Trajneri i Kastriotit, Elvis Plori, e ka pranuar se planet e tij për ndeshjen e sotme nuk kishin shkuar mirë që në ndeshjen e parë.

Në fjalët për “SuperSport”, ai theksoi se ekipi kishte vuajtur mungesën e eksperiencës në Superiore.

Për humbjen e sotme

Ne e kemi ditur, e kam vlerësuar që në fillim të javës Skënderbeun, por do të doja që të paktën pjesën e parë ta mbyllnim në barazim, këto ishin synimet, Skënderbeu do rrezikonte më shumë më pas.

Skuadra nuk ishte e hapur në fushë, por në momentin kur kishim mbajtjen e topit u thyem dhe Skënderbeu na ndëshkoi.

Ajo na çoroditi pak, se ekipi nuk ka eksperiencën e duhur në Superiore, ishte ndeshja e parë në shtëpi dhe emocionet e entuziazmi ndikoi në paraqitjen e skuadrës.

Për pozicionin e Domgjonit në krah
Domgjoni ka cilësi dhe shpejtësi të mirë, tiparet mbrojtëse që ka ndihmonin për daljet në sulm të Vangjelit. Këtë kërkova, por janë mendime para ndeshjes dhe ka raste që funksionojnë e ka raste jo.

Për lojën në pjesën e parë të ekipit
Jam mërzitur me pjesën e parë sidomos me dublimet nga krahët, që nuk ishin në lartësi, nuk kishim agresivitetin e duhur, shkonim me vonesë dhe na hutonte Dita që merrte topin.

Ishte zgjidhje jo e mirë e skuadrës. Në pjesën e dytë rrezikova më shumë se nuk kishim çfarë të humbnim, kalova thuajse me 5 sulmues që të rihapnim ndeshjen.

Sa e vështirë do jetë të mbahet ky nivel

U dukëm një skuadër e vogël pasi edhe Skënderbeu ka cilësi. Skuadra ime kishte hyrë me synim që të nervozojmë kundërshtarin me kalimin e minutave dhe prandaj nuk hodha sulmuesa.

Dukej sikur skuadra ishte e hutuar, por ky ishte mundimi im deh doja të hutoja Skënderbeun por nuk ia arrita.

Nuk doja të sulmoja që në fillim Skënderbeun pasi duke ditur krahët që ka dhe Muzakën kisha frikë dhe gjatë javës mendova të luaja kështu dhe kështu luajta.