Vite më parë, bashkë me të vëllanë- Agimin dhe me Brahim Sykën, kanë bërë gjithë shkodranët të ndjehen krenarë me ta. Sukseset e njëpasnjëshme në garat kombëtare e ndërkombëtare, e kanë bërë treshen e famshme të çiklistëve të Vllaznisë të ishte në qendër të vëmendjes të të gjithëve. Sytki Tafili, njëri prej pjestarëve të kësaj treshe, në një intervistë ekskluzive për gazetën “SHKODRA SPORT”, ka gjetur kohë të rrëfejë gjithçka, për veten dhe shokët e tij të ekipit.

Ja si është shprehur ai në intervistën e tij:

-Sytki, kur e keni nisur sportin e çiklizmit dhe cila ishte shtysa që ju bëri të merreshit edhe ju me të?
-Ka qenë fundi i vitit 1978 kur e kam nisur këtë sport. Kryesisht shtysa vinte nga vëllai im i madh- Agimi por nuk mbeste mbrapa edhe trajneri i ekipit të të rinjve të Vllaznisë Ruzhdi Muriqi. Ai donte të kishte edhe një tjetër çiklist si Agimi dhe mendonte se kisha të njëjtën ego, të njëjtën ambicje si ai prandaj dhe ngulmoi shumë derisa ma mbushi mendjen.
-A mbani mend cilët sportistë gjetët në atë kohë në ekip?

-Njëherazi me mua e filloi sportin edhe Brahim Syka ndërsa aty në ekipin e të rinjve gjeta edhe Sali Salihin, Anton Shestanin, Menduh Sheqerin, Gilman Selvinë e Sabah Seserin.Ishte një grup shumë simpatik.

-Kur keni zhvilluar garën tuaj të parë me të rinjtë e Vllaznisë?
-Ka qenë viti 1979. Kam zënë vend të dytë teksa të parin e zuri shoku im i ekipit Brahim Syka. Edhe një vit më vonë, në Rrethin e të rinjve sërish e njëjta situatë, Brahimi i pari, unë i dyti.
-Kur kaluat tek ekipi i parë?
-Një vit më vonë, më 1981. Agimi (Tafili) u kthye nga Partizani ndërsa unë dhe Brahimi (Syka) erdhëm nga të rinjtë. Aty gjetëm edhe Agim Ferracakun, Hilmi Lalën, Sabri Sinorin, Xhelal Hebovijën, Hyrrjan Pukën, Eduard Abazin dhe Menduh Sheqerin. Që atë vit filluam të tregojmë se do ishim shpejt ne ata që “do bënim ligjin” në çiklizmin shqiptar. Një vit më vonë fituam Rrethin e parë si ekip, për të vazhduar pastaj edhe me të tjerë.
-Si individ ndërkohë keni fituar vetëm një Rreth, atë të vitit 1988. Kaq ishin mundësitë apo….?
-Po, është e vërtetë se kam fituar vetëm një Rreth por të mos harrojmë se konkurrenca ka qenë shumë e madhe ato vite. Ka patur edhe ndonjë rast tjetër kur kam qenë afër fitimit por jam penguar nga defektet.

Të mos harrojmë se Vllaznia ka patur shumë problem mungesën e bazës materiale. Edhe ajo që kishim ishte shumë më e dobët se e Partizanit dhe Dinamos, ekipe këto që ishin të favorizuara sepse furnizoheshin si nga Federata ashtu edhe nga Ministritë.


-Cilin vlerësoni si Rrethin më të bukur që ju keni zhvilluar?
-Vlerësoj atë që mbahet më shumë mend edhe nga tifozët, Rrethin Çiklistik të vitit 1985 me etapën Korçë- Durrës. Partizani para kësaj etape ishte 9 minuta para nesh në renditjen ekipore ndërsa ne në atë etapë bëmë një pedalim të jashtëzakonshëm duke i marrë atij 25 minuta!!!
-Si ia arritët kësaj?
-Ishin shumë të indinjuar nga hilet që bënte gjyqtaria. Ajo me mjete motorike kishte ndihmuar çiklistët e Partizanit në etapat e tjera në mënyrë që të dilnin ato në vend të parë. Kjo u ba problem në Shkodër. Për rrjedhojë, atë natë mbërritën në Korçë drejtuesit më të lartë të sportit të Shkodrës. U caktuan detyrat që çdo çiklist i Partizanit në etapën e një dite më pas do të shoqërohej nga njëri prej tyre për të mos lejuar abuzimet. Dhe kështu ndodhi, për të tjerat pastaj menduam ne. I morëm 25 minuta dhe treguam se kush ishin më të mirët e Shqipërisë.

-Meqë dolët tek kjo etapë, kolegët tuaj kanë përmenduar shpeshherë “dizhezat” (zbritjet) tuaja teksa në to keni pedaluar gjithmonë si “i çmendur”. Çfarë ishte ky pasion?

