Nga Besnik DIZDARI

(Pjesa e parë)
Të paktën për mua kjo histori e 45 vjetëve më parë nis me këtë foto që po shoqëron këtë shkrim.

Në Tiranë, këtë foto të rrallë e kam pas vetëm unë. Ma do mendja se autori i saj është fotografi i paharrueshëm fisnik Angjelin Nënshati. Këtë foto e kam botuar dy herë. E kanë vjedhë pa pikë zori plagjiatorët që le t’i vijë keq kujt të dojë, ata duhen ndalë. Madje, sa më parë. Ajo është realizuar në javët e para të Kampionatit Kombëtar të futbollit 1971-’72. Duke ia “ofruar” arkivit tim them se mund t’i përkasë parandeshjes së Javës 5, asaj Vllaznia-Luftëtari 4-0 të 31 tetorit 1971, kur i pashlyeshmi ynë Din Zhega ka shënuar 3 gola. Në këtë foto midis të 11-tëve, përveç Zhegës, është edhe 20-vjeçari Millan Vaso i paharrueshëm, i cili do të bëhej një nga më të mirët e Shqipërisë, madje deri në Kombëtare.

Pak ditë më vonë, Zhega do të aksidentohej rëndë në stërvitje, duke i munguar për gati një vit fushës së blertë, ndërsa Vaso merret ushtar për të mbërritur te Luftëtari i Gjirokastrës. Në foto, Millan Vaso është lart, i dyti nga e majta, ndërsa Din Zhega ulur, i pari nga e majta.

Foton në fjalë ma ka dërguar nga Shkodra vëllai im i shtrenjtë, zooteknik Petrit Dizdari, i cili ishte caktuar në rolin e “dublantit” të Seksionit të Bujqësisë (një shpikje unike kjo e Partisë), dashamir i madh i sportit. Ai ka shkruar mbrapa fotos këto fjalë:

“Nostalgjia për talentet e futbollit shkodran, të cilët gjithnjë luajnë për të tjerët, mbetet e pandryshueshme në ndjenjat tona. E po kjo nostalgji na del më e fortë në këtë foto. Shkodra ma nuk është kjo e fotos. E tillë qëndroi vetëm pak ditë”.

Sot, të duket se me këtë foto nis kjo histori krejt e jashtëzakonshme për futbollin shqiptar, që kësisoj po e tregojmë për herë të parë në tri numra rresht të “Panorama Sport”.

Me mungesën e Zhegës dhe rrëmbimin e Vasos, Vllaznia ndodhej në vendin e pestë, ndonëse vetëm 2 pikë larg 17 Nëntorit (9) duke pasur ajo 7 pikë. Po aq sa dhe Partizani, Besa e Skënderbeu dhe debutuesja spektakolare, Shkëndija shkollare. Sidomos në Tiranë, nuk parashikohej se kjo Vllazni në fund të 26 vjetëve do të ishte Kampione e Shqipërisë…

Ndërsa, në Shkodër ndodhte e kundërta. Atje të gjithë mendonin se Vllaznia e tyre do të ishte një mëtuese e madhe e titullit. Për ta mjaftonte që të tyrët ishin edhe Ramazan Rragami e Paulin Ndoja, edhe Hajro Lekaj e Rauf Çanga, edhe Mendu Dedja e Ismet Hoxha, edhe Çesk Ndoja, Lek Koçobashi e Sabah Bizi, të cilët i rreshtova nga e majta në të djathtë siç janë në këtë foto. Të gjithë këta do të ishin kampionë, duke i sjellë Shkodrës, për herë të parë mbas 26 vjetëve (1946), titullin e Kampionit të Shqipërisë.

Mbas asaj çka kishte bërë 17 Nëntori i Tiranës (SK Tirana) më 1965, kur kishte ndalë sundimin 20-vjeçar të “PartizanDinamos”, titulli i Shkodrës 1972, do të ndalte sundimin 26-vjeçar të kryeqytetit në Kampionatin e Shqipërisë. E, kjo ishte ndoshta edhe më e bujshme se sa kryevepra e 17 Nëntorit, ngaqë asokohe për vite të tana nuk mendohej assesi që titulli mund të dilte nga kryeqyteti.

Ngjarja ka qenë e një peshe tejet sensacionale dhe pikë kthese për vetë ecurinë e futbollit shqiptar. Viti 1972 theu mitin e sundimit kryeqytetas, duke iu thënë skuadrave “të rretheve”, siç ato emërtoheshin disi me nënvleftësim, se tash e mbrapa, mund të nisë një histori e re. Dhe, në të vërtetë, ajo nisi. Nisi me Vllazninë e Shkodrës së trajnerit të madh Xhevdet Shaqiri dhe kolegut të tij, po aq të madh, Xhelal Juka.

Kishin qenë së bashku Kampionë të Vllaznisë 1945, 1946…

“THEMELIMI” I TRESHES RRAGAMI-ZHEGA-BIZI…

Në të vërtetë, edhe pse duke pas nga dy vjet largësi në moshë nga njëri-tjetri (1944, 1946, 1948), të paktën në mendjen e shkodranëve, kjo treshe ishte themeluar me kohë. Ndonëse asnjëherë më parë ajo nuk qe “themeluar” për të qenë së bashku njëkohësisht në një Kampionat Kombëtar të Shqipërisë.

Kështu, para themelimi i saj të dukej se do të niste nga 16 maji 1971, kur Sabah Bizi i Partizanit bëhet për herë të parë Kampion i Shqipërisë, duke luajtur pa asnjë dyshim rolin parësor në fitimin e këtij titulli.

Organizator i madh i lojës, mesfushor mbrojtës dhe mesfushor sulmues, hapësinor në lëvizje në pasime, interpretues i pamatë i një futbolli të rangut në universalizmin që, përveç të tjerave, ndikon jo pak në përtëritjen e futbollit të madh të 32-vjeçarit Panajot Pano. Mjeshtri i madh në këtë kampionat ka qenë edhe ai po aq vendimtar sa Bizi, ka shënuar 17 gola, duke qenë mbas një ndërprerje prej 8 vjetësh kryeshënuesi i kampionatit. “Rifinitori” i tij i parë ishte Sabah Bizi. Topa të mrekullueshëm që mbërrinin te mjeshtri me një saktësi thuajse milimetrike bizjane. I gjithë ky repertor, punë javësh të një vere tejet të nxehtë, do të bartej te Vllaznia…

Po mbyllej një cikël i fuqishëm partizanas. Me largimin e Bizit, skuadra e ashtuquajtur ushtarake do të mund të kthehet te titulli vetëm mbas 8 vjetëve, më 1979…

Dhe Shkodra që kërkon të rimarrë Sabah Bizin e saj, për të realizuar atë që e ëndërronte prej vitesh: të bashkonte në një treshen e saj legjendare: Rragami-Zhega-Bizi. Kohë më parë kam pa një shkrim që, mbasi tregon se Sabah Bizi u mor nga Partizani si përforcim për takimin me Torinon, pa pikë ndrojtjeje na thotë se e marrin ushtar pasi pëlqehej nga një gjeneral i pasionuar… Duke vazhduar më tej legjenda e plagjiatorëve të historisë së futbollit shqiptar me konformimin e rrejshëm se këta ushtarakë (gjeneralë, edhe pse gradat ishin hequr), kishin forcën për ta mbajtur, për t’i përdorur klubet e qyteteve të Shqipërisë thjesht për pasionin e tyre. Është për të ardhur keq vërtet, se si sot disa jetë futbollistësh nga shkrues të pandërgjegjshëm, gati po paraqiten si vepra “gjeneralësh” të Ushtrisë, duke u harruar gjithçka tjetër që i përket vetëm të vërtetës: mësuesit e trajnerët e tyre të vërtetë.

17 Nëntori kishte mbërritur te titulli i 65-tës pikërisht duke ia rimarrë këtij Partizani, e pakta nja pesë djem më parë të saj. Kështu vepron edhe Vllaznia për të rimarrë Sabah Bizin. Dhe po kështu, mbërrihet deri te barsoleta me kryeministrin Mehmet Shehu në hidrocentralin e Vaut të Dejës. E paskan bindur që të urdhërojë kthimin e ish-ushtarit Sabah Bizi në Shkodër. E gjitha kjo vetëm një shpikje, pra, pa asgjë të vërtetë. Është e tmerrshme kur barsoletat merren si fakte historike në shkrime gazetash. E në këtë “stil” në Shqipëri ka një ves tejet të keq. Shtrembërohet rregullisht historia, sepse mendojnë se njerëzit dinë shumë pak, ose di vetëm ai që shkruan për gjëra që nuk i di as vetë. Asnjë shtet në Europë nuk e ka nëpërkëmbë më shumë historinë e sportit të saj si Shqipëria.

Siç e kam treguar me kohë, ndërsa vera po mbaronte, edhe pse i kishte mbushur tri vjetët e shërbimit ushtarak, Sabah Bizi nuk po kthehej në Shkodër. Qyteti ziente. Ziente në mënyrën e tij për aq sa lejonte diktatura, po dhe në “disidencën” e tij të një alegorie, çka aq me dinakëri dinte ta shpaloste Qyteti i Veriut.

