të mirë, nuk dua të mburr askënd, por duke filluar që nga porta me Perlat Mustën, por edhe rezultatet që arritëm ishin shumë të mira. Mendonim atëherë se na duhej vetëm një fitore, që vlerësohej me dy pikë dhe një barazim për të kaluar në botëror dhe dy barazime për t’u përfshirë në fazën e dytë eliminatore.
Çfarë kujtoni nga takimi me Poloninë?
Më kujtohet ky takim, edhe pse ishte deciziv. Ky ka qenë momenti që kombëtarja jonë ishte më pranë kualifikimit për në botëror. Madje, mbaj mend që atje takuam edhe trajnerin e Belgjikës, i cili kishte ardhur të shihte gjendjen e dy kundërshtarëve. Ka qenë një episod me këtë të fundit, pasi erdhi në hollin e hotelit ku ndodheshim ne dhe për të na provokuar na tha: “Ju jeni futbollistët shqiptarë, s’ka mundësi, nesër keni për të humbur 7 me 0, pasi ju jeni shumë të dobët. Mbaj mend se unë, Musta dhe Ahmetaj, u munduam për rreth një orë që t’i mbushnim mendjen që ishim futbollistë. Në fund i thamë: “Shiko, ne jemi futbollistët e Shqipërisë dhe nesër jo vetëm që do të luajmë shumë mirë, por edhe do ta fitojmë takimin”. Në të vërtetë ne kryesuam gjatë gjithë takimit dhe polakët e Bojekut të madh barazuan vetëm në fund të takimit.


Ju thatë se kombëtarja kishte mundësinë për të arritur në finalet e botërorit. Si mendoni përse nuk u arrit kjo?
Mbaj mend që atëherë ka ndodhur një gabim. Nuk di çfarë emri t’i vë, por pikërisht kur na mbeteshin edhe dy ndeshje e ne na duhej vetëm të barazonim, vjen një urdhër nga lart nga Byroja Politike, ku thuhej: “Të rifreskohet 40 për qind ekipi kombëtar”, pikërisht në bazë të këtij urdhri, në dy ndeshjet që vijuan u lanë në stol lojtarë të grupit të parë dhe u futën lojtarë të marrë nga Shpresat. Ne humbëm 2 ndeshjet me Greqinë dhe Poloninë, ishin pikë që nuk kishim pse t’i humbnim. Mendoni, ne kishim barazuar me Poloninë në Varshavë dhe kishim mundur Belgjikën në Tiranë. Ndërsa do të humbisnim me Poloninë këtu me rezultatin 0 me 1 me gol të Bonjek, i cili sapo kishte ardhur nga një takimi i kupës së Kampioneve Juventus-Liverpul dhe nuk kishte pushuar fare. Kujtoj se ai shënoi sapo u fut në lojë. Edhe në Greqi e në Athinë ku u zhvillua takimi, pësuam gol që në minutat e para.
Cilët futbollistë munguan dhe pse mendoni se u lanë në stol?
Mbaj mend që në stol ishim unë dhe Arjan Hametaj, por edhe të tjerë të formacionit bazë. Nuk mund të them se ajo që ndodhi ishte vendim i trajnerit, pasi në atë kohë mjaftonte një urdhër dhe trajneri ishte i detyruar ta zbatonte, ishin të tjerët që ngriheshin dhe thoshin, ky do të luajë, ky nuk do të luajë dhe kjo nuk mund të kundërshtohej.
Cili ishte personi që dha urdhrin për të rifreskuar ekipin?
Po sigurisht që e mbaj mend. Ishte një nga të byrosë, nuk mund t’ia them emrin.
Çfarë arsyesh kishte për ta bërë këtë?
Nuk e di. Ishte një gabim, me dashje apo pa dashje. U bënë ca ndryshime taktike, për të cilat nuk mund të fajësoj trajnerin, që sollën edhe në humbjen e ndeshjeve.
Si mund të bëhej një gabim i tillë?
Atëherë po mund të bëhej. Vinte një urdhër dhe kaq, nuk kishe mundësi që të ndryshoje asgjë. Pati edhe probleme të tjera, në Greqi u arratis përkthyesi i kombëtares.

