Futbolli shkodran ndër vite ka pasur një traditë të pasur përsa i takon repartit më difensiv dhe padyshim që një nga emrat më të spikatur në portë ka qenë Avenir Dani , ose siç njihet nga të gjithë, ish “gardiani” i portës kuqeblu.

I cili për më shumë se një dekadë ka shërbyer për ngjyrat e Vllaznisë e Partizanit,  ekipit “Shpresa” dhe “Përfaqësueses “shqiptare, duke shënuar një  të kapitull të veçantë në historinë e qytetit ku futbolli shqiptare  ka djepin.

Ai tashmë është larguar prej vitesh nga fushat e blerta, por kujtohet me respekt nga tifozeria dhe opinioni dhe specialistet si  i cili korri  katër trofe  kombëtare (dy Kampionate Kombëtare e  dy Kupa Republike) trofe për të cilat luhet  futbolli dhe të gjithë i dëshirojnë, por vetëm të mëdhenjtë i kanë fat. 

Avenir  Dani ka   lindur në lagjen ‘’Ndoc Mazi’’  Shkodër  me  24.04. 1965 në një familje që nuk shquhej për “lidhje të ngushta” me sportin, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar atë që të “pushtohej” nga pasioni i madh për sportin që në moshë fare të vogël.

Dashuria e pare e Danit ka qenë volejbolli, sport të cilin e ushtroi që në klasat e ulëta sportive të Shkollës ‘’Ndoc Mazi’’ i stërvitur plot pasion nga mësuesit e tij Vitor Jubani dhe Bahri Asllani.

Në moshën 14- vjeçare fiton  kampionatin  kombëtar të klasave sportive të volejbollit.

Pasi përfundon klasën e tetë aktivizohet me ekipin e të rinjve të  volejbollit të Vllaznisë , ku pas dy vjetësh debuton edhe në ekipin e parë,por për shkak të gjatësisë trupore  detyrohet  të largohet qejfmbetur nga dashuria e parë dhe  për të rendur  pas një dashurie tjetër te re akoma edhe me pasiononte,  së cilësi i fali gjithë energjitë dhe stinën më të mirë të jetës së tij.

Maratonën e vështirë të futbollit e nisë nga paratërinjtë  ku si trajner pati mjeshtrin e njohur  shkodran Halil  Puka, i cili duke parë tek djaloshi tharmet e një talenti me të ardhme, ia  rekomandon trajnerit të të rinjëve Ismet Hoxha.

Tek ekipi të rinjve zuri vendin e titullarit në portë, luajti dy vjet  ku talenti i tij nuk i shpëtoi dot syve të  mprehtë të Mjeshtrit të Madh Sabah Bizi dhe ndihmësit të tij Isa Sukaj, rojtar i kuadratit  shkodran në vitet shtatëdhjetë, të cilët  pa hezitim  e afrojnë tek ekipi Shpresa i “Vllaznisë”. 

Në atë kohë, në hallkën e ekipeve zinxhir  të  futbollit shqiptar u eksperimentuan  me sukses edhe ekipet Shpresa, me  futbollistë  deri në moshën 21 vjeçare.

Ish  gardiani shkodran Isa Sukaj tek Avenir Dani gjeti brumin e një portieri me perspektivë, që kishte vite që i mungonte Shkodrës, prandaj  punoi gjithë pasion e dashuri e farkëtoi  në kullën e tij profesionale dhe  si një blister të çmuar, pas një viti e gjysmën i tha Vallaznsë;

– Ja ku e keni  portierin  e duhur të markës shkodrane që kemi shumë vite qe kërkojmë.  Në vitin 1984 Avenir Dani debuton tek te rriturit e Vllaznisë .

Isa Sukaj nuk i ndahet as tek te rrituri dhe së bashku me Ramazan Rragamin, madje suksesin e tij Avenir Dani ja dedikon me tepër se kujtdo tjetër usta Isa Sukajt, për të cilin afirmimi i Danit ishte një sfidë personale . 