Vllaznia, më në fund, kishte bërë një skuadër shumë të mirë. Pak më parë ishte renditur në vendin e tretë dhe me djemtë e talentuar që kishte, me ardhjen e Sabah Bizit pa asnjë dyshim ajo do të ishte mëtuese kryesore për titullin. Çka, mbas disa muajve, aq bukur do të realizohej. Në Kafe të Madhe, tryezat nuk kishin biseda të tjera përveçse “çështja Bizi”.

Dhe Bizi ende me Partizanin, i cili do të luante dy ndeshjet e pafat për Kupën e Kampioneve me CSKA të Sofjes. Do t’i humbiste të dyja 1-0. Këtu ishte “kurthi”.

Partizani pa bëza do ta mbante për ndeshjet e Kupës së Kampioneve, por synimi ishte tjetër. Ai mendonte se, mbas tyre, do ta kishte më lehtë për të mos e lëshuar. Qoftë dhe për “interesat e futbollit kombëtar”, siç spekulohej prej kushedi sa vjetëve me këtë shprehje që çonte ujë në mullirin e “Partizan-Dinamo”. Sigurisht nëse kampionia jonë do të kualifikohej. Mirëpo, dihej se sa e fortë ishte CSKA e Sofjes, ndonëse Partizani reziston jo pak duke humbur vetëm 1-0.

Ndërkohë, në mbrapaskena lufta nuk prânte. Ministria e Mbrojtjes rezistonte me të madhe. Do të ndeshet sidomos në “kryefortësinë” e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Bilal Parruca, i cili me urtësi, pa britma e arrogancë, e kërkonte Bizin, sepse “e don populli i Shkodrës e kjo ndikon fort deri në vetë ecurinë e qytetit”.

Dhe po papritmas e merr fuqinë stili i revolucionit kulturor kinez. Një fletë rrufe e fuqishme, e partishme e ndërtuesve të Hidrocentralit të Vaut të Dejës zë vend në mes të kryeqytetit. Këtu është fundi. Pa kaluar pak ditë, një përgjigje zyrtare fletë rrufeje e zyrave të urdhëruara të Partizanit e vendosur po ashtu në mes të kryeqytetit, në stendën e kuqe “revolucionare” para Bankës Kombëtare, jep përgjigjen shpëtimtare: “Sapo të përfundojnë ndeshjet me CSKA për Kupën e Kampioneve, Sabah Bizi do të kthehet në Shkodër”.

Shkodra kishte triumfuar. Më në fund, treshja Rragami-Zhega-Bizi ishte “themeluar”.

FILLIMI SPEKTAKOLAR DHE RËNIA E BEFASISHME…

…Më 19 shtator 1971, Vllaznia shkon në Berat për Javën 1 të Kampionatit 1971-’72 dhe fiton 3-1 me dy gola Medin Zhegës. Katër ditë më parë, më 15 shtator, në Sofje kemi CSKA-Partizani 1-0. Por kur mbërrin Java 2, ajo e 26 shtatorit 1971, Vllaznia nuk pranon të luajë ndeshjen me Dinamon pa Sabah Bizin. Në Kafe të Madhe prapë shpërthejnë diskutimet. Dhe ja më në fund. Është e shtunë e 2 tetorit 1971. Në Tiranë para rreth nja 10.000 shikuesve luajnë Shkëndija-Vllaznia 0-0, një ndeshje e paharrueshme e teknikës dhe një gare plot emocione. 11-shi i Vllaznisë ishte ky:

P.Ndoja, Lekaj, M.Vaso, M.Dedja, R.Rragami, Duraj, Bizi, Koçobashi (R.Çanga), I.Hoxha, Zhega, Ç.Ndoja. Trajner: Xhevdet Shaqiri.

Nuk kishte rëndësi rezultati i kësaj ndeshjeje. Kishte rëndësi prania e Sabah Bizit. Në këtë ditë të bukur tetori 1971 Vllaznia kishte “themeluar” përfundimisht bashkësinë e treshes së saj legjendare: Rragami-Bizi-Zhega.

Këtu më duhet të përsëris portretizimin tim të kahershëm që rishfaqet në këto radhë “të vjetra”:

“Në të vërtetë treshja e pashkëputshme e vet Kombëtares së Shqipërisë. Një treshe që te kjo Vllazni doemos nuk mund të bënte pa paprekshmërinë e portës së Paulin Ndojës, pa stoicizmin e Hajro Lekës e të Suat Durajt, pa ‘dinakërinë’ e Mendu Dedjes, pa rininë e Millan Vasos që sapo mbërrinte, pa rrufeshmërinë golashënuese të Ismet Hoxhës, pa shpërthimet e Çesk Ndojës e futbollin burrëror të Lekë Koçobashit, pa pjekurinë e Rauf Çangës, sa për të përmendur këta të kësaj ndeshje.

Në një kohë që Selami Dani, Esat Rakiqi e Zyhdi Basha ishin po aty të gatshëm për t’u bërë edhe ata Kampionë të Shqipërisë. Me në krye kapitenin e madh Ramazan Rragami. Truri i gjithë kësaj do të ishte Sabah Bizi”. Atë ditë Vllaznia po paralajmëronte ndërrimin e historisë solide e “monotone” bashkë, të Kampionatit Shqiptar mbas bukur 25 vjetëve. Ka qenë sensacionale.

E megjithatë, nuk do të ishte një fushë me lule. Vetëm mbas pak ditëve, ose më saktë, mbas pak orëve, skuadra shkodrane do të përjetonte dramën e saj befasuese.

Ajo nuk do të ishte Vllaznia e fotos sonë që shoqëron këtë shkrim. Një Vllazni, e cila me këtë 11-sh mbërrin te Java 6 me këto rezultate. Tomori-Vllaznia 1-3, Vllaznia-Dinamo 1-1, Shkëndija-Vllaznia 0-0, Vllaznia-Lokomotiva 1-0, Labinoti-Vllaznia 0-0, Vllaznia-Luftëtari 4-0. Renditja ishte kjo: 17 Nëntori 11 pikë, Besa 9, Vllaznia 9, Partizani 9.

Din Zhega, 6 ndeshje 6 gola!

Dhe mû këtu është drama. Aksidentohet Zhega dhe Ushtria Popullore që don të përforcojë Luftëtarin e Gjirokastrës, teksa i dhuron Millan Vason e Shkodrës, kur një tjetër firmë të shquar, Halil Pukën e kishin çuar të përforcojë Lokomotivën e Durrësit. Kështu janë shkatërruar skuadrat e rretheve asokohe.

ËNDRRA E SHUAR E RAPIDIT TË VJENËS…

Dihej edhe kjo: që Vjena, ose Austrohungaria, kishte organizuar ndeshjen e parë zyrtare të futbollit, pikërisht këtu në Shkodër. Ka qenë fillim vjeshte 1913. Ndeshja “Indipendenca” e Shkodrës – Ushtria Austrohungareze, ajo që sundonte qytetin, i cili ende nuk i ishte bashkuar Shqipërisë së pavarun. Skuadra e futbollit e Palok Nikës me shokë, me emrin kuptimplotë “Indipendenca” (“Pavarësia”) ishte si një simbol pavarësie. Kurrë sporti nuk mbetet jashtë historisë tanësore, aq më tepër të një qyteti si Shkodra atdhetare, përherë largpamëse në kësisoj zhvillimesh…

Tash i kthehemi vitit fatal 1971…

Pak më parë, e renditur e treta e Kampionatit të shkuar, ajo do të përfaqësonte për herë të parë Shqipërinë në Kupën e tretë të Europës, atë UEFA. Shorti është tejet joshës teksa krijon çiftin Rapid i Vjenës- Vllaznia e Shkodrës. Po çka ndodh?…

Skuadra e mrekullueshme e volejbollistëve të Vllaznisë zhvillon një turne në Kosovë, duke befasuar publikun kosovar me nivelin e lartë që paraqet, çka i shndërron pallatet e sportit të Kosovës në vatra sa sportive po aq dhe atdhetare. Deri në 7000 spektatorë në një ndeshje dhe Trepça e Mitrovicës-Vllaznia 0-3, Vëllaznimi i Gjakovës-Vllaznia 1-3, Obiliq i Prishtinës-Vllaznia 0-3.

