Elvis Plori e di mirë se për Kastriotin ky nuk do të jetë një sezon i lehtë. Ndonëse skuadra e tij ka fituar në sfidën e parë në kampionat ndaj Luftëtarit, gjithçka do të bëhet më e vështirë në vijim, pasi askush nuk do të nënvlerësojë krutanët dhe do të japë maksimumin ndaj tyre, duke filluar nga rivali i radhës, Skënderbeu.

“Të gjitha janë të forta, po ta shohësh në letër nuk ka ekip të lehtë. Skënderbeu është një skuadër që pavarësisht largimit boshtin e ka, ka një skuadër të mbushur me talente.

Ne jemi të qetë, jo si në fillim të kampionatit, nuk do të kemi stres si në ndeshjen e parë. Jemi ende me entuziazmin se kemi marrë trepikësh. Unë shoh gjendje më të mirë te ekipi dhe shpresoj të marrim maksimumin”, tregon Plori për “SuperSport”.

Por trajneri shfaqet realist kur njeh potencialin e skuadrës së tij, por edhe respekton kundërshtarin që do të ketë përballë. “Unë do të jem i kënaqur edhe me një pikë, të jemi me këmbë në tokë.

Është një ndeshje ndaj një ekipi si Skënderbeu që e nisi po ashtu me fitore e kërkon trepikëshin e radhës. Ndaj them unë do të isha i kënaqur edhe me një pikë”.

Kjo do të thotë se ekipi do të jetë shumë më i balancuar se në ndeshjen e parë dhe i vëmendshëm në mbrojtje, jo vetëm në këtë duel, por në të gjithë sezonin.

“Nuk dua një skuadër shumë sulmuese, dua një skuadër me ekuilibra në fushë, me sulme nga krahët, të gjejmë mundësinë si t’i shfrytëzojmë mundësitë që na jepen.

Nga stafi, nga drejtuesit, nga ekipi, të gjitha mundësitë janë të bëjmë një sezon të mirë e të sigurojmë mbijetesën”, tregoi Plori objektivin e këtij sezoni. /vipsport/