Në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946 që u zhvillua në Tiranë në datat 6-13 prill me pjesmarrjen e Shqipërisë, Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë, në rradhët e kombëtares shqiptare ka qenë edhe Bimo Fakja. Ai u lind në vitin 1920 në Lagjen Kiras. Futbollin e nis që i vogël sepse është një lojë pas të cilës dashurohet shpejt dhe dallohet për përdorimin e topit me të dy këmbët por edhe lojën e mirë me kokë. Megjithatë pjesmarrja e tij e parë në kampionat zyrtarisht me fanellën e Vllaznisë është në kampionatin e vitit 1936 përkrah Dizdarit, Kazazit, Osmanit, Alibalit, Tartarit, Dervishit, Shalës, Halepjanit, Rusit.

Luan deri në vitin 1939 dhe më pas shkon në Itali ku stërvitet me Bolonjën. Në fakt, një mik i tij i kishte thënë që në Tiranë kishte ardhur për të vlerë lojtarë trajneri i ekipit të Bolonjës Maina.

Bimoja Megjithatë me të nuk qëndron gjatë. Jo se nuk kishte talent por se nuk mund të përballonte dot ngarkesën stërvitore dhe rregjimin ditor. Italianët në fakt u habitën me këtë gjë por shkodrani s’kishte ndër mend të qëndronte atje se i mungonte vendi i tij. Në vitin 1940 kthehet në Shkodër sërish. Luan sërish për Vllazninë pas çlirimit të vendit dhe në vitin 1945 shpallet kampion i Shqipërisë me të, madje është kapiten i saj. Po ashtu, luan edhe në rradhët e kombëtares shqiptare dhe shpallet kampion Ballkanik në vitin 1946. Ai ka zhvilluar 21 ndeshje ndërkombëtare me përfaqësuesen tonë por edhe me Vllazninë.

Fakja është kampion edhe një vit më pas ndërsa në vitin 1947 mobilizohet ushtar ndonëse është në moshën 27 vjeç duke qenë pjesë e Partizanit, skuadër kjo e drejtuar nga trajneri- lojtar Sllave Llambi. Këtë vit shpallet kampion me këtë skuadër e po ashtu edhe një vit më vonë, madje këtë herë duke fituar edhe Kupën e Republikës. Një vit më vonë, më 1949, do të luante për pak kohë me bashkëqytetarin e tij Tish Daija tek Flamurtari i Vlorës. Bimoja do kthehej në Shkodër më 1950 ku luan vitin e fundit të karrierës së tij. Pozicioni i tij në fushë ka qenë ai i mesfushorit të majtë. Ka qenë i gjatë 1.75 m dhe në komponentët fizik e teknik ai spikaste. Përdorimin e topit e kishte të mrekullueshëm dhe më mirë të thuhet, vallëzonte me të.Edhe pse luante më shumë me këmbën e majtë, dinte të përdorte edhe të djathtë, aq sa sportdashësit e kishin të vështirë të dallonin se me cilën këmbë luante më mirë. Përvoja e tij teknike, në marrjen dhe udhëheqjen e topit, ishin veprimet elegante të Bimos. Ai është dalluar edhe për një shpërndarje të shkëlqyer të topave nga krahu i majtë në të djathtin. Edhe pse nuk i pëlqenin shumë përplasjet, ai dinte të gjente vendin e duhur në fushë. Fakja është dalluar për një intuitë dhe zgjuarsi të madhe në fushë. Mbetet një nga emrat më të shquar të historisë së futbollit shkodran dhe atij shqiptar.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)