Mbyllja është një mbrëmje e paharrueshme lamtumire me praninë e këngëtares së famshme Nexhmije Pagarusha. Dhe tre gazetarë “protagonistë”: Fehmi Sejdiu dhe Ali Shala kryetar dhe nënkryetar të Lidhjes Volejbollistike të Kosovës, pranë të cilëve ndodhet pa ia dâ i dërguari i “Sportit popullor”, Rifat Uruçi – tri emra të shquar të gazetarisë sportive, disi “jugosllavo”-shqiptare. Natyrisht që asokohe askujt nuk do t’i shkonte ndër mend se, nja rreth 30 vjet më vonë, autori i këtij shkrimi të sotëm do të bëhej interpret për t’i nderuar që të tre me Çmimin “Anton Mazreku” në gazetari. Ishim ende larg lirisë…

Kur Vllaznia e volejbollit kthehet në Shqipëri, befas “zbulohet” se volejbollistët shkodranë kanë ardhur prej Prishtine të ngarkuar me aparate televizive e sende të llojllojshme të tregut kosovar nën Jugosllavi, i pakrahasueshëm me atë tejet të varfër të Shqipërisë. Kjo mjafton për të dënuar në mënyrën më të skajshme kolektive krejt klubin e Shkodrës në të gjitha llojet e sporteve për mospjesëmarrje në veprimtari ndërkombëtare! Asnjë skuadër sportive e Vllaznisë nuk do të lejohej të merrte pjesë në takime ndërkombëtare, thotë Partia! Masa të rrepta bien ndërkaq, edhe për drejtuesin e delegacionit shkodran, Qemal Byrazeri, trajnerin Franc Jakova dhe me ndalim profesioni të gazetarit Rifat Uruçi.

Dënimi i pamëshirshëm bie pra edhe për Vllazninë e pafajshme të futbollit. Shqipëria i thotë jo UEFAs! Kjo Shqipëri ishte. Që të dënonte pa bërë asnjë faj, më keq se Kanuni i Lekës i Shekullit XV që gjakmarrjen e kishte një me një, jo një me dhjetë.

Nuk ka ndeshje Rapid i VjenësVllaznia e Shkodrës!

Siç kujtohet shpesh, 1971-shi do të mbetej në histori vit i një vije demarkacioni, me guximin shqiptar për t’u përfshirë në Europë, me stepjen e parë se përballë një çizolimi befasues (pjesëmarrje jo në një, por në tri kupa të Europës tashmâ) dhe më mbas, me nëpërmendjen e parë për të mos vazhduar, për të ndërprerë pa mëshirë! Ndërprerja përmes Vllaznisë ndaj Rapidit të Vjenës do të ishte krisma e parë e “armës” gjeopolitike më të dashur të Regjimit. Në kanceleritë e Komitetit Qendror të Partisë, gradualisht do të binte edhe hija e një izolimi sportiv të pritshëm. Rapidi i Vjenës ishte vetëm prologu. Merrej me mend se Federata Shqiptare e Futbollit së cilës edhe emri i përmendej rrallë, tejet rrallë (njihej më tepër si “sektori i futbollit”), assesi nuk mund të kishte iniciativën përmbi zyrat e ndërtesës së gurtë, të kuqërremtë “sovjetike” të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Viktima e parë do të bëhej skuadra e Shkodrës mû në çastin kur asaj do t’ia kthente lavdinë Sabah Bizi e shokët e tij. Çka me të gjeopolitika e Shqipërisë me klubet në Europë do të niste të prodhonte një izolim të pakrahasim.

Askush nuk mund të merrte me mend ato ditë se, mbas 7 vjetëve, kjo Vllazni do të kishte punë po me Austrinë, kur debutimi i saj në Kupën e Kampioneve do t’i blatonte Austrinë e Prohaskës e të Robert Sarës me shokë, me nja 6 kombëtaras austriakë në kulm të formës së tyre. Dhe 2-0 për Vllazninë!…

Ishim ende larg gjithë këtij “austriamizimi”, megjithatë…

E vërteta është se ka mbetur vërtet e bujshme se si mbas kësaj goditjeje, pa Zhegën, pa Vason, e tash edhe pa pjesëmarrjen në Europë për te Vjena, Vllaznia të gjente forca dhe ta niste Kampionatin e vitit 1971-’72 për të mbërritur aty ku Qyteti i Futbollit kishte plot 25 vjet pa mbërritur: te titulli Kampion i Shqipërisë.

Askujt nuk i shkonte nëpër mend se, mbas kësisoj goditjesh të pamëshirshme, skuadra do të gjente forca morale për të kërkuar titullin. Ndoshta kjo forcë karakteri printe përmes dy trajnerëve të saj të paharrueshëm Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka. Ndoshta prej një futbollisti të madh si kapiteni Ramazan Rragami. E ndoshta edhe prej një fitimtari të rrallë me emrin Sabah Bizi.

Kishte mbetur mbas ëndrra e Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë i duhet t’i gëzohet fitores ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës përmes një 4-0 spektakolar, ndeshja e fundit (“e përkohshme”) e mjeshtrit të madh Medin Zhega – autor i tre golave të paharrueshëm. Kjo ishte ndeshje e Javës 6 të Kampionatit dhe largimin e Zhegës e ndjek dhe largimi i Millan Vasos, i cili ka marrë tashmâ rrugën e Gjirokastrës pikërisht për te ky Luftëtar.

Nuk ndal me kaq “inati” i Partizanit që plotësohet me fitoren e tij të bukur. Është 28 nëntor 1971 dhe Partizani-Vllaznia 2-1 në Tiranë. Renditja ka këtë katërshe kryesuese: 17 Nëntori 14 pikë, Partizani 13, Besa e Kavajës 12, Vllaznia 11. Gjithnjë askush nuk e mendonte se kjo Vllazni mund të ishte kampionia andej kah qershori 1972 dhe se kjo humbje me Partizanin do të mbeste e vetmja. Kryeulë ajo kthehet në Shkodër dhe barazimi 0-0 me 17 Nëntorin duket se u vë vulën mëtimeve të saj. Nënshkrimi i “dokumentit” mënjanues bëhet një javë më vonë në Korçë. Është 19 dhjetor 1971 dhe Skënderbeu-Vllaznia 1-1. Edhe në këtë ditë pakkush e vlerësonte skuadrën shkodrane në garën për kreun, teksa ajo zbret në vendin e 6-të me 4 pikë larg 17 Nëntorit të Myslym Allës.

Renditja ishte kjo:

17 Nëntori 17 pikë, Besa 15, Partizani 15, Dinamo 13, Vllaznia 13.

Ndërsa në Shkodër, veç mërzi. E cili mund të ishte ai optimist i pandreqshëm që ende mund ta parashikonte se për gjithë 16 javët e tana të mbetura, skuadra shkodrane nuk do të humbiste më asnjë ndeshje, çka do të përbënte një rekord të madh të krejt viteve ’60 e ’70 për futbollin shqiptar?…

Gjithçka të dukej si një kalamendje e plotë. Rapidi, Zhega, Vaso, Partizani…
——-

Pjesa e dytë

Kur historia vazhdon me një foto tjetër…

Është kjo. Është po Vllaznia 1971- ’72. Foto i përket 23 prillit 1972, vetëm dy muaj para se të përfundonte kampionati. Dhe qysh Besnik-Dizdaringa ky çast është ndoshta një Vllazni e papërmbajtshme. Skena e ngjarjeve të mëdha të futbollit shqiptar tash përfundimisht ishte bartë te stadiumi “Vojo Kushi” i Shkodrës. Një prej dekoreve të saj më të fundit ishte dhe kjo foto e rrallë. Është Vllaznia që rrëmben Kupën e Shqipërisë ndaj Besës së Kavajës duke fituar 2-0 mbasi kishte humbur në Kavajë po 2-0.

Është ndeshja 120-minutëshe që të çon te pesë 11-metërshat e Ramazan Rragamit, madje 7, kur kujton dy të brenda lojës, si dhe hipnotizimi historik që krijon Paulin Ndoja mbas gjuajtjeve të Nimet Merhorit.

Ishin ditët fitimtare të Shkodrës, skuadra e së cilës përmes dy ndeshjeve të 9 dhe 23 prillit 1972, mbas plot shtatë vjetëve, ishte ribërë fituese e Kupës së Shqipërisë. Gjithçka ishte dramatike. 2-0 humbje në Kavajë, 2-0 fitore në Shkodër falë realizimit të dy 11-metërshave të Ramazan Rragamit. 120 minuta lojë dhe drama e 11- metërshave të jashtë lojës.

Pesë herë të tjera shënon nga pika e bardhë Ramazan Rragami. Tri herë, Nimet Merhori. Shtatë 11- metërsha të realizuar të kapitenit të madh në një ndeshje të vetme. Rekord botëror. Pranë firmës së tij vendoset ajo e elegantit Paulin Ndoja – pa dyshim portieri më i mirë i kohës – i cili i prêt një 11-metërsh përcaktues Merhorit, pinjollit të pestë a të gjashtë të Merhorëve të pashlyeshëm të Kavajës futbollistike, e cila në vite ishte njëjësuar me bijtë e këtij fisi nobël. Është luajtur e pakta 70 minuta lojë në portën e Besës.

E kush mund t’i maste topat e përpunuar prej Sabah Bizit atë ditë të asokohe kur kjo në Shqipëri nuk matej? Ndonëse në thelb, atë ditë nuk kishte më nevojë për mesfushë e as për mesfushor. Kishte nevojë vetëm për sulmues. Dhe triumf i Vllaznisë. Kupa është e saj. Gjyqtari i paharrueshëm Ramiz Pregja, merrte me vete nderimin e gjithë mjedisit sportiv të Shqipërisë, kishte gjykuar plot kompetencë e guxim ndoshta ndeshjen e tij më historike.

