Baste të shumta nga presidentët e ekipeve: nga Shehi, te Prenga dhe Devolli. Plot tetë trajnerë takohen për të parën herë me Superioren. Nuk është e lehtë dhe fakti që shumë kanë humbur vendin e punës nga vjet e tregon qartë.

Trajnerët janë gjithnjë me “valixhe” në duar, në Shqipëri dhe kudo në botë. Janë shumë të pakta skuadrat që e mbyllin sezonin me atë trajner që e nisin, madje ka dhe nga ato klube që emërojnë 2-3 trajnerë, apo edhe katër brenda një kampionati.

Aq shumë trajnerë lëvizin nëpër skuadra, sa ndonjëherë bëhet e vështirë që tregu vendas të mundësojë alternativat e mjaftueshme, kjo për faktin se në pak raste trajnerët largohen me shtrëngim duarsh.

Besojeni ose jo, por plot 8 trajnerë do të provojnë për të parën herë një aventurë në Superiore. Kjo gjithnjë nëse ndonjëri nga trajnerët nuk largohet para se të nisë sezoni. Në fakt nuk do të përbente aspak çudi nëse do të ndodhte. Vetëm Ilir Daja dhe Armando Cungu kanë drejtuar edhe në të shkuarën në elitë.

I pari vjet u shpall kampion me Skënderbeun, por do të jetë në krye të Flamurtarit, kurse ish-trajneri i Vllaznisë është rikthyer aty ku u bë i famshëm: te Kukësi.

ORGES SHEHI – Ka shumë pikëpyetje për edicionin e ri te korçarët. CAS do të marrë vendimin final në muajin nëntor për dënimin 10-vjeçar që UEFA ka vendosur dhe deri atëherë të gjithë në kampin juglindor janë në akth. Veç largimeve të lojtarëve, ka ikur edhe trajneri Ilir Daja.

Zgjidhja u gjet në shtëpi, pasi Orges Shehi sapo e kishte mbyllur me futbollin e luajtur. Presidenti Takaj i mundësoi një aventurë të re dhe një përgjegjësi shumë të madhe. Shehi e nis karrierën si trajner te skuadra kampione në fuqi, por që e njeh mjaft mirë, pasi gati për një dekadë ka luajtur si futbollist me korçarët.

BESNIK PRENGA – Laçi arriti që të renditej në vendin e katërt dhe të siguronte një biletë për në Europa League. Trajneri Gentian Mezani kishte bërë një punë të mirë, megjithatë pak ditë pasi ishte mbyllur sezoni deklaroi largimin nga kurbinasit.

Bardhezinjtë i besuan drejtimin Besnik Prengës, i cili në të shkuarën kishte punuar me moshat te Lokomotiva e Zagrebit, ndërsa sezonin e fundit ishte në krye të Luçko në ligën e dytë në Kroaci. Laçi ka shumë lojtarë të rinj dhe mund të ishte mundësia më e mirë si për të, por dhe për skuadrën, që të kishin një bashkëpunim të frytshëm. 49-vjeçari do të drejtojë për të parën herë si trajner në vendin tonë.

SKËNDER GEGA – Partizani nuk po gjen dot rehati me trajnerët, teksa bën ndryshime gati çdo edicion. Në edicionet e fundit gjithnjë i beson në fillim teknikëve të huaj, por këtë vit mori iniciativën që t’i jepte besim trajneri Skënder Gega.

Tropojani ka drejtuar më parë në Amerikën e largët dhe moshat e Kombëtares, ndërsa më pas provoi një eksperiencë në Kuvajt te Al Xhahra. Tani do i duhet të bëjë mirë në elitën e futbollit shqiptar. Një sfidë e vështirë për të, duke ditur që te Partizani kërkohet me çdo kusht titulli. Skuadra nga kryeqyteti ka shumë vite që e pret një trofe të rëndësishëm dhe presioni është shumë i madh.

BLEDI SHKËMBI – Korçari ka kërkuar që t’i ngjisë shkallët një e nga një. Edicionin e fundit Shkëmbi ishte “timonier” në Kosovë, ku bëri mirë me Lirinë e Prizrenit. Tani vështirësia rritet, pasi do i duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe në Durrës.

Favori i ish-lojtarit të Skënderbeut është se mund ta ndërtojë skuadrën nga e para, sipas dëshirës së tij. Duket një ambient shumë i përshtatshëm për një trajner të ri si Shkëmbi, i cili kërkon të bëjë një hap përpara në karrierë. Megjithatë ka një rrugë jo të lehtë përpara, pasi dhe në Durrës pritet shumë këtë sezon, pas dështimeve në dy vitet e fundit.

ZE MARIA – Tirana mbylli edicionin më të mundimshëm në historinë e saj, pasi provoi Kategorinë e Parë. Misionin për ta ngjitur në Superiore e mori Ze Maria. Braziliani është i njohur si futbollist, pasi ka luajtur me Interin. Kërkon të bindë edhe si trajner dhe për të nuk është eksperienca e pare, pasi ka drejtuar në Kenia Gor Mahian, klubin më të madh atje, si dhe ka punuar në Rumani.

Në Kategorinë e Parë ia doli mirë, ndërsa tani duhet të bëjë diçka akoma më madhore, të rikthejë Tiranën pretendente. Koha në dispozicion për të njohur skuadrën dhe futbollin shqiptar ka qenë e mjaftueshme, ndaj pritet shumë në debutimin tij në Superiore.

ELVIS PLORI – Kastrioti i besoi Elvis Plorit, një njohje të vjetër. Me Superioren është “takuar” kur ishte pjesë e Vllaznisë, madje i ka qëlluar edhe të drejtojë në ndonjë ndeshje të veçantë, por kjo do të jetë hera e parë dhe e vërtetë që do të përballet me elitën e futbollit shqiptar. Tani ka mundësinë dhe i duhet që të tregojë vlerat e tij, për t’i bindur të gjithë se është gati për nivele të larta. Po e ndërton vetë ekipin dhe ka një mision të vështirë, pasi është në krye të një ekipi që vjen nga Kategoria e Parë.

MILLOSH KOSTIÇ – Edhe pse Hasan Lika bëri mirë në radhët e gjirokastriteve, në fund u mbyl bashkëpunimi me të dhe presidenti Tavo i besoi stolin sllovenit Millosh Kostiç. 47-vjeçari në të shkuarën ka drejtuar 17-vjeçarët e Sllovenisë, por dhe Zeljeniçarin apo dhe Açarnaikos e Kërka.

Në Shqipëri tani ka një sfidë të madhe, për të ruajtur dhe përmirësuar një ekip që ka qenë surpriza më e bukur në dy edicionet e fundit. Një bast i rrezikshëm, pasi në testin e parë në Europë ndaj Ventspils Luftëtari zhgënjeu.

BLEDAR DEVOLLI – Gjirokastriti mund ta kishte drejtuar Kamzën që vjet, por pak javë para se të siguronin ngjitjen në elitë, u largua dhe u pasua nga Ramadan Ndreu. Këtë verë presidenti Naim Qarri nuk ka ngurruar ta ftojë sërish ish-mesfushorin për të drejtuar skuadrën e tij.

Devolli ka qenë një nga lojtarët më të mirë në kampionat dhe egoja nuk i mungon për të treguar se edhe si trajner mund të ndjekë të njëjtën trajektore. Ky është shansi i tij./sport-ekspres/