Nga Gjergj KOLA

Në historinë 99 vjeçare të Vllaznisë janë vetëm 9 kampionate të fituara nga ana e saj.

Për ndokënd, kjo shifër është e mjaftueshme ngaqë përballja e saj me “ujqërit” e kryeqytetit, Tiranën, Partizanin e Dinamon, nuk ka qenë kurrë e lehtë.

Dikush tjetër mendon se shkodranët duhej patjetër të kishin ndonjë titull kampion më shumë në arkivën e tyre.

Nuk ka ndodhur kështu dhe arsyet janë nga më të shumtat. Duke nisur nga historitë e pakuptimta të anullimit të ndeshjeve, të fitoreve me “radio ushtrie”, të dënimeve ekstreme ndaj shkodranëve etj.

Pa u ndalur këtu tek roli që mund të ketë luajtur Federata apo arbitrat në vite.

Për të gjitha këto, duke nisur nga sot, herëpashere do të sjellim, atë çfarë i ka ndodhur kësaj skuadre në vite.

1937- Vllaznisë i anullohet një fitore. Protesta në Shkodër por humbet titulli

Ka ndodhur në kampionatin e shtatë kombëtar të futbollit, atë të vitit 1937.

Një rivalitet i fortë në mes Tiranës dhe Vllaznisë për titullin kampion. Shkodranët e duan me çdo kusht atë sepse do të ishte i pari në historinë e tyre.

Por çfarë ndodh realisht? Shpjegimin për këtë e jep gazetari i mirënjohur Besnik Dizdari në librin e tij “Historia e kampionateve të Shqipërisë- Vitet ‘30”.

Ai shkruan: “Dhe ja ku mbërrijmë tek java e parafundit, e 31 tetorit 1937, në Shkodër, Vllaznia- Sk Tirana.

Shkodranët janë vetëm 2 pikë prapa dhe doemos iu lindin shpresat. Iu duhet fitorja për t’u barazuar dhe mandej kushedi se ç’ngjet.

Do të hyjë në histori kjo ndeshje si një incident i madh i cili i krijon jo pak telashe Kampionatit të 7-të.

Ndeshja përfundon 2-1 për shkodranët por gjërat nuk do ishin kaq të thjeshta.. Historia është kjo: Deri në minutën e 80-të rezultati ishte 1-1.

Shkodranët kërkojnë fitoren me ngulm. Është një zbritje e rrezikshme e tyre, dëgjohet vërshëllima e gjyqtarit dhe lojtarët shkodranë të mbështetur nga tifozat e tyre, kërkojnë 11-metërsh, sepse  “duert e halfit Jakova shpëtojnë një goal të sigurtë”, siç perifrazon kronika.

Situata është vërtetë delikate sepse gjyqtari ka dhënë  11- metërsh të cilin shkodranët e shndërrojnë në goal dhe ndeshja përfundon 2-1 për ta, çka do të thoshte që SK Tirana dhe vllaznia barazoheshin në pikë, nga 31 secila”.

Për Vllazninë ka shpresa të mëdha për titull por tani fillon e bukura. Gjyqtari, federata dhe të tjerë pas tyre, nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë.

Vendoset që ndeshja të përsëritet. Vendim ky që nuk pranohet në Shkodër, megjithatë ta shohim si e përshkruan Dizdari në librin e tij këtë moment:

”… Në Komitetin Arbitral shkon raporti i gjyqtarit të ndeshjes  që është vërtetë unikal.

Ai deklaron se ka qenë i shtrënguar të japë 11-metërshin që përfundon në gol mbasi ka qenë i kërcënuar prej lojtarëve e popullit të Shkodrës.

Ndërsa drejtuesit e SK Tiranës thonë në raportin kundërshtues se topi nuk është prekur nga Jakova, por është kaluar në goditje këndi prej duarve të portierit të tyre.

E gjitha kjo imponohet prej futbollistëve shkodranë dhe tifozave të tyre! Edhe ky rast hyn në të rrallat më të bujshme të kampionateve  shqiptare”.

Ndodh edhe kështu, vetëm e vetëm që Vllaznia të mos fitojë. Të gjithë e kanë të qartë se lojtari e ka prekur topin me dorë ndërkohë që Komiteti Arbitral merr për bazë deklaratën e tiranasve që thonë se topi është larguar me dorë nga portieri!!!

Absurde. Megjithatë kështu do vazhdohet për shumë muaj derisa Komiteti më 23 janar 1938 vendos që ndeshja të përsëritet.

Shkodranët nuk e pranojnë këtë vendim të padrejtë për ta. Se çfarë ndodh më tej, e shpjegon sërish Dizdari në librin e tij…

“Më 23 janar kur ishte lënë për t’u zhvilluar ndeshja e përsëritur, vendimtare vllaznia- Tirana në fushën e Shkodrës, dihej që do të kishte një bojkotim nga ana e shkodranëve.

Megjithatë, Sportklub Tirana vjen në Shkodër, del në fushë dhe gjyqtari Alush Lleshanaku pasi pret sëbashkume skuadrën kampione 45 minuta, me vërshëllimën e tij e shpall fitues 2-0 SK Tiranën, çka do të thoshte se ajo do fitonte titullin kampion të Shqipërisë të vitit 1937.

Zyrtarisht kampionia do shpallej pas 4 muajsh në numrin e 5 marsit 1938 të “Sportit Shqiptar” përmes komunikatës së Komitetit Teknikal Arbitral Shqiptar…”.

Kaq mjafton dhe “kokëfortësia” e shkodranëve për ta fituar të drejtën  e tyre me bojkot (ata nuk luajnë as ndeshjen e fundit me Besën që e humbin edhe atë aforfe 2-0), nuk fiton asgjë.

Tirana ka marrë titullin kampion ndërsa Vllaznia ngushëllohet me vendin e dytë. Sulmet ndaj saj kanë nisur.

Janë vitet e para të luajtjes së futbollit të rregullt në vendin tonë dhe duket qartë se shkodranët nuk do t’i kenë kundërshtarët vetëm në fushën e blertë.

Kampionati i vitit 1937 ishte i pari i një serie penalizimesh ndaj tyre.