Prej disa ditësh ekipi i Kastriotit të Krujës ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Në dispozicion të teknikut shkodran Elvis Plori janë vënë përveç futbollistëve që janë nën kontratë, edhe shumë të tjerë që tentojnë të zënë një vend aty.

Në mes tyre është edhe një futbollist shkodran. Bëhet fjalë për mesfushorin 20 vjeçar Denis Balaj. Ai ka dalë nga Akademia Vllaznia ndërkohë që në sezonin e kaluar ka luajtur me Vllazninë B duke qenë një nga pikat më të forta të saj.

Madje, për nevoja të skuadrës ka luajtur edhe si qendërmbrojtës kur në fakt pozicioni i tij i zakonshëm është ai i mesfushorit shkatërrues.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të arrijë ta bindë trajnerin Plori dhe stafin e tij për ta përfshirë në skuadër. Vendimi pritet të merret brenda pak ditësh por gjasat janë që ai të jetë pjesë e Kastriotit për sezonin e ri.
www.shkodrasport.com