Në mbi 100 vite që luhet futboll në Shkodër dhe thuajse një shekull që është krijuar klubi Vllaznia, kanë ndodhur shumë fatkeqësi.

Në aspektin sportiv dhe jo vetëm. Dy herë ekipi ka rënë nga kategoria, ka patur edhe raste humbjesh fatale që kanë shokuar tifozët shkodranë por momenti më i vështirë që kanë kaluar të gjithë, i përket 38 viteve më parë.

Në fakt është tragjedia më e madhe e futbollit shkodran. Futbollisti i Vllaznisë Suad Durraj ka vdekur në fushën e stërvitjes.

Ka qenë 10 tetor i vitit 1981. Vllaznia ndodhej në stërvitje dhe pikërisht gjatë saj ka ndodhur diçka që ka shokuar të gjithë futbollistët, trajnerët dhe pjestarët e tjerë të skuadrës.

Edhe tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit “Vojo Kushi” ku ekipi po stërvitej. Arresti kardiak i ka marrë jetën atij teksa po zbatonte programin stërvitor bashkë me shokët e tij të ekipit.

Ndërhyrja e mjekut Çoba por edhe e të tjerëve, ka rezultuar e kotë sepse Suadi nuk do të kthehej më. Ndodhi pikerisht ate dite qe ai do te festonte 30 vjetorin e lindjes.

Çfare koinçidence e tmerrshme. Ka lindur me 10 tetor 1951 dhe nderroi jete me 10 tetor 1981.

Mbrojtësi i talentuar i Vllaznisë, fitues i disa trofeve me të, i dha lamtumirën kolegëve, miqve dhe mbi të gjitha familjarëve të tij, në mënyrën më të keqe të mundshme.

Shumëkush mendon se ai kishte lindur për t’u bërë futbollist dhe në fakt, në fushën e blertë mbylli sytë.

Djali i një futbollisti të madh të Vllaznisë së viteve ’40 Adem Smajlit (Durrajt) kishte luajtur edhe 14 ndeshje me ekipin kombëtar “Shpresa” gjatë atyre viteve dhe po ashtu ishte edhe kontigjent i ekipit përfaqësues.

Përveç të tjerash një mësues i dashur për të gjithë nxënësit e shkollës “7 Nëntori” ku ai jepte mësim në lëndët e historisë dhe gjeografisë.

Vdekja e tij në fushën e stërvitjes ende kujtohet ende edhe sot si diçka tragjike nga ata që e kanë përjetuar nga afër.

Vazhdon të mbetet një nga momentet më të vështira për ta dhe që nuk do t’u shlyhet asnjëherë nga mendja.
Gjergj KOLA