Trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit shkodran është Xhevdet Shaqiri.

Periudha e drejtimit të Vllaznisë nga ana e tij, ka sukseset më të mëdha të arritur nga kjo skuadër.

Po kush është ky njeri? Ai ka lindur në lagjen Dudas të Shkodrës më 5 janar 1923.

Që i vogël filloi të luajë futboll përkrah emrave si Reshit Rusi, Fahri Ceni, Dul Dragovoja etj.

Afrohet tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe në vitet 1945 dhe 1946 është pjestar i saj duke fituar dy tituj kampion rradhazi.

Madje duke qenë një nga pikat më të forta të kësaj skuadre.

Këtë e dëshmon edhe fakti që në kampionatin e vitit 1946 ai me 9 golat e shënuar do të shpallej golashënuesi më i mirë i tij.

Pas këtij viti, vjen “rrëmbimi” nga ekipet e Tiranës. Fillimisht me Partizanin me të cilin në vitet 1947- 1949 fiton dy tituj kampion me të.

Më 1950 e merr Dinamo. Edhe me të është i suksesshëm duke fituar 6 tituj kampionë në 8 vjet dhe në këtë mënyrë, e mbyll karrierën me 10 tituj kampionë të fituar dhe duke koleksionuar edhe 90 ndeshje ndërkombëtare, nga këta 13 me kombëtaren.

Më pas, merr në Sofje diplomën e trajnerit e për disa vjet drejton ekipet e Dinamos dhe të Lushnjës, ndoshta me mendimin se ka ardhur momenti të kthehet në Shkodrën e tij.

Kjo ndodh në vitin 1966 dhe për 13 vjet me rradhë, Xhevdet Shaqri do ishte në krye të Vllaznisë.

Duke drejtuar atë skuadër të viteve ’70 që padyshim konsiderohet ndër formacionet më të mira të të gjitha kohërave për skuadrën shkodrane.

Ajo nën drejtimin e këtij trajneri, ka arritur të fitojë tre tituj kampionë, në vitet 1972, 1974 dhe 1978, fitoi edhe dy Kupa të Republikës në vitet 1972 dhe 1979.

Vllaznia nën drejtimin e Xhevdet Shaqirit na ka dhuruar ndeshje të shkëlqyera ndërkombëtare, mbi të gjitha fitoren 2-0 ndaj Austrisë së Vjenës më 1978, pa përmendur ndeshjet dinjitoze për Kupën Ballkanike me Beroen e Stara Zagorës dhe UTA e Aradit, teksa shpalosi vlerat më të mira të futbollit shkodran.

Xhevdet Shaqiri ka vdekur më 11 shtator 1997 por megjithatë ai ka lënë pas një histori suksese për të cilën kujtohet ende edhe sot me shumë respekt madje do të vazhdojë të kujtohet edhe për vite e vite me rradhë sepse ka hyrë në historinë e klubit Vllaznia si trajneri më i suksesshëm i tij.
Gjergj KOLA