“Sporti popullor” i jep notën më të lartë gjykimit të tij. Dy ishin emrat e mëdhenj të gjyqtarëve shqiptarë që mund të merrnin përsipër gjykime ndeshjesh të tilla vendimtare: Ramiz Pregja e Shazivar Gruda. Nuk mund të harrohen kurrë. Shqipëria e futbollit kishte mbajt frymën, ndërsa shtypi shqiptar tejet i mpakun, boton këtë foto në format tejet të vogël e gati të padukshme të Vllaznisë – fituese e Kupës së Shqipërisë 1971-’72, mbas plot 7 vjetëve.

Autori i fotos historike është fotoreporteri i gazetës “Zëri i Rinisë”, i sprovuari Hysen Gostivari, i cili, ndoshta me motoçikletën e tij legjendare, kishte marrë rrugën e Shkodrës për të fiksuar historinë. Në foto lart nga e majta janë: Hajro Lekaj, Zyhdi Basha, trajneri Xhevdet Shaqiri, Suat Duraj, Ramazan Rragami, Mendu Dedja. Ulur nga e majta: Esat Rakiqi, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Çesk Ndoja, Ismet Hoxha, Rauf Çanga. Saktësisht.

Them saktësisht, edhe në mënyrë që, kur ta rrëmbejnë kopjuesit, të mos gabojnë dhe të mos harrojnë të vënë emrin e autorit Hysen Gostivari. Tash do të kthehem pak mbrapa për te kampionati. Do të kthehem te 26 dhjetori 1971, ditë kur shfaqet një Vllazni e papërmbajtshme. Është Vllaznia-Besa 3-0! Mandej Flamurtari-Vllaznia 0-2! Mandej Vllaznia- Studenti 2-0! Mandej Vllaznia-Tomori 5-0! Një ndalesë e vogël në Dinamo-Vllaznia 1-1 e mandej Vllaznia-Shkëndija 4-2! Prapë një ndalesë e vogël në Durrës te LokomotivaVllaznia 0-0 e mandej pa ia dâ VllazniaLabinoti 2-0, Vllaznia-Luftëtari 3-0! Që do të thoshte 9 ndeshje, 7 fitore dhe vetëm 2 barazime.

Pak ishte për të thënë, e bujshme! Për herë të parë mbas 26 vjetëve, titulli kampion i Shqipërisë mund të “rrezikonte” të dilte nga kryeqyteti. Kjo kthesë e një buje, tash po i bënte të gjithë të mendonin se skuadra shkodrane po shndërrohej plot forcë në duelante e titullit. Ndonëse në krye qëndronte ende një skuadër e vetme: 17 Nëntori i Tiranës, legjendarja për ne e viteve ’60, e cila pa e kuptuar assesi se, duke filluar nga kampionati i ardhshëm, do t’i niste kriza e frikshme që do t’i zgjaste nja bukur dhjetë vjet. Të dukej pra, se ajo po kërkonte një titull përmbyllës!

Për fat, i ndodh e papritura e madhe… Kështu, ndërsa Vllaznia fitonte pa ia dâ, 17 Nëntorin e lëkundin tejet tri barazime “vrasës”: 2-2 me Dinamon, 0-0 me Shkëndijën, 1-1 në Durrës, ku një “vllaznias” elegant, shok i Sabah Bizit e të tjerëve, me emrin Halil Puka, ia arrin të nxisë një Lokomotivë të tanë për t’i shërbyer skuadrës së Shkodrës. Kur mbërrijmë te Java 19, ndryshimi midis kryeqytetasve dhe shkodranëve ishte vetëm 1 pikë, teksa po shihej se Partizani e Dinamo po mbeteshin disi jashtë garës synuese.

Ndonëse ndryshimi nuk ishte fort i madh, teksa nuk duhej harruar se ende ishte skema e 2 pikëve për fitoren dhe 1 për barazimin. Katërshja e 26 marsit 1972 renditej në këtë pamje: 17 Nëntori 30 pikë, Vllaznia 29, Partizani 27 dhe Dinamo 26. Dueli është i qartë, arrogant madje, i pamëshirshëm: tre kryeqytetas të lavdishëm, dy prej të cilëve 17 Nëntori/ SK Tirana e Dinamo sot janë në Kategorinë e Dytë (mjerë Shqipëria e kampionatit të sotëm!) kundër një Vllaznie të vetme!

Drama përmbysëse do të shfaqej shtatë ditë më vonë, 2 prill 1971, kur dy ndeshje vendimtare do të nxirrnin në krye për të mos zbritur më skuadrën shkodrane. Protagoniste bëhen dy skuadra, të cilat nuk kishin punë assesi në rrugëtimin për te titulli, Labinoti i Elbasanit i vendit të 7- të dhe Traktori i Lushnjës i vendit të 11-të.

Kërkonin të sfidonin. Ka qenë tejet më i ndershëm se sa sot futbolli i asokohe. Nuk kishte hyrë ende në fuqi paraja… “17 Nëntori e humbi titullin prej skuadrës së Elbasanit”. Kështu u tha atë pragpranverë. Është 2 prill 1972 dhe brenda në Tiranë 17 Nëntori-Labinoti 0-1! E vërteta është se kishim të bënim me një Labinot tërheqës e të fortë. Jorgaqi, Ibërshimi, Duçka… Goli është i këtij të fundit qysh në minutën e 8-të dhe 17 Nëntorit nuk i mjaftojnë 82 minuta të tana për të mposhtë mbrojtjen e Elbasanit të drejtuar prej një Frederik Jorgaqi stoik.

E ndërsa Labinoti triumfon në Tiranë, në Shkodër për pak sa nuk ndodh një dramë tjetër. Traktori kryeson 1-0, barazon Sabah Bizi, teksa kthehet me shpejtë- si duke nxitur shokët për vazhdimësi kë- sisoj. Mirëpo, Traktori është “traktor” dhe shkon në 2-1! Për fat, barazon Çesk Ndoja 2-2 dhe stadiumi “Vojo Kushi”, megjithatë, ende sikur hesht. Duhej të vinte minuta e 77-të dhe i paharrueshmi Esat Rakiqi i përvojës së madhe, siglon 3-2.

Do të bëhej një nga trajnerët më të mëdhenj të futbollit të Shkodrës falë inteligjencës së tij, falë shpirtit të madh futbollistik të një nobiliteti të rrallë. Ky ndoshta qe goli më i rëndë- sishëm i vetë titullit kampion. Ndërkaq, ditët shkatërruese për tre të mëdhenjtë e kryeqytetit nuk ndalnin. Më 1 prill brenda në Tiranë ndodh Partizani – Luftëtari 0-1, gol i të riut “të panjohur” Sefedin Braho. Por ka dhe më: në Vlorë, Flamurtari mposht Dinamon 2-1!

Të dukej si një kryengritje e skuadrave të qyteteve kundër kryeqytetit. Si një lloj pakti për ta hequr titullin e kampionit të Shqipërisë nga Tirana mbas plot 26 vjetëve. Kjo ishte Java 20 e Kampionatit. 2 prill 1972, ditë kur Vllaznia ngjitet në krye të renditjes për herë të parë. Madje çasti është përtej historisë, sepse ishte hera e parë që, mbas bukur 26 vjetëve, Vllaznia kryesonte një kampionat të Shqipërisë pak para mbarimit të tij.

Tash, si të thuash, mbas çelësit të violinës, “kompozicioni” i pentagramit të melodisë së titullit shfaqej në këtë pamje: Vllaznia 31 pikë, 17 Nëntori 30, Partizani 27, Dinamo 26! Një kampionat tejet i rrallë! Ndër më të bukurit!…

Dueli spektakolar Vllaznia-17 Nëntori

Ky ka qenë pra: Vllaznia-17 Nëntori. Ose Vllaznia-SK Tirana. Dy bukurina – krenari të rralla të futbollit shqiptar, ato të cilat sot më 2017, ndërsa e para shpë- ton, e dyta simbas FSHF-së së pamëshirshme e kampionatit me vetëm 10 skuadra, që nuk po ndal me dëmet e tij të mëdha për futbollin kombëtar, do ta çojë në kategorinë e Dytë.

Është një kohë kur buçet pa ndalë servilizmi ndaj saj që thotë tash e parë se ky i vitit 2017, qenka kampionati më i bukur në historinë e mbas ’90-tës, kur “të bukurit” tjetër, atij 2016, kërkojnë t’ia heqin titullin e kampionit. Merret me mend që kësisoj mendimesh të çartuna sot mbërrijnë edhe ngase shpesh nuk funksionin shefi i redaksisë në TV, çka i çon pseudogazetarët në shpërdorimin fatal të lirisë. Ndërkaq, dueli Shkodër – Kryeqytet ishte krejt i qartë.

