Gati dy muaj më parë, ai u shpall Kampion Ballkani. Ndoshta ky sukses shumë i madh i tij nuk bëri shumë bujë sepse kemi të bëjmë me një sport ndoshta jo shumë popullor siç është ai i MMA që futet tek artet marciale. E kemi fjalën për Dorian Dokajn. Historia e tij është shumë interesante. Nga dëshira e lindur për t’u marrë me këtë sport të panjohur, për të vazhduar me sakrificat e mëdha për t’u stërvitur dhe për të përfunduar tek suksesi i madh i arritur dhe mungesa e vëmendjes nga institucionet përkatëse.

Dorian Dokaj ka lindur në Hot të Malësisë së Madhe. Pasioni për sportet luftarake i ka lindur që në moshë të vogël. Rreth moshës 9 ose 10 vjeçare ai ka parë rastësisht një dokumentar për Majk Tajson. Që atëherë i lind një dëshirë e madhe për sportet luftarake. Në mënyrë ndoshta disi të çuditshme.


Sepse të gjithë shokët e klasës flisnin për futball, ndërsa Doriani u tregon se sa i mrekullueshëm është boksi. Stërvitjet e para i filloj në shtëpi.
Shikonte video të luftëtarëve në MMA se si stërviteshin ata dhe me mjete rrethanore që kishte improvizonte stërvitjen. “Çdo ditë e më shumë që rritesha kuptoja se sa i lidhur isha me MMA. Një pasion i madh dhe një dëshirë e madhe që të shikoj veten në Octagon (ringu i MMA). Dhe kjo ditë erdhi. Falë ndihmës së trajnerit Elion Puka, unë u stërvita intensivisht me ekipin e taekëondosë dhe arrita që në Kampionatin Ballkanik të zë vendin e parë dhe të shpallem kampion Ballkani. Një emocion i papërshkrueshëm për mua. Ndeshja e pare ishte kundër një sportisti nga Bullgaria i cili ishte 3 herë kampion ballkani edhe 1 herë kampion Europe.

Fitova ndeshjen në raundin e parë me dorëzim të kundërshtarit. Në finale ndërkohë fitova ndaj një shqiptari, Xhulio Zaranjakut. Ka qenë një emocion i madh për mua, por këtë sukses e arrita falë mbështetjes së trajnerit Elion Puka, ekipit të Vllaznisë dhe familjes time. Pa ta, nuk do mundja të fitoja këtë trofe të rëndësishëm”- thotë Dorian Dokaj.

Karriera e tij ka nisur mirë në fakt. Tre ndeshje- tre fitore në MMA dhe ky është një fillim i mbarë. Synimet e tij janë pjesmarrja në Kampionatin Europian që do të zhvillohet këtë vit dhe ndonëse mund të duket e çuditshme, “ëndrra ime është të shpallem Kampio Bote”.
Absurditeti/ Doriani është nga Hoti dhe çdo ditë me makinën e familjes së tij udhëton për në Shkodër e kthehet. Bën 80 kilometra çdo ditë vetëm e vetëm që të stërvitet për të arritur ëndrrën e tij. Jo vetëm kaq. Stërvitja nis në orën 19.00 në Shkodër, zgjat dy orë dhe kthimi në shtëpi është në orën 22.00. Pa u ndalur pastaj tek fakti tjetër që tregon se kampioni i Ballkanit ka bërë edhe deri në 10 orë punë në ditë në një kombinat druri!!! Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, ai ia doli të zërë vendin e parë në Rajonin tonë. Një sukses që nuk mori vëmendjen e duhur në fakt.

As nga mediat dhe as nga drejtuesit. Kur e pyesim kampionin tonë nëse ka marrë ndonjë shpërblim a gjë për këtë titull të lartë, Dokaj përgjigjet: “Unë nuk kam marrë asnjë urim nga institucionet tona dhe jo më ndonjë shpërblim”. Dorian Dokaj kësisoj pavarësisht suksesit që i dha Shqipërisë, nuk është pritur nga askush. Nuk e ka uruar askush. Nuk e ka pyetur kush nëse lodhet apo jo të sakrifikojë kaq shumë. Por edhe të shpenzojë.

“Vetëm në 6 muajt e fundit, duke udhëtuar çdo ditë me makinë nga shtëpia në stërvitje, mund të them pa frikë se shpenzimet mund të më kenë shkuar më shumë se 1 mijë euro”. Megjithatë ai nuk e ka ndër mend të ndalet në pasionin e tij. Do të shkojë sërish përpara. Pas titullit të Kampionit të Ballkanit, tashmë pikësynimi i tij janë titujt e Europianit dhe të Botës.
E ardhmja/ Sakrificat e Dorianit dhe të familjes së tij duket se do të vazhdojnë. Puna me trajnerin Elion Puka do të vazhdojë të jetë sistematike. Madje tani puna është shtuar edhe më shumë. Sytë e të gjithë rivalëve janë të përqendruar tek 20 vjeçari shqiptar nga Hoti i Malësisë së Madhe. Pasioni i të cilit për këtë sport duket se nuk njeh kufinj. Pikërisht, ky pasion dhe stërvitja e fortë do të jenë kyçet e sukseseve të tij të ardhshme.
Gjergj KOLA