Ju ishit të sigurt që mund t’i fitonit ato takime?
Sot nuk e di se çfarë do të ndodhte. Po ne si grup ishim të bindur që mund t’i fitonim ato takime. Kishim mundur për 83 minuta vendin e tretë të botës, Poloninë, e ata na barazuan vetëm në 7 minutat e fundit. Kishim mundur Belgjikën, që u kualifikua për në bot-ëror. Ne në vetvete ishim të sigurt që do të shkonim në finale.
Po pse dikush nga lart të jepte urdhra të tillë?
Arsyet ishin të thjeshta, ne duhej të humbnim, nuk duhej të shkonim në botëror.
Kush mund ta dëshironte këtë dhe pse?
Ata lart. Nuk mund të them me siguri pse, po e vërteta është se kështu ndodhi. Dikush nuk donte që ne të fitonim, për arsyet e tij politike apo…
Sot ka shumë raste kur ndeshjet shiten, mos doni të thoni që edhe atëherë kishte të tilla veprime?
Shiko, edhe atëherë si sot kishte kontrabandë, vetëm se ajo ishte e centralizuar në duart e dikujt.
Atëherë ndeshja ishte e shitur?
Kam dyshime për këtë. Ndodhi diçka dhe u bë në mënyrë të atillë që askush të mos dyshonte. Madje as vetë lojtarët të mos ta merrnin vesh që do të humbnin.

U bënë ndryshime taktike, për të cilat nuk mund të fajësoj trajnerin, pasi jam i sigurt se nuk do t’i bënte ai. Pastaj ishte edhe urdhri për rifreskim të skuadrës, i pakuptimtë, kur skuadra po jepte rezultate shumë të mira. U hoqën lojtarë të formacionit bazë dhe u futën ata të Shpresave. Sigurisht edhe ata që u futën ishin lojtarë me perspektivë dhe me një të ardhme të sigurt, por ishin pa eksperiencë në takime të kësaj natyre, aq më tepër decizive.

Pra kemi humbur botërorin, pasi ndeshjet u shitën?
Mendoj se po. Kam shumë dyshime për këtë.
Si jeni ndjerë pas kësaj që ndodhi?
Më ka mbetur peng. Është e sigurt që do ta kem peng deri në vdekje. Është një nga gjërat që nuk do ta harroj asnjëherë. Mendoni, ne qëndronim në stol dhe na hanin këmbët që të luanim dhe atje kombëtarja humbte, në ndeshje si ajo me Greqinë, ku ne minimalisht pretendonim të merrnim barazimin.
Keni fituar disa tituj, cili është më i rëndësishmi për ju?
Kam fituar 5 kupa dhe tre kampionate e gjithashtu edhe titullin Kampion Ballkani për të rinj. Për mua titujt të gjithë janë të rëndësishëm; ata janë njëlloj.
Çfarë nuk ju pëlqente nga futbolli?
Nuk më kanë pëlqyer pazaret për ndeshjet, spiunët dhe fakti që shpesh futbollistët shqiptarë sillnin nga jashtë mallra kontrabandë.
Cili do të ishte profesioni që do të zgjidhnit nëse nuk do të ishit bërë futbollist?
Këngëtar i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe këngëve lirike.
Çfarë ju ndihmoi që të bëheshit futbollist i mirë?
Nuk kam qenë teknik e as i zbritur nga qielli, unë gjithçka e kam realizuar me punë.
A e mbani mend golin më të bukur që keni shënuar?
Unë isha mbrojtës e mesfushor, megjithatë kam shënuar.

Nuk mund të them se mbaj mend golin më të bukur, por më i rëndësishmi ka qenë ai kundër Flamurtarit në Vlorë. Ndërsa nga larg kam bërë disa gola dhe ai që më kujtohet është goli kundër Rijekës në Jugosllavi, ku kisha shkuar si përforcim për Skënderbeun e Korçës. Kam gjuajtur dhe kam shënuar gati nga 35 metra.
Cilët janë kundërshtarët dhe lojtarët që keni vlerësuar më shumë?
Në futbollin botëror, edhe pse nuk përshtatej me mua si tip dhe si futbollist, kam pëlqyer futbollin brazilian. Në Shqipërinë e atëhershme më pëlqenin një sërë skuadrash si: Dinamo, Partizani, Tirana e padyshim Vllaznia. Ndërsa si kundërshtarë më të mirin këtu kam vlerësuar gjithmonë Andrea Markon e Dinamos.
Nëse do të kishit mundësi, me cilin klub të huaj do të kishit luajtur?
Kam pasur oferta nga Bryzh i Belgjikës, i cili atëherë ishte shumë i vlerësuar. Por unë do të doja të kisha luajtur me Milanin në Seria A të Italisë.
Si dhe pse e latë futbollin?
Është histori e gjatë. Në vitin 1990, na kërkuan që të humbisnim një ndeshje kundër ekipit të Lezhës, që këta të mos binin nga kategoria, por unë nuk pranova. Në atë takim u futa në pjesën e dytë dhe shënova dy golat e fitores 4 me 2. Pas kësaj, në ndeshjen për kupë me Dinamon, ata që kishin pranuar të shisnin ndeshjen me Lezhën humbën penalltitë që do të na çonin në finalen e kupës. Pas ndeshjes shkova dhe i përshëndeta të gjithë e u largova, nuk i duroja këto gjëra në futboll. Ndeshjen e lamtumirës e bëra 3 muaj më vonë.
A do të kishit luajtur akoma?
Po, minimalisht edhe tre vjet të tjera.
E ndiqni futbollin shqiptar tani?
Jo. Nuk më pëlqejnë ato që bëhen me futbollin tani dhe mënyra se si drejtohet. Kombëtaren e kam ndjekur, madje në stadium kam qenë në ndeshjen me Greqinë.