Të dukej se qysh nga kjo ditë, kampionati nuk do të kishte më ngjarje. Mbërrin Java 21 dhe goli i Sabah Bizit, megjithatë, nuk e shpëton Vllazninë nga barazimi 1-1 brenda në Shkodër me Partizanin. E shpëton nga humbja, gjithsesi. Barazon Vladimir Balluku.

Për herë të dytë brenda pak ditëve, dy gola vendimtarë të Sabah Bizit betonojnë mëtimet e Vllaznisë për të mbërritur te titulli.

Kujtoj golin e tij të ndeshjes me Traktorin dhe mbaj në mend këtë të barazimit me Partizanin, humbja me të cilin do të kishte tronditur deri aty sa s’ka ku shkonte më. E, 17 Nëntori që kthehet te fitorja, kësaj radhe 1-0 në Gjirokastër me gol të një njohësi të imtë të fushës gjirokastrite: “ishluftëtarasi” që quhej Ramadan Shehu.

Dhe Vllaznia e 17 Nëntori nga 32 pikë secila. Kur në Tiranë mbërrin “finalja” e kampionatit, ajo 17 Nëntori-Vllaznia, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” mund të kishte mbi 20.000 shikues. Të dukej se në Tiranë kishte ardhur e gjithë Shkodra. Në rrugët e kryeqytetit sikur kishte veç shkodranë.

Madje, edhe prej atyre që i përshkonin 120 kilometrat me biçikletë! “Bar Sahati” edhe ai sot i rrënuar, gumëzhinte… Skuadra shkodrane e kuptonte se titulli kampion i kishte mbërritur te dera e shtëpisë dhe detyrimisht nga stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” duhej dalë pa humbje. Kryesonte “a pari merito” (nga 32 pikë secila) me 17 Nëntorin për hir të prekjeve më të pakta të rrjetës së portës së saj falë dhe artit të Paulin Ndojës.

Deri atë ditë vetëm 13 gola të pësuar në plot 22 javë. Ishin ditë krejt të çuditshme, kur befas, mbrojtësi shkodran Zyhdi Basha do të mahnisë Shqipërinë e futbollit duke deklaruar para kohe në TV se “Vllaznia do të fitojë edhe Kupën, edhe Kampionatin”. Ishte viti i madh i Vllaznisë dhe më 7 maj 1972 në Tiranë 17 Nëntori-Vllaznia fikson rezultatin e ashtuquajtur të bardhë 0-0, që për Shkodrën kishte vlerë vezulluese.

Ashtu si në ndeshjen e parë në stadiumin “Vojo Kushi” ishte një 0-0, të cilit i munguan vetëm golat, sepse të gjitha të tjerat i kishte. Nivel i lartë, sulme të pandërprera të dyanshme, epërsi të lehtë të kryeqytetasve, por një Vllazni më kompakte se kurrë. I shkëlqyeshëm portieri Ndoja, i pakalueshëm Ramazan Rragami më tepër në mbrojtje se në sulm, rregullator i plotë dhe i pashkëputshëm në shoqërinë absolute me topin Sabah Bizi. Dhe 0-0 “për” Vllazninë mbas një gjykimi të shkëlqyeshëm të Shazivar Grudës, të cilin kur e pyesin për më të mirët e fillon me emrin e Bizit…

Titulli ishte bërë edhe më i afërt kur kujtoje se 4 ndeshjet e mbetura ishin tejet më të lehta për shkodranët. Aq më tepër, se me këtë 0-0, Vllaznia mbyllte duelet me skuadrat e fuqishme të Tiranës. Plot 6 ndeshje, me të cilat, për çudinë e madhe, ajo nuk kishte fituar asnjë! Madje, të vetmen humbje të pësuar e kishte me një kryeqytetas të mirënjohur, Partizani, që ishte i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (MMP) – rezident në Tiranë.

Bilanci është gati fatal: Vllaznia – Partizani 1-1 e 1-2, Vllaznia-Dinamo 1-1 e 1-1, Vllaznia-17 Nëntori 0-0 e 0-0. Vllaznia po ia rrëmbente titullin kryeqytetit pa e mundur asnjëherë! Dukej si ironi e fatit. Ajo kishte ditur të mos iu lëshonte pê të tjerëve dhe të barazonte me kryeqytetasit, sidomos kur barazimi kishte thuajse vlerën e fitores. Koha punonte për Vllazninë… Vllaznia – Kampione e Shqipërisë! Do të jetë shtatë ditë më vonë, kur baraspesha e 33 pikëve për secilën prishet. Partizani fiton 2-1 me 17 Nëntorin, edhe pse tiranasit kryesojnë 1-0 (Dibra).

Çudia më e madhe ishte se gjithçka përcaktoi ndërrimi i Panajot Panos në pjesën e dytë me Leskajn. Dhe 2-1 për kampionët ende në fuqi duke shënuar Uran Xhafa e Dhori Kalluci që vinin nga skuadra qytetesh. Ky ka qenë ndërrimi më enigmatik në historinë madhështore të Panajot Panos. U pëshpërit se si një i dikurshëm i 17 Nëntorit “të tij”, emocionet mund ta tradhtonin Panajotin, duke ia ngatërruar mendimet dhe lojën e duke mos i shërbyer fort fitores së mundshme të Partizanit.

Them se nuk ka qenë kështu megjithatë, pavarësisht se mbas ndërrimit të tij, Partizani nuk lëshoi assesi pê. Dhe Partizani-17 Nëntori 2-1, Vllaznia + 2 pikë dhe Shkodra që shpërthen… Tash kryesuesja më e vendosur se kurrë, prêt Skënderbeun dhe 3-2. Që kishte mbërritur në një ditë krejt të veçantë.

Ishte Java 23, për fat, e mbushur me plot nostalgji. Vllaznia-Skënderbeu 3-2 është ceremoniali i lamtumirës prej fushës së blertë e dy të mëdhenjve të Vllaznisë, mbrojtësit të pakalueshëm Frederik Çapaliku – shpirt i papërkulshëm futbolli dhe sulmuesit ndër më të mëdhenjtë e Kampionateve të Shqipërisë, Selami Dani. Prej këtu Vllaznia shkon në Kavajë dhe 0-0, pret Flamurtarin dhe 2-0!

Para javës së fundit kemi Vllaznia 38 pikë, 17 Nëntori 37. Kaq mjaftonte për titullin kur dihej se ndeshja e fundit ishte Studenti-Vllaznia. Nuk besohej prej askujt Studenti, i fundit në renditje me vetëm 1 fitore në 25 javë kampionat, mund të bënte diçka.

Në një kohë që në këtë javë të fundit ishte Besa-17 Nëntori. Përkimi do të ishte vërtet fatal. Fiton Besa 4-1 (Pagria, Qerolli, Bishtaja, Pagria, Shehu) – “fair play” shembullor i skuadrës kavajase, edhe pse Vllaznia sapo i kishte rrëmbyer Kupën e Shqipërisë.

Dhe po 4-1 Vllaznia në Tiranë ndaj Studentit, edhe pse ky kryeson 1-0 qysh në të 6-tën. Kjo ka qenë ndeshje e madhe e Çesk Ndojës së papërmbajtshëm. 1-1 që qetëson mijëra zemra është falë golit të tij. Asnjëherë një gol nuk kishte qetësuar zemra sa ky. Mandej 2-1 është falë Bizit. Mandej 3-1 prej Ismet Hoxhës – një tjetër margaritar i sulmit modern të shkodranëve – i cili gjithashtu do të mbërrijë deri në Kombëtare. Mund të thuhej pa mëdyshje se prania e I.Hoxhës vetvetiu e kishte ruajtur forcën e treshes së mirënjohur.

Dhe me vetëm një ndryshim: nga Rragami-Bizi-Zhega, ajo ishte shndërruar në Rragami-Bizi-I.Hoxha. Mbas pak është 4-1 falë Viktor Plumbinit të pafjalë, por të rrufeshëm thuajse po aq sa stili trimëror i një Lekë Koçobashi. Ishte një epërsi përmbysëse e një kampioneje të vërtetë. Dhe veçojmë: në katër prej ndeshjeve fitimtare të fundit ka shënuar Bizi gola vendimtarë për rezultatin. Gola kthese. Gola fitoresh. Gola kampionësh.

Renditja 1971-1972

Ky ishte Sabah Bizi. Pa harruar ndërkaq se, falë topave të tij, kanë shënuar Rragami, Ndoja dhe Ismet Hoxha jorrallë i papërmbajtshëm, teksa do të mbetej kryeshënuesi i kampionëve të rinj me 8 gola, po aq sa dhe i paoksidueshmi Esat Rakiqi… Mbas 26 vjetëve, Vllaznia e Shkodrës 1972 ishte bërë kampione e Shqipërisë me vetëm 1 humbje! Krejt e rrallë kjo për historinë e kampionatit të Shqipërisë!…

——–

Pjesa e tretë

Kur historia mbyllet me një foto…

Këtu mbyllet triptiku i fotove tona historike. Është Vllaznia në sta diumin kombëtar “Qemal Stafa” kur sapo është shpallur Besnik-DizdariKampione e Shqipërisë mbas plot 26 vjetëve (1946-1972)… Autori i fotos është fotoreporteri i shquar, Petrit Sheqeri i gazetës “Bashkimi”, gazetar i së cilës unë isha. Ka qenë 4 qershor 1972 dhe unë gjithë paraditen i rrija pranë Petritit, për t’ia kujtuar se “mbasdite do të shpallet Vllaznia kampione dhe duhet të jesh në stadium”.

