Humbja 3-0 përballë Skënderbeut ka ndryshuar në mënyrë të çuditshme opinionin që ishte krijuar për Kastriotin pas asaj fitoreje në Gjirokastër.

Të gjithë kthehen të shohin krutanët si favoritë për kthimin në Kategorinë e Parë, por trajneri Elvis Plori mendon se ky demoralizim pas vetëm një humbje nuk është pozitiv dhe është i pakuptimtë, aq më shumë se luhej përballë një skuadre të ndërtuar për objektiva të tjera.

“Normalisht nuk jam i kënaqur që ndeshja përfundoi me shifrat 0-3. U mundova që të bëja disa ndryshime që të hapja ndeshjen.

Jam i pakënaqur me disa pjesë, disa fragmente të lojës, por gjithsesi duhet të jemi me këmbë në tokë. Skënderbeu është një skuadër e mirë, ka objektiva të tjera, ne kemi objektiva të tjera. Nuk duhet të demoralizohemi, duhet të shohim përpara.

Ne kemi një skuadër që e kemi krijuar vetë më aq mundësi sa kemi dhe asnjëherë nuk duhet të nënvlerësojmë lojtarët.

Për mendimin tim ky është grupi më i mirë që mund të bënim. Pavarësisht se humbëm  me Skënderbeun ne do të gjejmë kurajë, forcë për të ecur përpara dhe për të arritur objektivin.

Ndeshja e radhës është me Partizanin, të gjitha janë të forta, nuk duhet të diskutojmë më jo kjo skuadër, jo ajo skuadër, 10 skuadra janë.

Do të mendojmë si të hedhim në fushë lojtarët në mënyrë të atillë që të përballemi me sa më shumë dinjitet me Partizanin dhe të shohim të marrim çfarë të meritojmë nga kjo ndeshje”, ishin fjalët e trajnerit të krutanëve. /vipsport/