Avenir Dani tek ekipi i të rriturve pati fatin të stërvitej për disa vite   nga  Mjeshtri i shquar Paulin Ndoja të cilin Astrit Hafizi e thirri si ndihmësin e tij  për stërvitjen e portierëve. Në vitet 1985-1986 ka qenë kondidat i ekipit kombëtare Shpresa  qe drejtohej nga Medin Zhega. 

Në vitin 1987  së bashku me Hysen Zmijanin , Hysen Dedjen, Isak Pashajn, Ilir Kepen  etj hodhi  firmën  si  pjesë e “Vllaznisë” në fitoren e trofeut  të Kupës së Republikës. 

Avenir Dani erdhi  në portën shkodrane  pas një  shterpësie disa vjeçare(gati një dekade)  në ketë repart nervologjik, duke zënë vendin e korçarit Gjergji Kushe.  

Në kampionatin e vitit 1991-1992  arriti majat duke fituar titullin  kampion, pas një periudhe të gjatë mungese të trofeut në shtëpinë e kuqeblu. 

Dani ishte pika  me fortë e repartit difensiv e atij ansambli kompakt që përbehej  nga  Hysen Dedja, Nako, Isak Pashaj,Shpuza, Noga, Basha, Premçi, Bushati, A-Gruda , Billa, Ymeri, Tepelia, Bisha, Hoxha, Matini  te drejtuar nga trajneri Astrit Hafizi.

Sezoni futbollistik i vitit 1993-1994 është zeniti i karrierës  së Avenir Danit,  i cili  luan për ngjyrat e ekipit të “Partizanit” të madhe  duke  shkëlqyer në mënyrë dominuese   ne orbitën e gardianëve  tanë të atyre viteve. 

Nën urdhrat trajnerit Sulejman Starova së bashku me Pelinxhin, Beharin, Myftarin, Nikollën , Dostin, Hoxhën Alfons Muçen,  Çoçllin, Ilir Banon, Ylli Shehun, Ilir Shulkun,  Sokol Metën plotësojnë më së miri portretin  kampiones së kuqe e cila  me hegjemoninë e saj absolute atë sezon e përfundon në mënyrën më të  suksesshme  duke fituar të dyja trofetë,  Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë që mbeten akoma  të fundit deri më sot(2013) për ketë ekip.

Partizani   pas “dezertimit” të këtyre legjeonarëve do të binte nga maja në humnerën e ferrit . Iku dhe u rikthye me mundim në elitë, akoma  sot pas një dekade  është larg fronit atje ku e ngriti Dani dhe shokët e tij . 

Llozvënësi  i portës shkodrane ka bërë paraqitje të paharrueshme  në një  dyzinë ndeshjesh,   kampionatesh  e kupash të Shqipërisë, duke qenë nga pikat më të sigurta të Vllaznisë, i cili për mbi gjashtë vjet ka luajtur pa e njohur stolin.

Rivaliteti mes skuadrave në ato vite ka qenë realisht shumë i madh dhe niveli i futbollit ishte i kënaqshëm  për kushtet tona.

Vllaznia  kur militoi Avenir Dani ishte në pjesën më elitare të  skuadrave tona dhe njerëzit e ndiqnin  ngado dhe e donin gjithë pasion .

Në mendjet e tifozëve të asaj periudhe janë skalitur ndeshjet e mrekullueshme  në vitin 1987 ndaj  kampiones “Slemia” të Maltës   ku “Vllaznia” do të fitonte të dyja takimet 1- 0 dhe 0-2.

Të  paharruar për kampionin Dani mbetën takimet e “Vllaznisë “   me 1991 në edicionin e Kupës  së  Kampioneve me  “Aek ”-un  e Greqisë,  ku ndonëse shkodranët u mundën në të dyja ndeshjet (0.1 dhe 2.0 ), ai   shkëlqeu  në të dyja këto ndeshje, ndërsa  takimin e luajtur në Greqi e konsideron si kryefjalën e sfidave të tij më të bukura dhe më të dhimbshme njëkohësisht.

Periudha e viteve 1991-1994 është inkadeshenca  e jetës sportive  të Danit i cili jo vetëm  kurorëzohet  kampion edhe me Vllazninë edhe me Partizanin  por  shpërthimi  i tij i  hapi rrugën drejt  portës  së tronditur të   Kombëtares  në një nga edicionet  e saj më të vështira siç qenë eleminatoret e Usa 1994, në kohën kur Shqipëria  sapo kishte dalë nga diktatura komuniste dhe futbolli ynë nuk gjendej as në qiell as në tokë. 

