“Gjeografia” e shpërndarjes së shkodranëve nëpër botë zgjerohet edhe më shumë. Sigurisht edhe e njerëzve të sportit.

Ajo që “zbulojmë” së fundmi është se një tjetër shkodran merret me sport edhe në Irlandë.

Bëhet fjalë për ish- mundësin e mirënjohur të Vllaznisë Sander Leka. Ai jeton prej vitesh në Dublin bashkë me familjen e tij dhe merret edhe me sport.

Natyrisht me sportin e tij të preferuar, atë të mundjes. Punon në një klub sportiv duke ushtruar rolin e trajnerit por ndërkohë në aktivitete të ndryshme kombëtare, ai ushtron edhe rolin e arbitrit.

“E bëj këtë gjë sepse nuk ka arbitra. Mundja nuk është një nga sportet e preferuara të irlandezëve dhe nuk ushtrohet shumë.

Por gjithsesi, ka ekipe, ka kampionate dhe prandaj unë përveçse bëj punën e trajnerit në një ekip, bëj edhe detyrën e arbitrit në aktivitete të ndryshme si kampionate, kupa etj.

Nuk kam ndonjë interes të madh në këtë punë por kuptohet që nuk më lë rehat pasioni për këtë sport të cilit i kam kushtuar rininë time”-
thotë Sandri në një prononcim për “Shkodra Sport”.

Në fakt ai, ka se çfarë t’u mësojë të rinjve irlandezë në lidhje me këtë sport dhe po e bën në mënyrën e duhur prej disa vitesh.

Kush është Sander Leka?

Ka lindur në Shkodër më 9 tetor të vitit 1961 dhe me mundje nis të merret herët. Në vitin 1979 kalon tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe
menjëherë renditet i dyti në kampionatin kombëtar.

Një vit më vonë shkon ushtar dhe e merr Dinamo me të cilën shpallet kampion në peshën 48 kg. Në të njëjtin vit me Paulin Sterkajn që në atë kohë bënte për Partizanin dhe shpallej edhe ai kampion i Shqipërisë.

Edhe në vitin 1981, Sandri shpallet sërish kampion me Dinamon dhe më pas kthehet në Shkodër. Aty ku sukseset e tij do të vazhdonin tashmë me fanellën e Vllaznisë.

Edhe aty është i suksesshëm sepse fiton edhe shtatë tituj të tjerë kampionë deri në vitin 1989.

Ka konkurruar gjithnjë në peshat e lehta, 48 dhe 52 kg dhe fiton edhe shtatë tituj të tjerë kampionë.

Një nga momentet më të lumtura të karrierë së tij me Vllazninë, Sandri përmend finalet e Spartakiadës së V-të Kombëtar, në vitin 1984.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të gjithë ne. Nga 10 peshat që ishin në finalet e kësaj Spartakiade, 5 u fituan nga ne sportistët e Vllaznisë.

Pikërisht nga unë, Paulin Merla, Paulin Sterkaj, Ali Amza dhe Seit Fishta. Kjo tregonte dominimin e mundësve shkodranë në stilin klasik dhe nuk kishte si të shkonte më mirë për ne”- thotë ai.



Ndeshja e fundit e karrierës në Uells më 2003

U largua nga Shqipëria në fillimin e viteve ’90 por kampioni ynë e vazhdoi sportin edhe në Irlandë.

Ndonëse nuk është marrë gjatë gjithë kohës me sport, duhet thënë se dëshira për të mos hequr dorë kollaj nga sporti i tij i preferuar, ka vazhduar gjatë.

Madje, Sandri e mban mend edhe ndeshjen e tij të fundit, pikërisht në moshën 42 vjeçare.

“Punoja edhe në punë të tjera por edhe stërvitesha. Nuk kisha dëshirë të heqë dorë nga mundja.

Madje, kam vazhduar ta ushtroj këtë sport deri në vitin 2003, kur isha 42 vjeç.

U zhvillua një turne në Uells dhe ndonëse bëhej fjalë për mundjen e lirë, unë sërish kisha dëshirë të marrë pjesë ndonëse nuk kisha bërë ndonjëherë në këtë stil ngaqë gjatë gjithë karrierës time kam bërë në mundjen klasike.

Arrita deri në finalen e turneut dhe u mundova të zë edhe vendin e parë por nuk ia dola. Kundërshtari im ishte i ri në moshë, shumë i fortë dhe më mundi.Por unë tregova edhe njëherë tjetër vlerat e mia”- thotë Leka.

Harresa për këtë kampion, asnjë titull, asnjë nderim

Ndonëse i ka dhënë shumë sportit, i ka dhënë shumë Vllaznisë, Shkodrës e Shqipërisë, çuditërisht Sander Leka sot nuk gëzon asnjë titull.

Nëntë titujt kampion kanë qenë mëse të mjaftueshëm për të marrë një titull Mjeshër Sporti, apo edhe Mjeshtër i Merituar Sporti.

Kanë qenë mëse të mjaftueshëm për të qenë në ndonjë vit fitues i anketës së “10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë”, por çuditërisht nuk ka qenë fitues as në “10 sportistët më të mirë të Shkodrës”.

