Ka filluar në mënyrën më të keqe të mundshme kampionati për Luftëtarin dhe një start i mrekullueshëm për Kastriotin në rikthimin e tij në superiore. Ekipi i Plorit ka marrë tre pikë shumë të vlefshme përballë një ekipi që me shumë mundësi do të jetë rival këtë sezon në luftën për mbijetesë.

Minutat e para janë të luftuara dhe me aksione të ndërsjella për të dyja ekipet. Luftëtari është më superior në mbajtjen e topin dhe kërkon të imponohet, por Kastrioti e përballon mirë dhe është i rrezikshëm në daljet përpara. Me disa raste të pastra për gol në favor të Luftëtarit, pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej në shifrat e bardha 0-0.

45 minutat e dyta janë më intensive, gjithashtu ndryshon kah edhe skuadra që kontrollon ndeshjen, pasi janë krutanët ata që dominojnë. Kastrioti i afrohet disa herë golit, madje pretendon edhe për penallti, por arbitri akordon vetëm goditje nga këndi.

Por penalltia dhe goli do të vinte vetëm pak minuta më vonë për miqtë nga Kruja. Nga pika e bardhë e njëmbëdhjetmetershit është Mziu që gjuan dhe i çon shifrat në 0-1.

Pas këtij goli, vendasit mundohen të reagojnë, por nuk ia dalin dhe Kastrioti arrin të mbrohet mirë. Pavarsisht përpjekjeve të Luftëtarit, deri në fund rezultati mbetet i pandryshuar dhe gjithçka mbyllet me rezultatin 0-1.

Kastrioti rikthehet kështu me fitore në Superligë dhe për më tepër në transfertë. Sakaq disfatë për Luftëtarin në ndeshjen e parë të këtij kampionati që konfirmon edhe njëherë se pas largimeve të shumta të disa prej lojtarëve më të mirë do të ketë shumë vështirësi.