-Unë e kam pasë gjithmonë pasion shpejtësinë, kam qenë edhe teknik në këto zbritje dhe për fatin tim të mirë, s’jam rrëzuar asnjëherë.
-Sa mund të ketë shkuar shpejtësia e biçikletës tuaj në këto zbritje?
-Ne nuk kemi patur kronometër në biçikletë në atë periudhë por shoferë taksie të ndryshëm, kanë provuar të na ndjekin me makinat e tyre dhe ndonëse shpejtësia e tyre ka kaluar 100 kilometrat në orë, s’arrinin të na kapnin. Që do të thotë se kemi ecur edhe më shpejt se kaq.
-Treshja e përbërë nga dy Tafilët dhe Syka, ka lënë gjurmë në këtë sport. Jeni krenar për këtë?
-Patjetër që ndjehem mirë edhe sot. Fakti që ende përmendemi për arritjet tona, tregon se kemi lënë shenjë në historinë e çiklizmit shqiptar.
Çfarë kishte të veçantë kjo treshe?
-Kemi qenë më shumë se vëllezër dhe jo vetëm me Agimin por edhe me Brahimin. Mes nesh ka patur një harmoni të jashtëzakonshme.

Përpos kësaj, forma jonë sportive ishte thuajse e njëjtë, ndonjë mangësi që kishte njëri, e plotësonte tjetri dhe kështu ecnim gjithnjë përpara. Unë mendoj se kemi qenë një treshe absolute në çiklzimin shqiptar.
-A keni pasë mbështetjen e duhur?
-Në Shkodër padyshim që po. Na donin dhe na respektonin të gjithë. Edhe drejtues të institucioneve të tjera që s’kishin lidhje me sportin, përpiqeshin të na gjendeshin pranë në momente të ndryshme. Jemi vlerësu shumë edhe në klubin Vllaznia dhe na konsideronin sportistë të elitës. Se harroi kurrë, kishte raste që klubi na jepte edhe shpërblim financiar për rezultatet e larta. Po ashtu nëpër Rrethet Çiklistike, nisnin posaçarisht makinën nga Shkodra me ushqime deri në Gjirokastër na i kanë sjellë, që të ruanim formën sportive dhe të triumfonim në gara.


-Po në garat ndërkombëtare, cili ka qenë suksesi yt më i madh?
-Në fakt, pjesmarrja në garat ndërkombëtare erdhi duke u shtuar në vitet ’80 sepse edhe nivelet tona rriteshin.

Mund t’u zbuloj një fakt interesant: Jam i pari çiklist shqiptar që kam bërë të ngrihet flamuri shqiptar në një garë jashtë vendit. Ka qenë një garë në Turqi, kur unë zura vendin e tretë në Izmit.
-Por ndërkohë sot mblidhesh bashkë me Brahim Sykën për të kujtuar ato kohë të arta, por u mungon Agimi, vëllai dhe shoku juaj. A e ndjeni mungesën e tij?
-Jashtëzakonisht shumë. Unë ende nuk e besoj që atë nuk e kemi më mes nesh. Për mua dhe Brahimin, ka shumë kujtime me të dhe e kemi të lehtë ta harrojmë. Megjithatë kështu e paska jeta.
-E ndiqni çiklizmin shqiptar kohët e fundit dhe cili është mendimi juaj për të?
-Për mendimin tim mund të them me plot gojën se çiklizmi shqiptar nuk ekziston aktualisht. Nuk ka përkrahje, me drejtimin e këtij sporti sot nuk merren njerëzit e duhur, ata që kanë derdhë djersë dhe e njohin këtë sport.
-Edhe tek Vllaznia e juaj e njëjta situatë. E vuani këtë gjë?
-Normal që më vjen keq dhe e vuaj sepse bashkë me shokët e mi kemi sakrifikuar jo pak për t’i dhënë këtë emër që ka sot Vllaznia edhe në çiklizëm. Shkodrës të paktën nuk i takon ta lërë këtë sport në këtë gjendje.
Gjergj KOLA

-Në Shkodër, biçikleta konsiderohet pjestar i familjes
Ka lënë një përcaktim shumë të bukur në intervistën e tij për gazetën tonë mjeshtri i sportit Sytki Tafili.

Duke folur për traditën e këtij qyteti në këtë sport por edhe lidhjen e njerëzve me biçikletën, ai ka thënë: “Në Shkodër biçikleta konsiderohet pjestar i familjes. Pra në qoftë se një familje ka katër vetë, me siguri që ajo e ka edhe një biçikletë dhe kësisoj numri i pjestarëve të saj është pesë. Lidhjet me të janë shumë të ngushta dhe prandaj nuk duhet lënë pas dore ky sport”.

-Sytkia jeton prej vitesh në Itali bashkë me familjen e tij
Pas lënies së sportit, Syktia u shkëput nga sporti për njëfarë periudhe. Por nuk mundi të qëndroj shumë larg saj. Mori përsipër drejtimin e ekipit të Vllaznisë, ekip që ndodhej në një gjendje thuajse inekzistente dhe arriti ta ringrejë në nivele të larta. Por ana financiare e detyroi ta lërë këtë punë dhe të niset drejt Italisë, vend ku jeton dhe punon edhe sot e kësaj dite. Kuptohet larg çiklizmit, sportit të tij të jetës megjithatë mendjen aty e ka shpeshherë.