Veproja kështu se të papriturat e të përditshmeve të asokohe ishin vërtet të çuditshme. Ndodhte që kryeredaktori ta niste urgjentisht, ta zëmë për në Pezë a Vorë, fotoreporterin për një foto të faqes së parë për fushatën e kullimeve a të korrave të koperativës.

Ndonëse vetë Petriti natyrisht që nuk mund të më tradhtonte, të paktën do të më njoftonte dhe atëherë unë do të shkoja te kryeredaktori, i paharrueshmi Niko Nishku, interpret i madh i hapësirës së pamatë që do t’i jepte sportit në këtë gazetë, çka ai e drejtonte me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Kjo ishte foto e vetme e Vllaznisë në çastin e titullit 1972, që do të botohej në të gjitha gazetat e vendit. Më 4 qershor 1971, Vllaznia e Shkodrës u bë kështu Kampione e Shqipërisë mbas 26 vjetëve, duke pas trajnerë dy kampionë të viteve 1945 e 1946: të mëdhenjtë e historisë së futbollit shqiptar Xhevdet Shaqiri dhe Xhelal Juka. Atë natë Shkodra ka pritur mesnatën e përtej, ndonëse gëzimeve qytetare të përmasave Regjimi iu vinte kufi.

Qoftë edhe në këtë 4 qershor 1971 – ditë “epokale” sepse mbas një të katërt shekulli ajo ndërroi historinë e ecurisë së Kampionatit të Shqipërisë. U frymëzua nga treshja e saj që “jetoi” vetëm 5-6 javët e para të Kampionatit, por dyshja mbeti vendimtare. Ishin Rragami e Bizi!

Gjithnjë e kryesuar prej Ramazan Rragamit – një udhëheqës universal i një titulli sensacional, personalitet po universal i futbollit shqiptar. Siç kam përcaktuar diku tjetër, gjithnjë i përmendej teknika, eleganca, pasimi, gjuajtja, horizonti taktik i lojës, shumanshmëria e futbollit të tij modern.

E po aq dhe forca e pazakontë e fizikut të tij skulptural, që, për një çast, të dukej se ishte e planit të dytë; në të vërtetë ishte mveshja e mbrendshme, si të thuash, motori që vinte pa pushim në lëvizje gjithë agregatet e tjerë teknikë tejet shprehës së tij. Ishte një lloj trajneri në lojë e do të bëhej një trajner i vërtetë, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë.

Çka për fat, do ta përjetoja drejtpërsëdrejti në Trier të Gjermanisë 1983 – Shpresa e Shqipërisë në 8-she të Europës. Trajner Ramazan Rragami. E, asokohe të vitit 1972, ne nuk mund ta parashikonim assesi këtë “epikë” gjermanike të futbollit “rragamian”… Ndërkaq, Sabah Bizi! Njeriu, i cili mbrenda 12 muajve e kishte bartë titullin e kampionit nga Partizani i tij te Vllaznia e tij.

Rikujtoj se bilanci i tij në kampionate ishte mbresëlënës: nënkampion më 1968, nënkampion më 1970, kampion më 1971, kampion më 1972! Pa përmendur Kupat e tij. U tha se Sabah Bizi ishte suksesi. Ndonëse, siç u pa në dy pjesët e mësipërme, ai dhe Rragami gjithçka do ta bënin me shokët e tjerë të tyre, të cilët janë të fiksuar në këtë foto të tretë të këtij tregimi tonë. Ishin shkodranët e vetëm, të cilët jo larg, por vetëm dy vjet më parë qenë shpallur Kampionë të Ballkanit me Partizanin e Loro Boriçit legjendar për ne.

Dhe i kthehemi 4 qershorit 1972. Ndodhemi në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Në foto është Vllaznia në çastin e fitimit mbas 26 vjetëve të titullit Kampion i Shqipërisë. Lart nga e majta: Rauf ÇANGA, Zyhdi BASHA, trajnerët Xhevdet SHAQIRI e Xhelal JUKA, Hajro LEKAJ, Suat DURAJ, Paulin NDOJA, Ramazan RRAGAMI, Menduh DEDJA. Ulur nga e majta: Nazmi QERAJ, Viktor PLUMBINI, Esat RAKIQI, Çesk NDOJA, Medin ZHEGA, Sabah BIZI, Lekë KOÇOBASHI, Ismet HOXHA.

Kjo mund të jetë e vetmja foto e një skuadre kampione në historinë e futbollit botëror, ku njëri prej futbollistëve kampionë, gjithashtu me diplomën edhe medaljen e kampionit në gjoks, nuk është i veshur me kostumin sportiv, por atë civil.

Është Medin Zhega, i cili ishte në përfundim të shërimit të tij, për të rifilluar mbas pak dhjetëvjetëshin e tij të dytë spektakolar në futbollin e Vllaznisë e të Shqipërisë. Ishte pra Zhega i 6 ndeshjeve të para shpërthyese të tij që dha sinjalin e fuqishëm të Vllaznisë Kampione ’72. Nuk do ta harronin, teksa ai disi kryeulët është i ulur në mes të shokëve, sikur të ishte disi jashtë kësaj skene. Kur nëntë muaj më parë kishte qenë protagonisti i skenës së bujshme shkodrane të Kampionatit 1971-’72.

GËZIMI I SHKODRËS PËRBALLË INDIFERENCËS SË SHQIPËRISË…

Duke qëndruar te viti 1972, te titulli i mbas 26 vjetëve të Vllaznisë, ngjarje që tronditi themelet e Kampionatit të Shqipërisë, teksa e vështroj në një largësi 45-vjeçare, detyrimisht shkoj për te koha që përjetonte Shqipëria. Për fatin e saj tragjik ajo ishte mû në prag të vitit fatal 1973, të famshmit Plenum i 4-t i PPSH, i cili do të izolonte përfundimisht Shqipërinë. Në ditët, muajt e të cilit nëpërkëmbja, hetimet, burgosjet politike do të merrnin një hov të papamë për të mos u ndalë më për gati 20 vjet.

Dhe me pamëshirën edhe ndaj zhvillimit dhe izolimit të kulturës kombëtare ku bënte pjesë edhe sporti e futbolli. Në Shkodër të dukej se ishte diçka tjetër. Për javë të tana qyteti gëzonte në mënyrën e vet të qetë titullin e Kampionit të Shqipërisë. Ato ditë unë për vete, dhe jo vetëm unë, nuk guxoja të shkoja në Shkodër e të mos bëhesha pjesë e diskutimeve që nuk ndalnin për këtë titull gëzimplotë të një populli zemërgjerë, aq i etur për punë, kulturë, art e sport.

Po aq dhe shprehës i një sfide ndaj një lloj injorimi “sui generis” që prej vitesh Regjimi i bënte Qytetit të lashtë të Veriut. Ndërkaq, siç kam shkruar, ne, ata shumë pak gazetarë sportivë që ishim, si pjesë e redaksive të gazetave, do të përpiqeshim që në këtë ngjarje krejt të bujshme sportive të luanim rolin tonë sa më të mundshëm. Nuk mund të harrojmë se përjetonim një censurë të pamëshirshme.

Ndërkaq, mbi 90 për qind të shkrimeve që unë kam bërë për Kampionatin Kombëtar të vitit 1972, nuk mbajnë firmën time, por ata janë firmosur me “nënshkrimin” “Korresp. i “Bashkimit”! Regjimi ishte armik i madh i protagonizmit të gazetarëve. Protagonizëm autorësh që sot në Shqipëri ka arritur kulmin e “madhështisë” apo të “vetëmadhështisë”, quaje si të duash, asokohe ishte dukuria që luftohej fort. Individi duhej të shkrihej në anonimatin e shoqërisë socialiste.

Nuk mund të harrohet ndërkaq, se viti 1972 do të mbetej për Shqipërinë një vit ndarës që do të paralajmëronte dramën e re të izolimit të një populli të tanë. Kongresi i 6-të i PPSH sapo kishte ngritur në piedestal demagogjinë e idesë së të ashtuquajturit të “zërit të masave popullore”, të “luftës së mëtejshme kundër socialimperializmit sovjetik dhe imperializmit amerikan”.

Mbas tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të BFSSH, sporti shqiptar shpërthen me parullën revolucionare “ta bëjmë sportin të masave”, çka në thelb nënkuptonte sa anën e mirë të përhapjes së gjerë të sportit, e po aq dhe ndikimin e fuqishëm politik përmes asaj që emërtohej si “kalitje fizike dhe revolucionare”.

