Elvis Plori ka marrë drejtimin e Kastriotit dhe tashmë kërkon të mos humbasë kohë, por ia ka nisur direkt nga puna.

Skuadra krutane vjen nga një kategori më poshtë dhe për të qenë një skuadër e denjë në Superiore i duhen disa afrime cilësore, për të cilat tekniku ka nisur kontaktet e para.

Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres” tekniku i ri i krutanëve shprehet: “Zgjodha të rikthehem te Kastrioti, pasi e kisha peng që përpara dy sezonesh.

Edhe pse u largova në atë kohë, raportet e mija me drejtuesit gjithmonë kanë qenë të shkëlqyera. Më pëlqen Kruja, pasi këtu ambienti është mjaft i ngrohtë. Kruja është një qytet që e do futbollin”, deklaroi fillimisht tekniku, i cili pyetjes në lidhje me kërkesat e tij drejtuar presidencës, i përgjigjet:

“Dua t’i falënderoj për besimin, dhe për gatishmërinë që kanë treguar për të plotësuar çdo kërkesë timen. Diskutuam gjatë për skuadrën e ardhshme, për afrimet, të cilat do të jenë minimumi nga një për repart, por mund të kemi edhe më tepër.

Folëm edhe për rinovimet. Do të qëndrojnë të gjithë ata që kanë kontribuar sezonin që shkoi për të ngjitur skuadrën në Superiore.

Të gjitha këto kërkesa, por edhe mjaft të tjera morën “OK”-in e presidencës”, deklaroi tekniku. Në përfundim, pyetjes në lidhje me objektivin e Kastriotit këtë sezon, tekniku u përgjigj: “Kur Superliga është me 10 skuadra nuk është e lehtë të jesh te kjo 10-shja më e mirë.

U panë dhe verdiktet e fundsezonit me rënien e Vllaznisë, apo një vit më parë me rënien e Tiranës nga Kategoria. Gjithsesi, nëse ne punojmë siç duhet, jemi korrekt, përsa i përket vendosmërisë tonë për të qëndruar do t’ia dalim.

Këtu duhet të shtojmë seriozitetin në klub. Të gjithë së bashku duhet të punojmë fort dhe të jemi të përqendruar sidomos te puna në grup. Them se kështu mund t’i arrijmë objektivat”./sport-ekspres/