Me 24 prill 1992 në Stadiumin ”Benito Vilamarin”  të Seviljes  (i tmerrshëm për Shqipërinë e cila në këtë impiant madhështor kishte pësuar 9 gola vetëm  dy vite më parë nga po kjo, përfaqësuesja Iberike). 

Në minutën e 70, trajneri Bejkush Birçe  detyrohet të ngrejë nga bankina portierin e ri shkodran, i cili zë vendin e   Strakoshës  së dëmtuar  në shpatull që kishte pësuar dy gola Dani  hyri qetë,  i pamposhtur nga emocionet në një situatë dramatike të mësymjes frontale spanjolle  që kërkonin thellimin e rezultatit,  të cilën e fiksoi në minutën e 87, ku në një lëmsh para portës sonë Hiero gjuan fort dhe Dani që s’kishte asnjë faj, provon shijen e topit të nxjerrë nga rrjeta[1] . 

Pas një muaj, Kombëtarja niset për në Dublin si një tabor i hallakatur e i përgjysmuar pasi nuk vijnë Starkosha, Millo, Lekbella, Barbullushi, Agustin Kola, dhe Bledar Kola  duke e lënë në mënyrë të befasishme trajnerin Bejkush Birçe si peshkun në zall 24 orë para se të fillonte ndeshja. ”Ekipi shqiptar kurrë nuk kishte qenë në një ditë më të zezë”.[2]  

Përpara kësaj çudie shqiptare të denjë për enciklopedi. O burra duhej bërë disi – dhe rrugëzgjidhja e vetme ishte marrja hua nga ekipi Shpresa ku 19 vjeçari  Anesti  Qendro nga Durrësi,   pasi kishte luajtur edhe një ditë më parë 90 minuta  me Shpresën aktivizohet edhe të nesërmen  për 90 minuta të tjera  me Kombëtaren.[3]

Skuadra shqiptare befason stadiumin e tejmbushur, ndërsa trajneri Xheki Çarlton, në fund të pjesës  së  parë  ndien  dhimbje koke.

Skuadra rinore shqiptare jo vetëm mbrohet ( por edhe sulmon me Demollarin, Kushtën, e Rakllin ), ndërsa në prapavijë  shkëlqejnë Vata e Abazi ndërkohë   portieri ynë Dani  përveshë  mëngët  që në miturën e 3-të  duke i bllokuar shutin e zjarrtë të sulmuesit Haugton i cili kërkon t’i japë flakë stadiumit.

Në pjesën e dytë skuadra irlandeze ndezë edhe motrat rezervë duke kërkuar fitoren me çdo kusht, sulmet  e  tyre valëvitën para portës së Danit i cili bën  disa mrekulli me radhë.

Në minutën e 50 pret një top të Olldrixhit, në minutën e 54 Staumton dëshpërohet kur sheh që topi i tij përfundon në korne nga grushtimi i Danit[4], por në minutën e 58  dragoi ynë neutralizohet nga një shigjetë e helmatisur  e  Olldrixhit.

Qëndresa shqiptare  merr  fund në minutën 77-të, por mund dhe meritonim një rezultat  ndryshe.  Dani ishte lojtari që u vlerësua  shkëlqyeshëm nga shtypi dhe specialistët vendas, duke pritur 14 raste për gol dhe  gaboi në një. Krejt e natyrshme.

Xheki Çarlton:E mendoja këtë ditë të lumtur, por nuk qe e tillë. Një ndeshje e vështirë për ne. U befasova kur mësova se 6 lojtarë ishin debutues. Kjo ua dyfishon vlerat shqiptarëve. Urime kolegut Birçe.

L.Brendi, ish futbollist i Kombëtares Iralandeze trajner i Selltikut të  Gllazgout : Ekpi shqiptar luajti këndshëm teknikisht. Loja mund të shkonte edhe 0-0.

Nr 1 (Dani) i  shkëlqyer, pak i shkurtë. Nr 5 (Vata) do ta donte çdo trajner.

