Nga Nadir Erkoçi*

Në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë teatrit “Migjeni”, prej afro 56 vitesh funksionon një shkollë. Ajo mban emrin e një mësuesi dëshmor dhe sportisti, Xheladin Fishta.  Historia e saj 56-vjeçarë qëndron kenare në stendat e muzeut të shkollës. Në pavionet e saj mund të veçojmë atë sportiv sepse ky pavion ia rrit vlerat jo vetëm shkollës por edhe qytetit të Shkodrës. Aty është historia sportive e një prej sporteve më popullorë, ajo e fidanishtes së futbollit. E quajtëm fidanishte sepse në këtë shkollë u kultivuan për 50 vite futbollistët e shquar të Vllaznisë në futboll por edhe më gjërë.

Shumë prej tyre prekën majat e larta të ekipeve kombëtare duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën historike sportive.
Një stendë në muze u kushtohet “tre musketirëve” të futbollit shkodran siç i ka quajtur gazetari sportiv Ymer Striniqi, edhe ai nxënës i kësaj shkolle në vitet 60-të. Bëhet fjalë për Ramazan Rragamin, Sabah Bizin dhe Medin Zhegën, emra që vërtetë e nderojnë dhe zbukurojnë traditën 50 vjeçare të kësaj shkolle në këtë muze.
Në kornizat e këtij muzeu parakalojnë njëri pas tjetrit që nga mësuesi i palodhur Injac Lacuku dhe Maxhide Fani tek maturat e para dhe deri tek Mustafa Smaja, Hydajet Jubani, Selami Dani, Neriman Spahia tek shkolla 8-vjeçare.
Por një vend të veçantë padyshim zënë mësuesit e klasave sportive në futboll që fillojnë me Tonin Krajën dhe vazhdon më tej me Ali Rakiqin e Agim Medjen, Petrit Kasapin dhe Fatmir Lelin, Fatmir Paçramin dhe Isuf Cenën e plot e plot mjeshtër futbolli në periudha kohore më të shkurtra si Rragami, Bizi, Astrit Hafizi etj.
Ecën nga stenda në stendë dhe vështron klasa sportive që erdhën pothuajse pa firo deri në ekipin e parë të Vllaznisë, të cilët do t’i kishte zili sot çdo ekip i Shqipërisë pa patur nevojë të shpenzohen miliona për të blerë nga fundi i botës, lojtarë nën nivelin e këtyre sportistëve të talentuar. F.Rragami, Fakja, Jera, Bushati, Bilali, Briza, Pashaj, H.Dedja, N.Thana të datëlindjeve 1957, 58, 59 dhe 1960 të cilët përfunduan klasat e teta me profil futbollin në vitet shkollorë 1971-1972-1973-1974-1975, e per te vazhduar me 1976-1977-1978-1979-1980-1981-1982 dhe 1983 ku shquhen shumë të tjerë si H.Dedja, L.Bërshemi, A.Lika, A.Axhani, A.Barbullushi, E.Lufi, R.Vata, Xh.Alibali, R.Tula, A.Noga, E.Bilali, D.Nako, A.Premçi etj. Gjithë ky brez i talentuar sportistësh i viteve ’75-80 që mbaruan klasat sportive të futbollit në shkollën “Xheladin Fishta”, do të zëvendësonte atë plejadë të pakrahasueshme të futbollistëve të talentuar të Vllaznisë së viteve ’70.

Shumë prej këtyre futbollistëve luajtën me sukses edhe në ekipet kombëtare sipas moshave por veçohen emrat e F.Rragamit, Jerës, Bilalit, Brizës, Bushatit, H.Dedjes, L.Bërshemit, A.Barbullushit e sidomos të Rudi Vatës që pat një karrierë të gjatë sportive në kombëtare madje edhe me shiritin e kapitenit në krah.
Vargu i futbollistëve nuk mbaron këtu. Kjo fidanishte vazhdoi të rrisë breza të tjerë futbollistësh të talentuar të datëlindjeve 1970-1980 të cilët dolën nga bankat e shkollës në vitet 1985-1990 si Altin Halili, Armando Cungu, Brikeno Bizi, Alfred Mjeda, Dani, Kraja, i ndjeri Artan Qamil Medja dhe më pas Suad Lici, Uliks Kotrri, Gentjan Çoçja, Gjergj Shllaku, Luan Zmijani, Kreshnik Osmani dhe për ta mbyllur këtë dekadë me goleadorin Vioresin Sinani.
Brezi më i ri që vjen pas ndryshimeve demokratike si Curri, Bishja, Mashi, Denis Zmijani, nuk mund të përgatitet ashtu siç duhet për të shprehur talentin e vet, me përjashtim të njërit- Hamdi Salihit.
Ky historik i shkurtër nuk përbën jetën 30-vjeçare të kësaj fidanishteje futbolli (viti 1967-68 deri më 1997-98) sepse fatkeqësisht këto klasa u mbyllën nga MASH duke goditur rëndë këtë traditë të papërsëritshme të kësaj shkolle dhe këtij qyteti. Goditja e kësaj tradite ndihet edhe sot tek ekipi i Vllaznisë. Paratë e shpenzuara për trajnerë dhe sportistë për kompletimin e ekipit të Vllaznisë, ka vite që nuk japi atë çfarë dëshiron publiku shkodran. Për këtë më shumë se kushdo tjetër flet rënia e entuziasmit të tifozave shkodranë, shkallët e stadiumit me më pak tifozë, mungesa e kupave dhe mungesa e cilësisë në ndeshjet e futbollit.

*Autori ka qene per disa vite me rradhe drejtor i kesaj shkolle.