Trajneri i Kastriotit, Elvis Plori, e pranon qetësisht humbjen ndaj Partizanit dhe nuk ka ndonjë peng, përveç faktit që skuadra e tij pësoi gol shpejt dhe sërish gaboi në minutat e para. Për “Gol pas goli” në Supersport trajneri shkodran analizon ndeshjen, pa e kritikuar skuadrën e tij.

“I kënaqur nga loja? Pjesërisht, sidomos në pjesën e dytë skuadra reagoi dhe kishim mundësi të reagonim. Edhe në pjesën e parë luajtëm mirë, por gabuam në fillimin e ndeshjes dhe e pësuam, ashtu si me Skënderbeun.

Mund ta ndryshonim ecurinë e lojës me një rast të pastër që patëm me Rahim, por nuk ia dolëm. Nuk i druheshim Partizanit dhe mund të merrnim më shumë.

“Sulmuesit të izoluar? Jo, nuk i fajësoj sulmuesit, nuk patën raste të pastra. Ishte e tillë ndeshja, do të prisnim për të goditur nëse na shfaqeshin raste, por nuk është se patëm shumë të tilla.

“Duhej kujdes, por realisht goli nuk erdhi nga presioni i Partizanit, por nga një gabim i yni. Partizani nuk po na sulmonte me forca të shumta dhe kishim mundësi t’i përgjigjeshim me të njëjtën monedhë.

“Skuadra pëson gol shpejt? Nuk është e njëjta situatë me Skënderbeun, aty ishim nën presion të madh nga kundërshtari. Skuadra është e qetë, nuk ishte nën presion sot.

Rëndësi ka që ta luajmë pak më tepër topin, kishim mundësi të krijonim më shumë lojë e raste, jam pak i pakënaqur me lojën sulmuese nga krahët, ku duhej të shtynim më shumë”./sport-ekspres/