Kinezërimi i Shqipërisë sa vinte e rritej. Ekipe kineze nisin e vijnë njëri mbas tjetrit dhe ndeshjet janë politike deri aty saqë një pjese të shtypit i ndalohej të jepte deri dhe rezultatin teknik të përfundimit. Një kritikë e fortë ra mbi drejtuesit e futbollit ngaqë skuadra Kombëtare e Shqipërisë i kishte lejuar vetes të fitonte 2-1 kundër Kombëtares të të Rinjve të Kinës në ndeshjen e 11 qershorit 1972.

Kësisoj, nuk ishte edhe kaq e lehtë t’i thureshin himne sadopak suksesit të bujshëm të Vllaznisë së Shkodrës. Ndonëse dihej, populli kishte fare pak gëzime. Gëzimi kryesor ndoshta ishte “të shkuarit në stadium”, të cilët mbusheshin me kapacitet të plotë dhe madje përtej. Në këtë mjedis fitorja e titullit kampion prej një skuadre jokryeqytetase as që mund të mendohej. Mû për këtë Vllaznia ’72 është “epokale” për historinë tonë.

Por, me sa dukej, nuk ishte kështu për atë kohë, teksa kujton që për këtë ngjarje nuk është shkruar e trajtuar për çka ajo meritonte. Në të vërtetë as që mund të trajtohej kur e kuptoje se çfarë Shqipërie ishte ajo… Shqipëria 1972 po shkonte pra drejt Plenumit IV të PPSH, rezultati përfundimtar i të cilit do të ishte thellimi i frikësimit të mëtejshëm të një populli të tanë. Nuk mund të them ndërkaq, se qarqet partiake apo qeverisëse kishin fort gëzim për titullin e Vllaznisë.

Shumica e tyre si partizanë të luftës dihej që ishin të “Partizanit”. Politikisht kënaqësi mund të përjetonin sigurisht vetëm njerëzit e pushtetit dhe të Partisë në Rrethin e Shkodrës, çka i bënte që, si të thuash, të fitonin disa pikë në popull. Sidomos tek ai shkodran për të cilin dihej se sa i ndjeshëm ishte për futbollin dhe sportet, përmes të cilëve në mbrendësi të vetvetes ndiente një krenari e “revoltë” të shpirtit qytetar që ia kishin nëpërkambun.

Titulli kampion nuk ishte thjesht çështje sportive apo e futbollit. Them se në këtë logjikë të një ngushtimi, izolimi, të një politike, si dhe të një kundërprotagonizmi të individit, duhet kuptuar mungesa e një entuziazmi publik kombëtar, qoftë edhe në strategjinë e politikës sportive të Regjimit.

Në fund të fundit, kjo ngaqë Vllaznia e Shkodrës kishte mposhtur kryeqytetin ku investimet për sportin e futbollit e të cilit dihej se sa më të tepërta që ishin. Sidomos në të mirë të dy klubeve ushtarakodikasteriale Partizan e Dinamo.

GAZETARËT E TITULLIT KAMPION ’72…

Gazetat që janë marrë me titullin e bujshëm të Vllaznisë 1972, kryesisht ishin “Sporti popullor”, “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” . Ndonëse nuk duhet harruar kontributi i përjavshëm i një Namik Mehmeti – zëri gazetaresk i Vllaznisë që mbërrinte thuajse çdo javë nga mjedisi shkodran.

Po për paradoks, gazeta që e pasqyron më pak titullin e madh shkodran është pikërisht gazeta “Sporti popullor”. Mû ajo që e kishte detyrë parësore profesionale për ta pasqyruar më mirë e më gjerë se askush tjetër! Është një thatësirë e tanë! Kësisoj, duke kaluar në skajin e luftës kundër protagonizmit, thuajse gjatë gjithë Kampionatit 1971-’72, gazeta nuk ka botuar përbërjet (skedat) emërore dhe statistikore të thuajse të të gjitha ndeshjeve!

Ky është një rast botëror. Vetëm ata që kanë mbajt shënime të rregullta të ndeshjeve të veçanta asokohe, sot mund të të tregojnë diçka të saktë prej ecurisë statistikore të ndeshjeve të këtij kampionati që pa dyshim ka qenë ndër më cilë- sorët për sot e kësaj dite.

Foto e vogël e Vllaznisë kampione në faqen e parë të “Sportit popullor” të 6 qershorit 1972 mezi shihet diku aty në fund. Ka vetëm një titull të varfër: “Vllaznia – kampione”, ndonëse ajo kishte 26 vjet pa qenë e tillë! Ndërkohë që sensacioni tjetër qëndronte në faktin se, për herë të parë mbas një të katërt shekulli, ishte mposhtur futbolli i kryeqytetit.

Ndërkaq, në mbrendësi është një përshkrim i shpejtë i javës dhe një shkrim pa titull i gazetarit të paharrueshëm, përveç të tjerave statisticien dhe radiokronist i shquar, Ymer Striniqi. I është dhënë diçka më shumë se një kolonë e ngushtë vetëm sa për të përshkruar ndeshjen e fundit, atë Studenti – Vllaznia 1-4, një kronikë e shkruar hijshëm prej Stërniqit, por pa “ia lejuar” aspak të shtjellonte se çka ishte dhe çka përfaqësonte suksesi i bujshëm shkodran.

Por, kolegu ynë Ymer Striniqi nuk harron ta mbyllë me fundin lakonik kronologjik kur shkruan: “…Gjithë futbollistët kontribuan në arritjen e fitores. Një meritë e veçantë u takon edhe trajnerëve Xhevdet Shaqiri dhe ndihmësit të tij Xhelal Juka – të dy ish-futbollistë të skuadrës Vllaznia. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Azis Tahiri, i cili i përgëzoi futbollistët për rezultatet e arritura gjatë këtij sezoni.

Pastaj ai i dorëzoi kapitenit të ekipit kampion Ramazan Rragamit, flamurin, një kupë dhe diplomën e skuadrës kampione. Futbollistët u nderuan me diploma dhe medaljet e kampionit”… Të duket si një prehistori, që sa kërkon të përmbajë poetikën apo romantiken e saj, përmban fort prozaizmin e një kronike.

Është vështirë të gjej ndërkohë, se cili qe Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit të atij vit, kur gjithçka mbetet në duart e sekretarit Azis Tahiri (Shqipëria kurrë nuk ia shtonte përcaktimin zyrtar të FIFA-s “i përgjithshëm”) – një nga drejtuesit dhe zyrtarët më të shquar të sporteve dhe të futbollit shqiptar.

Të paktën një vit më parë them se kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit ka qenë i nderuari Qemal Myrseli, funksionar serioz i shtetit, por dhe një mbështetës i mirënjohur i zhvillimit të futbollit. Nga ana tjetër, gazeta “Bashkimi” e 6 qershorit 1972, në një shkrim deri diku të posaçëm, ka meritën e vetme se foton e skuadrës kampione me autor fotoreporterin e saj të përkushtuar Petrit Sheqeri, e boton duke vënë emrat e të gjithë lojtarëve shkodranë. Ishte hera e parë, absolutisht hera e parë në historinë e gazetarisë shqiptare, që në një të përditshme botohej foto e skuadrës kampione të futbollit, duke i vënë pranë emrat e kampionëve.

Edhe pse ishim në sport, edhe pse ishte fjala për Kampionen e vendit, kjo konsiderohej përveç të tjerave, edhe një vlerësim i madh politik. Sot kjo natyrisht, duket absurde, por kështu ka qenë. Kisha treguar një vëmendje të madhe të qëllimshme për saktësinë e informacionit të kësaj fotoje historike.

Nga ana tjetër, sot shkrimi im i atëhershëm të duket si redaksional, teksa nuk përmban as firmën e autorit dhe as “nënshkrimin” e zakonshëm “Korresp. i “Bashkimit”! Them se ka meritën që, përveç fotos së ekipit, ai shoqërohet edhe me një foto tërheqëse që paraqet autorin e golit të barazimit në ndeshjen e fundit me Studentin, Çesk Ndojën, teksa nxiton të nxjerrë topin nga rrjeta e vendasve për t’u shënuar tre të tjerët e titullit kampion. Në tanësi shkrimi është kompozuar përmes përcaktimeve për Kampionatin, duke portretizuar në mënyrë lakonike të gjitha skuadrat.

Dhe asnjë përcaktim apo epitet të veçantë për asnjë lojtar shkodran. Përsëris edhe këtu një pasazh: “… 14 korrik 1946. Në fushën sportive të qytetit të Shkodrës, Vllaznia mund 3-0 Flamurtarin e Vlorës në takimin e dytë final, dhe për herë të dytë shpallet Kampione e Shqipërisë.

Fitoren e kampionëve e vulos goli i fundit i Shaqirit në minutën e 50-të. Sa vjet kanë kaluar që ahere? Plot 26! Dhe për gjithë këto vite futbolli me tradita i Shkodrës, nuk mundi të ngjitej në apogjeun e kampionateve kombëtare.

