Në ring e kemi parë shpeshherë “të ashpër”, nevrik por edhe të fortë. Natyrisht nuk ka pse të jetë ndryshe sepse ndryshe nuk do të ishte kampion absolut prej shumë e shumë vitesh. Bëhet fjalë për Nelson Hysën, një nga sportistët më të mirë në Shqipëri i cili vërtetë është “peshë e rëndë” në ring por edhe në “palmaresin” e boksit shqiptar duke qenë ndër më të mirët në gjithë historinë e këtij vendi.Po kush është ai jashtë litarëve të ringut dhe palestrës së stërvitjes.

Përmes intervistës së mëposhtme, “Shkodra Sport” do  jua sjell Nelsonin në një profil ndryshe. Ndiqeni atë më poshtë:

-Si është jeta e një boksieri në mënyrë më të thjeshtë jashtë ringut?
-Përshëndetje e faleminderit për intervistën! Zgjimet janë ato më të bukurat, pasi m’i lumturojnë Marloni e Rubi me praninë e tyre pranë meje. Pas zgjimit përcjell Marlonin për në kopsht, pastaj gjithmonë për në punë, tek shkolla “Oso Kuka” ose tek Universiteti. Varet ku kam në mëngjes mësim. Paraditeve ndonjë orar të shpejtë, ashtu jam i zënë për kafe gjithmonë nga Rubi (hahahaha). Në drekë nuk mungoj asnjëherë në shtëpi sepse kam dëshirën e madhe të ushqehem çdo ditë e më mirë nga kuzhinieri më i mirë Myfiti (babai), që po na shëndosh! (hahhahaha). Pas pushimit të drekës,  pasditja është gjithmonë e zënë me aktivitete fizike nga më të ndryshmet!Pastaj gallatat e momentet e bukura që kalojmë në shtëpi mbyllin një ditë të thjeshtë!

-Pas një viti të vështirë që hodhe pas krahëve, cilat janë synimet për vitin 2018?
– Në qoftë se po flitni për synime sportive, ato fillojnë me turneun ndërkombëtar që zhvillohet në Shkoder e për t’u përgatitur për turneun madhor, që ka shumë kohë që e pres “Lojërat e Mesdheut” ku unë do të synojë sukseset. Pastaj si çdo vit, kampionati shqiptar e shumë e shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.

Përsa i përket vitit të vështirë që lamë pas, ashtu siç e përmendet, më pëlqen mos ta kthej kokën mbrapa. Thjesht humbas kohë po ta bëj. Më pëlqen të ecë me kokën para. Shprehja e famshme që gjithmonë motivoj veten është: “diellin para e era mbrapa!”

-A ke menduar ndonjëhere në jetën tënde që thjesht gjendesh në vendin e gabuar, apo mendon se i ke marrë të gjitha meritat e jetës?
-Jam falenderues ndaj Krijuesit që gjithmonë më udhëzon në të drejtën. Ka ndonjë rast kur jam gjendur në vendin e gabuar, por kam levizur shpejt, pasi e kam punën mirë me këmbët. Ia mbath pa kthyer kokën edhe pse akoma s’e kuptoj se si mund t’ia kem shkaktuar vetes disa vende të gabuara qendrimi. Përsëri më vjen në mend shprehja e famshme: “Nëse nuk je mirë, lëviz, ti nuk je një pemë.”

-Sa e fortë është lidhja me familjen e bukur e të vogël qe ke dhe si i presin ata përballjet e tua në ring?
-Është lidhja më e fortë. Janë e vetmja gjë që kam në jetë, pasuria më e madhe, mbështetja më e madhe. Biles unë i kam idhuj të gjithë. Do doja të isha zemërmirë si lokja (mami), i mirë, i butë, zotëri si babi, i matur si Alisi (vëllai), do ëndërroja të isha krejt si Rubina (po ajo është perfeksion, nuk ka tjetër). I pafajshëm, i mirë me të gjitha të mirat e botës si Marlon! Po edhe kështu si jam, s’jam keq! (hahahahaha)

-Cilat janë disa nga gjërat që ti i bën me plot pasion dhe dëshirë përveç boksit?
-Familja ka qenë dhe vazhdon të jetë gjithmonë përkrahësi kryesor i karrierës time sportive! Po ashtu, me pelqejne udhëtimet (po këto m’i ka ushqyer Rubi. hahaha)
Po, ka plot aktivitete fizike si kalçeto, not, atletikë e organizimet me shoqërinë. Ato mbajnë vendin e parë. Jam tip që më pëlqen shumë kallabllëku e lojërat e pafundme ndërmjet nesh, kur mblidhemi.

-Çfarë mendon se iu mungon sot të rinjve, të cilët çdo sekondë e më shumë po i largohen të gjitha fushave të sportit?
-Po, konkretisht mendoj që iu mungon dëshira për të kaluar kohë me sportin. Kjo eshte diçka shume e gabuar.

Duhet te ndryshojne mentalitet. Ku ka gje me te mire se te merresh me sport. Perveçse te ben te jesh dikush ne jete, te zhvillon edhe fizikisht.

-Si është profili i Nelsonit në shtëpi dhe familje, si e kalon kohën e lirë tënden?
-Në shtëpi jam tip i qetë. Mundohem të jem sa më i kuptueshëm, tolerant, gjithashtu bashkëpunues!

-Cila është këshilla më e vyer që një baba shembullor i jep fëmijës tënd?
Të kalojnë sa më tepër orë pranë qendrave sportive, të dëgjojnë gjithmonë prindërit e të përballojnë jetën me guxim, se çdo gjë që humbet ose pengohet, me forcë e këmbëngulje arrihet edhe më e mirë.

-Duke të të uruar një vit të mbarë, ju ftoj të jepni urimin dhe pse jo thirrjen tënde për të dashur sportin….
Kam dëgjuar për një shprehje që thotë: “Uji është jeta, ama i dyti është sporti”. Sporti është jetë, jetoje!

-Faleminderit e të uroj punë të mbarë!

-Faleminderit edhe juve per intervistën.

Intervistoi: Pamela RROKU