Edhe pas viteve ’90, me ndryshimin e sistemeve, Sander Leka është sërish i harruar. Asnjë “Mirënjohje Qyteti” apo ndonjë titull tjetër nga qyteti, asnjë titull nga Federata e Mundjes, apo nga Ministria e Sportit.

Kjo gjë e çudit edhe vetë protagonistin e këtij shkrimi që për gazetën tonë shprehet: “E habitshme kjo që ka ndodhur me mua. Titujt e shumtë kampionë që kam fituar, nuk kanë mjaftuar që dikush të kujtohet për një titull simbolik.

E kanë marrë shumë e shumë sportistë, madje edhe pa patur titujt e mi. Shumë prej tyre janë “Mjeshtër Sporti” apo dhe “Mjeshtër i Merituar Sporti”.

Po ashtu edhe në anketat tradicionale të “10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë” e kam merituar disa herë që të isha unë fitues i saj si mundës me më shumë pikë teknike se gjithë të tjerët, por në fakt fitues shpallej dikush tjetër.

Më harruan në Tiranë, më harruan në Shkodër dhe në fakt u çudita kur ju më kërkuat që të shkruanit diçka për mua.

Vërtetë ndodhem prej disa vitesh jashtë vendit dhe ndoshta kanë të drejtë të më harrojnë por kjo nuk është normale sepse për mua flasin rezultatet, titujt e trofetë që kam fituar”.

Kampioni që bëri disa ditë burg sepse shau Enverin

Gjatë karrierës së tij, përveç sukseseve dhe momenteve të lumtura, ka patur edhe ndonjë moment të errët për Sander Lekën.

Ai në fakt ka patur një “ves të keq”: Ka folur paksa shumë. Dhe në një moment, në një bisedë me disa të tjerë, paska sharë Enver Hoxhën. Kuptohet që në Shkodër u bë nami.

Një sportist kampion, të dalë kundër udhëheqësit? Ishte e papranueshme. Për rrjedhojë, atij iu vunë prangat dhe shkoi në burg.

Një veprim që çoi në këmbë gjithë njerëzit e sportit në Shkodër. Pas pak ditësh, do të zhvillohej kampionati kombëtar i mundjes dhe Vllaznia pa Sandrin në formacion, do ta kishte të vështirë të shpallej kampione.

Për rrjedhojë, trajneri i tij Naim Pepa, s’la gurë pa lëvizur. “Profesor Naimi e kishte një argument shumë të fortë.

Unë e kisha babën komunist dhe nguli këmbë tek drejtuesit se ata që kishin raportuar në polici, s’e kishin dëgjuar mirë këtë sharje sepse nuk ka asnjë mundësi që një sportist i tillë dhe për më tepër, me babën komunist, të shante Enverin.

Prandaj dhe në burg qëndrova vetëm 3-4 ditë dhe menjëherë u nisa për kampionat me ekipin duke u shpallur kampion dhe kjo ma rregulloi
biografinë.

Në fakt unë e kisha sharë Enverin sepse isha tip që flisja shumë dhe dilja kundër çdo padrejtësie që bëhej tek unë por edhe në qytet.

Nëse nuk do kisha patur babën komunist, nuk dihet se ku do kisha përfunduar dhe ky justifik më shpëtoi nga burgosja”- thotë kampioni i
mundjes.

Kombëtarja, Sandrin nuk e lanë të dilte jashtë vendit

Mundësi i Vllaznisë ka qenë për disa vite kampion i vendit dhe rrjedhimisht edhe anëtar i kombëtares shqiptare.

Por gjatë gjithë këtyre viteve, asnjëherë nuk pati fatin të dilte jashtë Shqipërisë. Më afër se kurrë ka qenë në vitin 1989.

“Ishim të grumbulluar në Vlorë. Unë isha në dhomë me Seit Fishtën dhe të nesërmen kombëtarja jonë do të udhëtonte drejt Turqisë për një turne miqësor.

Ishte zhvilluar edhe në Shqipëri një përballje me kombëtaren turk ku unë në fakt fitova me tuç ndaj kundërshtarit të peshës time të kësaj kombëtareje, por arbitri nuk e dha tuç ngaqe ishte ndeshje miqesore dhe e mbylli ndeshjen ne barazim.

Tashmë shpresoja shumë që të dilja jashtë vendit sepse kjo ishte një kënaqësi e madhe për këdo në atë periudhë.

Në mbrëmjen para nisjes, na mbledh në hotel trajneri i ekipit tonë kombëtar Abedin Lame i cili lexon edhe listën e sportistëve që do
të udhëtonin drejt Turqisë.

Emri im nuk u lexua. Nga sa mora vesh, drejtuesit kishin menduar se unë nuk do të kthehesha më në Shqipëri. Mbase e kisha shprehur këtë në bisedën me kolegët e mi dhe sërish e pësova nga “gjuha e gjatë”.

Shokët e ekipit ikën jashtë shtetit ndërsa unë u ktheva në Shkodër shumë i zhgënjyer. Pas këtij momenti, e kam vazhduar sportin edhe për pak muaj dhe më pas vendosa të heqë dorën.

Pikërisht në fillim të vitit 1990 kur në fakt mund të jepja sërish shumë për këtë sport”- shpjegon Sandri momentin e zhgënjimit ndoshta më të madh të karrierës së tij.
Gjergj KOLA