Nilsen, trajner i Kombëtares së Danimarkës:”Portjeri që luajti shkëlqyeshëm u ndëshkua nga fati”:

Paula Brian,gazetare e “Evning herald”-Është e pabesueshme, Xheki është në kufijtë e zhgënjimit. Edhe ne që harruam  se në Shqipëri luhet futboll, iu kërkojmë të falur, që u morëm shumë me mungesat e lojtarëve… I shkëlqyer portieri (Dani), shumë mirë Nr 5 (Vata), shumë i qetë trajneri (Birçe).

Avenir Dani me petkun e Kombëtares do të vishej edhe me 2 qershor 1992, në Tiranë, ndaj  Lituanisë duke regjistruar ndeshjen e tretë dhe të fundit me përfaqësuesen, ndeshje e cila u fitua nga ekipi ynë 1-0  me një gol spektakolar të Abazit.

Avenir Dani është një nga gardianet  më të shquar shkodran i të gjitha kohërave, jo shtatlartë, akrobat me reflekse dhe intuitë të mprehtë, guximtar  dhe shumë energjik me vullnet dhe egoist për fitore, shumë kërkues ndaj vetes  një portier  i kalibrit  kombëtar, një profil krejt i veçantë  krahpërveshur,  ballëdjersitur sepse e madhe dhe plot pasion ishte puna e tij përgatitore.

Më shumë se sportist, Avenir Dani  është  njeriu i  thjeshtë, fjalëpak, korrekt. Në vitin 1996  pasi  vari këpucët në gozhdë filloi profesionin e trajnerit  të cilin ka  plot 19 vjet që e ushtron me korrektësi dhe  kompetencë. 

Fillimisht  për dy vjet tek  të rinjtë e “Vllaznisë” ku së bashku me Ismet Hoxhën, pas shumë vitesh, i dhurojnë Shkodrës  një titull  kampion. Për më se një dekadë e gjysmë,  Avenir Dani ka qenë portieri  i portierëve të  “Vllaznisë”  ku së bashku me malazezin Dervish Haxhiosmanoiç  ka fituar titullin e kamponit me Vllazninë  në vitin 2001 dhe Kupën e Republikës  në vitin 2008. 

Se bashku me Armando Cungun dhe Esat Rakiqin   në sezonin 2012-2013  ka drejtuar ekipin e “Kukësit” të ardhur nga kategoria inferiore  duke e kualifikuar  për në kupat e Evropës.

Avenir Dani  është i vetmi shkodran që pas  45- vjetësh,  në një ndeshje zyrtare, veshin që veshin fanellën e   Dodë Tahirit, portierit të   parë të Kombëtares  sonë.

Lidhur me ketë fakt Dani shprehet se:- E kam për nderë që jam pasues i Dodë Tahirit,  Ahmet Nutit, Sytki Boshnjakut Faik Pelingut, Januz Telit, Zija Danit, Paulin Ndojës, Isa Sukajt, Genc Boshnjakut, Gjergji Kushës të cilët shkruan historinë e portës shkodrane për mbi katër dekada .

Dodë Tahiri  nga të gjithë këta rojtarë të kudratit shkodran  ka qenë i veçantë dhe emri i tij  ka  mbetur në historinë e futbollit shqiptar si njeri nga portierët më të mëdhenj të kohës së tij, që ndonëse pati një periudhë sportive vetëm dy- tre vjeçare  në Shkodër,  ai nuk mund të shkulet nga zemrat shkodranve. 

Njerëzit dhe dëshmitë e tyre autentike  flasin akoma sot me nostalgji për talentin,madhështinë dhe karizmin e tij, që u pasqyrua në shumë ndeshje të kampionateve kombëtare të viteve  1945, 1946, 1947 në Shqipëri dhe më pas në Malin e  Zi.

Avenir Dani, si  nxënës i Paulin Ndojës dhe Isa Sukajt dhe më pas si koleg i tyre  është nder trajnerët më të shquar të portierëve tanë, nder më punëtorët, nder më të palodhurit, nder më të përkushtuarit dhe nder më të suksesshmit.

Prelë MILANI