Puna nuk më lë shumë kohë për futbollin, por nga lojtarët shqiptarë që kam ndjekur e që luajnë jashtë, më ka pëlqyer më shumë në lojën mbrojtëse e në fuqinë e goditjes së topit Adrian Aliaj.
Cili ka qenë trajneri më i mirë që keni pasur?
Kam pasur shumë trajnerë të mëdhenj si: Shyqyri Rreli, Loro Boriçi e të tjerë, por Bejkush Birçe është idhulli im. Ai ishte i vetmi trajner që grindej me anëtarët e byrosë për problemet e futbollistëve.
Portieri që vlerësoni më shumë dhe që ia kishit frikën?
Nga portierët unë do të vlerësoja në veçanti Mustën. Gjatë karrierës sime futbollistike dhe për aq sa e njoh unë futbollin, Shqipëria nuk ka pasur portier më të mirë se sa Perlat Musta.

Jeteshkrimi

Emri: Ferit Ragami
Vitlindja: 1957
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Tiranë
Profesioni: Futbollist, aktualisht menaxher
Ka luajtur me : Vllazninë (’76 – ’78, ’81 – ’90), Partizanin(’78 – ’81), Shkëndijën (’72 – ’76)
Vlerësime: Mjeshtër i Sportit, Mjeshtër i Merituar i Sportit

Kombëtarja që befasoi botën

Historia e kombëtares që luajti në vitet 1984-1986 për eliminatoret e Botërorit të Meksikës, është ndoshta pjesa më e bukur dhe më e trishtuar e historisë së futbollit shqiptar. Sigurisht jo vetëm atëherë, por edhe sot, djemtë që përfaqësojnë ngjyrat e vendit tonë, në futboll janë gjithmonë në qendër të vëmendjes së pjesës më të madhe të vendit.

Por atëherë, Shqipëria, mund të kishte qenë surpriza botërore. Shqipëria, me drejtues Shyqyri Rrelin do të barazonte 2 me 2 me Poloninë, që ishte një ndër skuadrat më të mira të botës e një vit më vonë, do të fitonte kundër Belgjikës që ndodhej në kulmet e saj. Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Ocelli, F.Ragami, Demollari, Muça, Josa, Minga, Kola, Omuri e mjaft të tjerë, ishin shqiptarët, që vunë në pozitë Poloninë e Bonjek, kampion Evrope me Juventusin dhe Belgjikën e Shifos. Sigurisht, bëhej fjalë për një grup, mjaft shpresëdhënës. Madje, një pjesë e këtyre lojtarëve, kishin çuar Shqipërinë, në 8-shen e shpresave më të mira të Evropës. Një plejadë e papërsëritshme, që do t’i mbyllte ato eliminatore me golavarazhin 6-6.

Ragami, futbollisti që u bë menaxher

Presidenti i firmës ku punon futbollisti, qëllon rastësisht aty, dhe të thotë menjëherë që pasi e kishte admiruar si futbollistët tani po i admiron edhe punën si menaxher. Për Ferit Ragamin futbolli është ndryshe nga biznesi. Këtu atë e ka përplasur jeta e tranzicioni dhe kjo është një punë, ndërsa futbolli ishte pasioni i tij.