Thuajse për një dekadë të tërë Vllaznia notoi në ‘ujëra të turbullta’, por më në fund ajo ndjeu kënaqësinë e fitores së madhe, fitimin e titullit të lartë të kampionit kombëtar. Përtëritje e bukur e traditës kjo, që gëzon simpatizantët e zjarrtë të Vllaznisë, dhe gjithë masat sportdashëse të vendit.

Kështu do të gëzohemi edhe nesër në qoftë se në këtë lartësi ngjiten edhe klube të tjera të vendit tonë Besa, Labinoti, Skënderbeu, Flamurtari, Lokomotiva”…

Ky ndoshta ishte mendimi i vetëm që dilte disi jashtë kornizës së një kohe: ai që i kërkonte kampione skuadrat e qyteteve të jashtë Tiranës. Kjo dëshirë apo parashikim të cilën e kam për nder si i vetmi që e parashtrova në shtyp, u bë realitet vetëm mbas rënies së Regjimit kur u bënë Kampione të Shqipërisë edhe Flamurtari e Teuta (Lokomotiva), kur u ribë edhe Skënderbeu, kur përsëriti Labinoti i Elbasanit.

Kur sapo u bë edhe KF Kukësi. Ndërkaq, një hapësirë edhe më të gjerë i ka kushtuar titullit të Vllaznisë gazeta “Zëri i Rinisë” në numrin e saj të 7 qershorit 1972, ku kolegu ynë i mirënjohur Nexhat Gjuzi shkruante: “… Ekipi i Vllaznisë vulosi përfundimisht aktin e përfundimit të kampionatit, duke merituar me të drejtë titullin e lartë të kampiones së vendit për vitin 1971-1972, duke kurorëzuar me sukses punën e madhe dhe përpjekjet e futbollistëve, si dhe të trajnerëve të saj Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka.

Fitimi i titullit kampion është pa dyshim një meritë e madhe për tërë lëvizjen futbollistike të qytetit të Shkodrës, qytet me tradita të mëdha në futboll”… Ndërsa, vulën e gjykimit, si të thuash “gjeopolitik”, titullit të skuadrës së Shkodrës pritej t’ia jepte gazeta e Partisë, “Zëri i popullit”, gjithnjë nën pendën e të mirënjohurit të saj të sa e sa viteve, të përkujtueshmit Petrit Çani.

Gjithnjë i matur e objektiv në ato çka përsiatte për natyrën e kësaj gazete kryesore të Shqipërisë, nën titullin “Vllaznia e Shkodrës – kampione kombëtare”, ai shkruan: “… Fitorja e titullit të nderit nga Vllaznia është plotësisht e merituar. Ajo erdhi si rezultat i një mobilizimi të të gjithë kolektivit dhe i punës së kujdesshme të trajnerit të skuadrës, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Xhevdet Shaqiri, dhe ndihmësit të tij Xhelal Juka.

Në përgjithësi, skuadra përbëhet nga lojtarë të rinj, djem të dashuruar tepër pas futbollit dhe që kanë bërë e bëjnë përpjekje për të ngritur vazhdimisht mjeshtërinë e tyre sportive. Është dalluar veçanërisht vija e sulmit, e cila duke pasur një dirigjent të zotin, siç është Sabah Bizi, ka dalë shpesh fituese ndaj mbrojtësve të skuadrave kundërshtare.

Gjysmëmbrojtësit dhe mbrojtësit kanë luajtur gjithashtu me pjekuri taktike e me nivel të kënaqshëm teknik, por një kontribut jo më pak të rëndësishëm, ka dhënë portieri P.Ndoja, i cili me shkathtësinë e mprehtësinë e tij ka mbrojtur me dinjitet disa herë me radhë portën.

Nuk ka dyshim se një meritë të madhe për arritjen e këtij suksesi ka dhe publiku sportdashës shkodran, i cili me inkurajimet e tij të flakta, por të matura, ka rritur në një shkallë akoma më të lartë mobilizimin dhe entuziazmin e lojtarëve për të përfaqësuar denjësisht ngjyrat e qytetit të tyre plot tradita”…

Them se është një kuintesencë që qëndron edhe për sot, pavarësisht stilit të kohës. Çani ka meritën se për kampionen shkruan më gjatë se ndonjë gazetë tjetër. Ai ngre lart vlerën e publikut (diçka tepër e rrallë ky përcaktim në shtypin e asokohe). Dhe se është i vetmi që portretizon meritën e madhe të Sabah Bizit, po dhe të portierit Paulin Ndoja – dy pika kulmore të forcës shkodrane.

E, midis këtyre shkrimeve, më mbërrin befasia, kur një emër i shquar i gazetarisë dhe sidomos i letërsisë për fëmijë, shkrimtari Bekim Gaçe, kryeredaktor i një prej revistave më të lexuara në vend, “Pionierit”, më ftonte të shkruaja për titullin e Vllaznisë, histori të cilën e kam treguar kohë më parë këtu.

Tjetër temë jehona radiotelevizive, sidomos e komentit dhe kronikave të paharrueshme të një Ismet Bellove, pasuar nga emisionet e më të riut me emrin Ahmet Shqarri që shpejt do të bënte histori; e po aq dhe të rubrikave të ekranit të vogël të një Skifter Këlliçi novator në stilin e tij tejet televiziv, gjithashtu pasuar nga më i riu me emrin Vladimir Grillo, i cili do të merrte stafetën për një rrugë të gjatë…

Në tërësi, gazetarët sportivë të gjithë së bashku thuajse numëroheshin vetëm me gishtat e njërës dorë. Kësisoj edhe për ta sapo fillonte një histori e re për gazetarinë sportive shqiptare, datuar po 45 vjet më parë. Nuk duhet harruar!…

VLLAZNIA ’72 – NJË EPILOG TRISHTUES?…

Kanë kaluar kështu 45 vjet nga titulli i Vllaznisë – Kampione e Shqipërisë mbas 26 vjetëve. Ajo është një ngjarje që duket sikur i përket vetëm Shkodrës. Kurrsesi! Qysh nga ajo ditë e 4 qershorit 1972, jeta e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë nuk do të ishte po ajo. Vllaznia hap një faqe të re: “luftën” e skuadrave të ashtuquajtura të rretheve kundër kryeqytetit.

Është fjala për luftën e bukur sportive të një futbolli që kërkonte të rritej edhe përtej tribunave asokohe “madhështore”, siç emërtoheshin ato të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Tribuna të atij stadiumi kombëtar, të cilën mendjet e sotme të ngushta johistorike, e me sa duket, edhe të një egërsie të ekonomisë së tregut, jo aq sportivë sa ç’kërkojnë të hiqen, po më shumë të interesave për të cilat dikur Shqipëria do t’i dënojë, i shuan mbrenda pak ditëve.

Mbeten vetëm në kujtimet e një historie të jashtëzakonshme. E ndërsa KF Kukësi i sotëm është kampione e ekonomisë së tregut, Vllaznia e Shkodrës 1972 është në histori kampionia e shpirtit të madh sportiv, e një pasioni të pastër, genuin, e një zhvillimi talentesh të mëdhenj të futbollit, edhe pse të vogël shqiptar.

Dhe kurrsesi vetëm e treshes unike Ramazan Rragami-Medin Zhega-Sabah Bizi, por edhe e djemve të tjerë rreth tyre: Paulin Ndoja e Hajro Lekaj, Millan Vaso e Menduh Dedja, Suat Duraj e Ismet Hoxha, Lekë Koçobashi e Çesk Ndoja, Rauf Çanga e Esat Rakiqi, Selami Dani e Zyhdi Basha, Viktor Plumbini e Nazmi Qeraj – të cilët u përpoqa t’i radhis simbas roleve, nga mbrojtja, mesfusha e sulmi.

E gjitha vepër e dyshes së paharrueshme të trajnerëve Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka. Kjo është Vllaznia 1972. Skuadra që, pak vite më vonë, do t’i falte fushës së blertë të saj edhe dëshmorin Suat Duraj – kampioni i shquar shkodran, i shuar pikërisht në fushën e blertë teksa stërvitej plot pasion.

Nuk di a do të kujtohet e nderohet diku ky 45-vjetor i një historie të pashlyeshme sportive qytetare të Shqipërisë. Po, në fund të fundit, ndoshta kjo ka pak rëndësi. Dhe më fort se kjo, rendësi do të kishte ndikimi i saj për t’i risjellë Shqipërisë Kampionatin e saj Kombëtar, atë, sa më të vërtetin.

Mbi të gjitha duke mënjanuar tejet, qoftë dhe një situatë të sotme të rënies apo braktisjes së pa shembull të skuadrave tona tradicionale qytetare. Duke larguar sa më parë një hije “të qetë” trishtimi që rrethon sot garën më të dashur të shqiptarëve që është Kampionati Kombëtar i Futbollit “Vllaznia 1972” është një kujtesë e fuqishme për ndryshimin e madh.

Fund

*Marre nga gazeta “Panorama Sport”