Elvis Plori është rikthyer në stolin e Kastriotit dhe këtë radhë do ta drejtojë atë në Superiore, jo në Kategorinë e Parë.

Mjaft entuziast për këtë fakt, trajneri shkodran shpreson që skuadra krutane të bëjë një paraqitje sa më të mirë në elitë.

Ai ka folur për ndryshimet që priten në ekip dhe objektivat e sezonit, ndërkohë që ka dhënë një koment edhe për rënien e Vllaznisë:

“Jam shumë i kënaqur, sepse më është dhënë një mundësi që gati e preka para dy vitesh me Kastriotin.

Shpresoj ta justifikoj besimin që më kanë dhënë drejtuesit e Kastriotit dhe skuadra të ecë më së miri në Superiore.

Gjendja e ekipit? Trajneri Nikaj ka bërë një punë shumë të mirë, të shkëlqyer, ndaj dhe skuadra ka pasur një ecuri të mirë.

Dua ta falënderoj, sepse më jep mundësinë të punoj në baza të shëndosha. Nuk jam i ri te Kastrioti.

Para dy vitesh kam pasur një mbështetje shumë të madhe dhe shpresoj ta kem sërish, që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën.

Kastriotin e kam ndjekur edhe sezonin e fundit, por me syrin e tifozit, apo të specialistit.

Është një skuadër, ku pjesa kryesore e lojtarëve e ka treguar veten në Kategorinë e Parë dhe ka ambicie të bëjë të njëjtën gjë edhe në Superiore.

Nuk kam preferenca të veçanta. Nuk mund të them se kush do të ikë dhe kush do të vijë te Kastrioti, por dua të theksoj se boshti e ekipit do të qëndrojë. Kam shumë besim tek ata lojtarë.

Vllaznia? E kam përjetuar keq, si gjithë shkodranët. Që në momentet kur iku ish-presidenti Fushaj, jo se nuk pati mbështetje, por skuadra kaloi nga njëra dorë në tjetrën dhe gjithmonë ishte e rrezikuar.

Patjetër që është një humbje e madhe për futbollin shqiptar dhe një humbje morale edhe për të ardhmen e shumë futbollistëve në Shkodër’, – ka thënë Plori për “Supersport”.

Krutanët janë ngjitur me ambicie në Superiore dhe kanë në plane afrimin e disa lojtarëve me përvojë. Një ndër dëshirat e tyre është edhe sulmuesi Sebino Plaku. / Vipsport/