Golashënuesi me këmbë 45-sa

“Numrin e këmbës, me këpucët që ne veshim tani, unë e kam 45-së”, thotë Ragami, ndërsa tregon me sy nga këmba, me të cilën ka shënuar 90 gola. Ndërsa buzëqesh, na shpjegon se këpucët sportive që ai vishte ishin 42-shi dhe në ato që visheshin dikur ishin 44-ra. Sigurisht, nëse për dikë tjetër do të dukej shumë e çuditshme, për ata që e njohin Ragamin kjo është normale. Njeriu që shënonte gola nga 40 metra, nuk mund të kishte një këmbë të vogël. Por tani Ragami nuk i ka mirë punët me këmbën e djathtë të golave, e cila pas një incidenti nuk i bindet më dhe madje që prej asaj dite ai nuk luan më me të.

Brigel, Mateus, Magat, tre gjermanët e vështirë

Nuk mund të rrijë pa përmendur se tre kundërshtarët më të vështirë të huaj, për të janë gjermanë. Duke filluar me Magat dhe Mateus e për të vazhduar më pas me trajnerin e sotëm të kombëtares sonë Hans Peter Briegel. “Këta kanë qenë një treshe e vështirë, bëhej fjalë për kampionë bote”, thotë Ragami. Ndërsa i kujtohet e tregon një nga historitë më të çuditshme të jetës së tij. Duke qenë se ishte një me “njollë në biografi”, Ragami ishte ndër futbollistët që nuk mund ta zëvendësonte bluzën e kombëtares, me kolegët kundërshtarë. Ai kujton se në një nga ndeshjet me Republikën Federale Gjermane, të gjithë shokët i kishin shkëmbyer bluzat, ndërsa vetë Ragami jo. Madje ai i ka dhënë bluzën e tij Magat, por pasi i kishte hequr stemën. “U desh të ndërhynte Rumenige, që unë më në fundt të pranoja të jepja edhe st emën e kombëtares, por gjithmonë me frikën se do të më ndodhte diçka kur të kthehesha”, tregon futbollistë një nga detajet e jetës së tij.
Maj 2005

Rragami: Shitjet e ndeshjeve kanë filluar që në vitet ‘80

Leonard Karaj

Ka shkuar edhe më tej një nga legjendat e futbollit tonë. Ferit Rragami, ish-futbollist i kombëtares sonë, në një intervistë për gazetën, thotë se trukimi i ndeshjeve ka filluar që në vitet ‘80. Ndryshimi i vetëm, sipas tij, ishte se në atë kohë çdo gjë vendosej nga “lart”, ndërsa sot janë futbollistët, gjyqtarët dhe menaxherët ata që bëhen pre e bastexhinjve. Ndërkohë, për sa i përket polemikave midis Vatës dhe Strakoshës, ai nuk nguron të vihet në krah të ish-portierit të ekipit përfaqësues, pasi, sipas tij, një portier nëse do të shesë një ndeshje e bën edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër. “Vetë pozicioni që ai ka në skuadër dhe në fushën e lojës të lë të mendosh se një gjë të tillë, kur vjen puna e bën pa shumë zhurmë dhe pa problem”, thotë Rragami. Por ai nuk ndalet vetëm te debati i mësipërm, por edhe tek institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ju keni qenë dëshmitar edhe të asaj kombëtareje të 1985-ës, e cila tregoi se ishte kompetitive, por nuk arriti të kualifikohej, pse?
Sipas mendimit tim, ndeshja me Greqinë dhe Poloninë u shitën ose u dhuruan nga regjimi, pasi në dy ndeshjet e fundit, kur ne na mjaftonte vetëm një barazim, shumë nga futbollistët titullarë u zëvendësuan nga lojtarët e ekipit të Shpresave. Kjo, me urdhër nga lart, pasi gjoja duhej riorganizuar ekipi kombëtar. Kështu ne humbëm në Tiranë ndaj Polonisë 1 – 0, ndërkohë që kishim barazuar në Varshavë 2 – 2 dhe humbëm në Greqi 2 – 0, duke i thënë lamtumirë kualifikimit.
Sipas jush, a ka vazhduar seria e ndeshjeve të shitura ose dhuruara edhe pas viteve ‘90?
Ashtu siç e thashë edhe më parë, shitja e ndeshjeve ka filluar që në vitet ‘80 në Shqipëri, por pas viteve ‘90 problemi më i madh ka qenë riorganizimi i futbollit tonë. Ne nuk kemi pasur njerëzit e duhur dhe ende nuk kemi njerëzit e duhur për të drejtuar futbollin shqiptar.
Cili është mendimi juaj për debatin e hupur për shitje ndeshjesh midis Rudi Vatës dhe Foto Strakoshës?
Nuk më vjen mirë që ndodhin këto konflikte midis futbollistëve me emër, që kanë dhënë kontribut në futbollin shqiptar. Por po t’i referohem deklaratave të Rudi Vatës, mendoj se nuk janë shumë të arsyeshme, pasi nëse një portier do të shesë një ndeshje e bën edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër.

Vetë pozicioni që portieri ka në skuadër të lë të mendosh se një gjë të tillë, kur vjen puna e bën pa shumë zhurmë dhe pa problem. Kështu, nga ana profesionale unë e hedh poshtë këtë si ide. Më vjen keq sinqerisht për Rudi Vatën, pasi e vlerësoj jashtëzakonisht shumë për atë që i ka dhënë futbollit shqiptar dhe se si e ka mbrojtur emrin e Shqipërisë në Evropë. Sipas meje do të ishte më mirë që ai të hapte një debat mbi organizimin e futbollit në Shqipëri, pasi kjo është plaga më e madhe e futbollit tonë.
Pra, ju nuk mendoni se ka pasur një debat midis dy ish-kapitenëve të ekipit kombëtar për të shitur ndeshjen me Uellsin?
Për mendimin tim jo. Unë i njoh si Rudi Vatën dhe Foto Strakoshën. Të parin e kam pasur në skuadër, ndërsa Strakoshën e kam pasur kundërshtar. Habitem që Rudi Vata e shfaq këtë gjë pas dhjetë vjetësh. Duke qenë se Strakosha pati rastin të dalë shpejt nga Shqipëria, duke u aktivizuar në Greqi, nuk besoj se ai në vitin 1995 paska pasur nevojë për 25 mijë marka, duke shitur një ndeshje të kombëtares. Pastaj, siç e thashë edhe më lart, nëse ai paska dashur të shesë ndeshjen mund ta kishte bërë edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër dhe i merrte të gjitha paratë vetë pa i ndarë me ndokënd.
Ish-trajneri i kombëtares ka hedhur hije dyshimi mbi këtë ndeshje, cili është prononcimi juaj?
Mendimi im është se nëse një trajner i ekipit kombëtar ka dyshime serioze për një ndeshje, ai që në atë moment duhet të japë dorëheqjen. Pasi kjo reflekton mbi personalitetin e tij në skuadër dhe mbi punën e tij. Unë nuk mbaj mend që Bajko të ketë dhënë dorëheqjen direkt pas asaj ndeshjeje. Sipas meje, është thjesht një justifikim i trajnerit për ndeshjen në fjalë.
Ku qëndrojnë defektet e organizimit të futbollit tonë sipas jush?
Mendimi im është se ata që punojnë sot në Federatën Shqiptarë të Futbollit nuk janë njerëzit që i duhen futbollit shqiptar. Po të vësh re, që nga viti ‘90 sheh shumë pak ndryshime në strukturën e kësaj federate. Janë po ata njerëz, që në të shumtën e rasteve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse nga njëra zyrë kanë shkuar në zyrën tjetër brenda për brenda këtij institucioni. Unë mendoj se ka ardhur koha që të rinovohen të gjitha strukturat dhe të vijnë persona të rinj, që në vitet e fundit kanë marrë eksperienca të vyera në Evropë dhe kanë një mentalitet krejt tjetër.

Këtu mund të hyjë në lojë Rudi Vata dhe Foto Strakosha, pasi janë dy persona që kanë marrë një eksperiencë në vendet ku janë aktivizuar dhe këtë mund ta vënë shumë mirë në shërbim të riorganizimit të futbollit tonë. Pra, skandali nuk është dyshimi se është shitur një ndeshje, por skandal është mënyra e organizimit të federatës së futbollit, duke filluar që nga kampionati ynë dhe deri te ekipi kombëtar.
A mund të na jepni ndonjë rast abuzimi të mundshëm të kësaj federate?
Po, mjafton të shikosh kur nisen nëpër turne futbollistë të rinj ose ekipi i shpresave dhe kombëtarja. 12 – 13 futbollistë janë ata që e meritojnë në të vërtetë, të tjerët janë aty falë njohjeve dhe ryshfeteve. Një gjë e tillë tashmë vazhdon që prej vitit 1992. Rasti i fundit është turneu që federata kishte organizuar me ekipin kombëtar para zgjedhjeve në Amerikë. Shumë nga futbollistët e zgjedhur nuk arritën të merrnin as vizë për të shkuar në këtë turne.